A u dëbua Rama nga fotoja zyrtare e Samitit të Adriatikut?

Kryeministri Edi Rama ka munguar dje në foton zyrtare të të Samitit të Adriatikut të zhvilluar dje në Malin e Zi. Pas përfundimit të punimeve të Samitit, liderët e Ballkanit bashkë me Zv/Presidentin amerikan Mike Pence bënë fotografinë zyrtare, një traditë kjo e ndjekur zyrtarisht në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare.
Në këtë foto familjare bashkë me Zv/Presidentin e SHBA, Mike Pence, janë dhe liderët e vendeve të Ballkanit, Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, Kryeministri i Bosnje Hercegonivës, Denis Zvizdiç, Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markoviç, Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, Kryeministri i Sllovenisë, Miro Cerar. Ai që mungon është vetëm Kryeministri i Shqipërisë, Rama.
Foto është publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Malit të Zi. Ndonëse i pranishëm gjatë punimeve të Samitit, Rama nuk është i pranishëm në foton zyrtare.
A kemi të bëjmë me një dëbim të Ramës nga foto zyrtare e Samitit të Adrtiakut apo vetë lideri global ka refuzuar që të jetë në foton zyrtare të takimit bashkë me Zv/Presidentin amerikan Mike Pence, i cili siç u shpreh në takim ishte i dërguari direkt i Presidentit amerikan Trump për të dhënë mesazhe të forta për sigurinë e rajonit, NATO dhe qeveritë e reja me besim popullor larg korrupsionit.
Vështirë të besohet se lideri global që kalon të gjithë kohën në Shqipëri në takime informale me krerë të karteleve të drogës dhe oligarkë të ketë refuzuar që të jetë pjesë e fotos zyrtare të Samitit të Adriatikut përkrah Zv/Presidentit Pence dhe kryeministrave të tjerë të rajonit.
Gjatë ditës së djeshme, lajmet që qarkullonin në lidhje me prezencën e Ramës në Samit nuk kishin të bënin me takimet e zhvilluara prej tij atje, por për paraqitjen në thyerje të kodit të veshjes të një takimi të një niveli të tillë të lartë ku ai u paraqit sërish me atlete.
Rama u shfaq përballë Zv/Presidentit të SHBA me atlete, duke përcjellë mungesë serioziteti dhe respekti jo vetëm ndaj numrit dy të Shtëpisë së Bardhë, por ndaj gjithë të pranishmëve të tjerë në Samit.
Ndoshta deliri dhe mendjelehtësia për show edhe në evente të tilla ndërkombëtare e ka penalizuar Ramën, duke e dëbuar atë nga foto zyrtare e Samitit të Adriatikut. Kjo mund të ishte më e pakta që mund të thuhet për mungesën e tij në këtë foto. Mesazhi politik i mungesës së Ramës në foton zyrtare të Zv/Presidentit Pence me krerët e tjerë të qeverisë të rajonit merr një kontekst krejt të ndryshëm duke e çuar atë në kufijtë e një incidenti.
Pavarësisht se Rama ka mundur të bëjë një foto kortezie me Zv/Preesidentin Pence, kreu i qeverisë shqiptare nuk ka pasur asnjë takim zyrtar me numrin dy të Shtëpisë së Bardhë. Pence ka pasur takime të tjera me krerët e qeverive të rajonit dhe nuk rezulton të ketë zhvilluar një takim të tillë me Ramën.

Arben SHAHINI