Ministri i dënuar britanik adhuron Edi Ramën

Kryeministri Edi Rama ka filluar ditët e fundit një fushatë reklamimi të vetes para publikut evropian. Ndërsa në Shqipëri është duke konsoliduar me dorë të fortë pushtetin e tij personal, ai po tregohet, si gjithmonë, i kujdesshëm që këto përpjekje autokratike të paketohen për opinionin e huaj politik si reforma modernizuese dhe europiane. Në këtë fushatë të fundit Edi Rama ka riaktivizuar rrjetin e tij të klientëve të huaj, përfshi ish-politikanë të lartë europianë, shumica prej të cilëve janë paguar apo vazhdojnë të paguhen prej tij si këshilltarë, konsulentë apo në forma të tjera.
Para tre ditësh ishte Alistair Campbell- ish-drejtori i komunikimit i Tony Blair -i cili publikoi në faqen e tij personale një artikull të tejmbushur me lavde dhe himne ndaj Ramës. Artikulli u përcoll si lajm kryesor dhe u propagandua në mënyrë të ethshme nga të gjitha mediat vendase, të cilat tashmë kontrollohen pothuajse të gjitha nga Edi Rama. Edhe pse Campbell në artikullin e tij e bën të qartë që ka punuar si konsulent politik personal i paguar nga Rama, mediat shqiptare nuk e përmendin fare këtë fakt dhe i referoheshin atij vetëm si drejtor i komunikimit dhe këshilltari i ish-kryeministrit Tony Blair. Në fakt, vetë Blair dhe gruaja e tij janë paguar për disa vite nga qeveria e Edi Ramës si konsulentë.
Sot ishte radha e politikanit të diskredituar Denis MacShane, ish-ministër për Çështjet e Europës, po në qeverinë e Tony Blair. MacShane ka botuar në gazetën kryesore franceze “Le Monde” një artikull ku lëvdon Edi Ramën duke e portretizuar si politikani që po shpëton fatet e socialdemokracisë europiane.
Artikulli ka të njëjtën strukturë dhe përmbajtje që kanë prej vitesh artikujt që Rama porosit në shtypin e huaj: përshkruan stilin në veshje të Ramës, thekson faktin që Rama ka qenë artist dhe sporist i arrirë, thekson arritjet e mëdha transformuese si kryebashkiak i Tiranës duke mos harruar lyerjen historike të mureve të pallateve, thekson që si kryeministër Rama po emancipon dhe po modernizon Shqipërinë. Nëse nga njëra anë MacShane është i mirinformuar në detaje për reformat që ka kryer apo sapo ka shpallur Kryeministri Rama, nga ana tjetër duket se ai ka vështirësi me faktet pasi artikulli i tij është mbushur me pasaktësi faktike, informacione të shtrembëruara deri gënjeshtra të hapura. Natyrisht, artikuli është i tejmbushur me lavde dhe komplimente ndaj Ramës.
Me qasjen e zakonshme të Ramës, që në mëngjes ka filluar propagandimi i ethshëm i artikullit nga makinera e propagandës e Edi Ramës, propagandë që filloi me postimin e artikullit nga vetë Rama në faqen e tij në Facebook.
Ndërsa Campbell ka vite që punon për Ramën, MacShane është aktivizuar vitin e fundit. Në maj, pak para zgjedhjeve të qershorit, MacShane shkroi një artikull në faqen informative “Euroactiv” me anë të të cilit ai lëvdonte në ekstrem Ramën dhe sulmonte ashpër kryetarin e opozitës, Lulzim Basha si rrezik për Shqipërinë për shkak të qasjes së tij populiste. Artikulli, i mbushur gjithashtu me keqcitime dhe me pohime të pazakonta për një politikan europian, u përcoll nga mediat pro qeveritare dhe u propagandua e përforcua nga komentatorët mediatikë të lidhur me qeverinë si një artikull serioz nga një personalitet politik. Duke theksuar faktin se MacShane ka qenë ministër për Evropën, si një veçori që i jep besueshmëri dhe seriozitet artikullit të tij.
Ato që mediat nuk raportuan atëherë dhe tani është një fakt i rëndësishëm që do t’i interesonte lexuesve për shkak të qëndrimit të njëanshëm politik të autorit. Denis MacShane është një ish-politikan karriera e të cilit mori fund për shkak të korrupsionit, përfshi pagesa të paligjshme, falsifikim faturash për shpenzime qeveritare. Në vitin 2013 ai u dënua me 6 muaj burg për falsifikimin e 19 faturave shpenzimesh për të përfituar rimbursim nga shteti në shumën rreth 18 mijë euro. Në deklarimin e tij fajtor, gjykatësi u shpreh se MacShane dëshmon një mungesë totale besimi dhe respekti për sistemin demokratik.
Tani, MacShane është duke i shërbyer Edi Ramës me artikuj servilë, që është e arsyeshme të besohet se bëhen përmes pagesës, pasi një person që falsifikoi dhe tentoi të mashtronte Parlamentin anglez për pak mijë dollarë të bëjë shërbim falas ndaj Edi Ramës.
Exit.al