Presidenti i PSG-së: Në 3 vite, vlera e Neymar do të dyfishohet

Në krah të brazilianit ka qenë edhe njeriu që bëri realitet këtë lëvizje rekord botëror për futbollin, presidenti i PSG-së, Al-Khelaifi, i cili u shpreh: “Neymar tregon ambicien tonë si klub. Kemi foli me Neymar dhe duam të fitojmë Ligën e Kampionëve. Ky është objektivi maksimal i mundshëm. Kjo është ëndrra jonë, objektivi ynë kryesor, por unë nuk mund të them se do ta fitojmë Ligën e Kampionëve këtë vit. Ne do të luftojmë për këtë. Sa i përket transferimit të Neymar, ne kemi bërë gjithçka në mënyrë të ligjshme. Unë nuk jam i shqetësuar në lidhje me ‘fair play’-in financiar, sepse kemi punuar në mënyrë transparente dhe të ligjshme me UEFA-n. Neymar nuk më duket i shtrenjtë. Me të ne do të fitojmë më shumë se kemi shpenzuar. Ne do t’i japim besimin e plotë, sepse ka ardhur për të qenë në qendër të një projekti. Interesi i Barcelonës për Verrattin? Nuk ka të bëjë me nënshkrimin e Neymar. Për mua, Neymar është lojtari më i mirë, me të cilin do të fitojmë të gjithë trofetë e mundshëm dhe do të shkruajmë historinë e madhe të PSG-së në qytetin më të bukur në botë, që është Parisi. Në tri vite, vlera e Neymar do të dyfishohet, të paktën”.