320 euro për një çertifikatë, nën hetim administratori

203

Një person i akuzuar për korrupsion është vënë nën hetim nga Policia e Tiranës. Miratim Mezini, 34 vjeç, banues në Tiranë u ndalua gjatë ditës së djeshme, pas videos së publikuar gjatë së hënës në emisionin investigativ “Stop” të Televizionit “Klan”. Ndalimi i tij u bë, pasi duke qenë me detyrë administrator i një shoqërie punësimi, duke i marrë një shumë prej 320 euro një personi e ka pajisur atë me çertifikatë trajnimi për përfundimin e kursit profesional, ndërkohë që nuk i është nënshtruar testimit teorik dhe praktik.
Nga hetimet e kryera rezulton se çertifikata e lëshuar nuk është pasqyruar në regjistrat e Amzës. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 70 çertifikata kursi profesional dhe dy regjistra Amze. Ndaj të dyshuarit, materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Korrupsion pasiv në sektorin privat” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.
Kamera e fshehtë e emisionit investigativ u ndal në Agjencinë Shqiptare të Punësimit, e licencuar për trajnime në profesione të ndryshme. Administratori Miratim Mezini siç mund të shihni në videon më poshtë negocion me qytetarin dhe pas disa bisedave pranon që qytetari në fjalë të marrë një çertifikatë 3-mujore trajnimi për “punime dekorative dhe gipsi”.
Pasi paguan 320 euro, shtetasi i interesuar është “i trajnuar” në punimet e gipsit dhe gati për tregun gjerman të punës, edhe pse nuk ka bërë asnjë ditë të vetme trajnim.