Murinjo nis sulmin

Trajneri i Manchester United nis sulmin ndaj atij të Chelsit ende pa nisur kampionati. Miq? Asnjëherë! Ashtu siç kanë konfirmuar edhe episodet e sezonit të shkuar. E vërtetë, në njëfarë pike Antonio Konte tentoi edhe ta çtensiononte situatën, duke e mbrojtur tezën se ai me Murinjon kishte vetëm një konflikt sportiv. Por në rastin e parë që i është dhënë, trajneri i Çelsit e lëshoi batutën e helmatisur kundër ish-trajnerit të bluve dhe lufta rinisi sërish.
Sepse Zhoze Murinjo nuk mban pengje. Aq më tepër kur bëhet fjalë për të thumbuar kritikët e tij kolegë, ashtu siç ka ndodhur së fundmi në rastin e kolegut të tij. Trajneri i zemëruar i Çelsit paralajmëroi skuadrën e tij kampione që të shmangte “një sezon Murinjo” dhe kundërpërgjigjja e trajnerit portugez nuk vonoi dhe erdhi pikërisht atje ku i dhemb më shumë italianit: duke marrë si referencë që dikur ish-mesfushori i Juventusit ka bërë një transplant flokësh.
“Nuk e di, unë mund t’i përgjigjem në shumë mënyra”, tha tekniku i Mançester Junajtid, në konferencën për shtyp, pas fitores 3-0 në miqësoren kundër Valarengës në Norvegji. “Por unë nuk do të humbas flokët e mia duke folur për Antonio Konten”, ironizoi ish-tekniku i bluve të Londrës.
Dhe duket se për t’i hedhur më tepër benzinë zjarrit, shërben edhe transferimi i Nemanja Matiçit nga “Stamford Bridge” në “Old Trafford”, për të cilin portugezi foli me superlativa pas zyrtarizimit:
“Nemanja është një lojtar i Mançester Junajtid dhe një lojtar i Zhoze Murinjos. Ai përfaqëson gjithçka ne kërkojmë te një futbollist: besnikërinë, përputhshmërinë, ambicien dhe qenien një lojtar skuadre.
Unë do të doja ta falënderoja për dëshirën e tij për të na u bashkuar neve, sepse pa atë do të ishte e pamundur që ta kishim këtu. Jam i sigurt se lojtarët dhe tifozët tanë do ta dashurojnë. Një mirëseardhje e madhe për numrin tonë të ri 31”, tha Mou, i cili hodhi poshtë edhe zërat e largimit të Maruan Felainit drejt Gallatasarajit: “Është më e lehtë që Gallatasaraji të më blejë mua sesa Maruan Felainin. Nëse u duhet një trajner, atëherë kanë një shans, por Maruan? Harrojeni! Ai është shumë i rëndësishëm për mua”.