Maskat plagosin shoferin dhe grabisin makinën në Lushnjë

232

Maskat ushtrojnë terror në Lushnjë. Mbrëmjen e së dielës, rreth orës 23:10, në rrugën Lushnjë-Ballagat, në afërsi të fshatit Garrunjas, dy persona të pa identifikuar, të armatosur, i kanë dalë para dhe kanë hapur zjarr ndaj mjetit tip “Volkswagen” me targë AA 580 IH. Mjeti me targa AA 580 IH drejtohej nga shtetasi D.S, 18 vjeç, banues në Peqin, me të cilin udhëtonin si pasagjerë edhe shtetasit A.Sh, 18 vjeç dhe F.P, 20 vjeç, banues në Peqin.
Si pasojë është plagosur shtetasi D.S, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Personat e armatosur kanë marrë mjetin tip “Volkswagen”, me targë AA 580 IH dhe janë larguar në drejtim të Peqinit. Nga krehja e zonës është gjetur i braktisur në Peqin mjeti tip “Volkswagen” me targa AA 580 IH. Janë ngritur pika të shumta kontrolli dhe vazhdon krehja e zonës. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve si edhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, Policia bën me dije se qytetari me iniciale M.N emigrant ka bërë kallëzim se në Gomsiqe të Pukës ka qenë duke udhëtuar me mjet dhe ku në momentin që ka ndaluar, një shtetas i paidentifikuar, të cilin e kishte marrë pasagjer i ka marrë me forcë portofolin, në të cilin kishte dokumentet, rreth 250 euro dhe 1500 lekë. Pas hetimeve, uniformat blu identifikuan autorin dhe e kanë shpallur në kërkim. Ai është me iniciale E.N, nga Karma dhe banues në Tiranë. 40-vjeçari me iniciale E.N është me precedent penal dhe ka qenë i dënuar për vjedhje.