Një e moshuar rrihet dhe kërcënohet me armë natën

Një grua e moshuar u rrah nën kërcënimin e armëve natën e kaluar në fshatin Brataj të Vlorës. Dy persona kishin hyrë në shtëpinë e saj, duke qëlluar në ajër me armë për ta detyruar të dalë nga shtëpia. Kjo, pasi gruaja me inicialet F.S ishte ndarë nga bashkëshorti i saj me të cilin vazhdonte të jetonte në të njëjtën shtëpi.
“Dyshohet se dy shtetasit kanë hyrë në banesë, për të kanosur me armë shtetasen F.S., ku kanë përdorur edhe dhunë fizike ndaj saj, si një formë kërcënimi për t’u larguar nga banesa e ish-bashkëshortit të saj”, thuhet në njoftimin e policisë. Pas denoncimit, policia arrestoi Ervis Karçanajn, 24 vjeç, banues në Velsh, Vlorë. Ai rezulton të jetë nipi i shtetasit Sh.S., ku së bashku me autorin tjetër (ende të paidentifikuar nga policia), kanë hyrë në banesë dhe kanë kanosur shtetasen F.S.