Pushuesit në rrezik, bregun e pushtojnë “jet-ski”-të, më 2016 u 15-fishuan importet

Ka një ofertë tipike që e gjen në bregdetin shqiptar gjatë sezonit veror dhe që nuk ka munguar as këtë vit. Bëhet fjalë për një shëtitje me jet-ski apo motorë uji që kushtojnë 5 mijë lekë për 30 minuta.
Ajo që vihet re këtë vit në bregdet është që shumica e atyre që e ofrojnë këtë si shërbim janë të gatshëm të negociojnë duke bërë lëshime edhe me 3 mijë lekë për 30 minuta. Dikur çmimi që të jepej ishte në euro dhe nuk zbriste poshtë 100 euro ora.
Kjo rënie duket se e ka pas edhe një arsye. Numri i motorëve të ujit ka ardhur në rritje, sidomos ata që u importuan gjatë vitit 2016 që ka shënuar edhe rekordin.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në total u importuan 2023 mjete lundruese sportive ku bëjnë pjesë dhe jet ski-të, 15 herë më shumë se një vit më parë. Vlera e tyre në dollarë është rreth 290 mijë dollarë.
Në vitin 2015 u importuan vetëm 137 mjete me një vlerë mbi 521 mijë dollarë dhe akoma më pak më 2014 kur u regjistruan vetëm 105 mjete me vlerë 310 mijë dollarë.

Rreziku nga mjetet sportive lundruese
E ndërsa mjetet lundruese shihen si një pjesë plotësuese e gjithë ofertës turistike të bregdetit duket se ato operojnë tërësisht të pakontrolluara.
Për shërbimin që japin nuk lëshojnë asnjë faturë tatimore dhe garancia jote pasi hipën në motor është një jelek uji, kurse për atë që është duke notuar në breg mbrojtësi më i madh është fati.
Në këtë përfundim arrin nëse sheh atë çka ndodh nga Ksamili në Velipojë ku motorët e ujit afrohen pa problem në breg dhe në shumë raste me manovra të rrezikshme.  Por në fakt nuk janë vetëm motorët e ujit që lundrojnë në spontanitet total dhe pa respektuar distanca.
Kjo ka bërë që jo në pak raste të kemi edhe incidente që kanë përfunduar në tragjedi. Rasti i turistes ruse në Ksamil ishte edhe më i fundit.
Ditëve të fundit nisur dhe nga ky incident ka pasur edhe një nismë për ndalimin e mjeteve lundruese çka u shoqërua me kundërshtime sidomos në Durrës.
Për një vend që ka një vijë bregdetare për t’u pasur zili ndalimi dhe moratoriumi duket se nuk janë zgjidhja finale ajo që kërkohet është rregullimi ligjor i tij.