Mafia i vë zjarrin Tepelenës për të hapur toka për drogën

177

Një nga zonat e Shqipërisë që u përfshi më së shumti nga flakët gjatë kësaj vere që vazhdojnë të përpijnë pyjet është ajo e Tepelenës. Pyjet e mrekullueshme përballë Ujit të Ftohtë po vazhdojnë të shkrumbohen edhe pse temperaturat kanë rënë. Banorët që jetojnë në këtë zonë shprehen se, të gjithë zjarret janë të qëllimshme, ndërkohë që policia nuk vepron. Sipas tyre, mafia e drogës që vitin e kaluar e ka pasur epiqendër Tepelenën, po hap toka të reja për mbjelljen e kanabisit.
Që trafikantët e drogës të mbështetur nga kreu i Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi janë zotër të territorit në këtë rreth, u vërtetua vitin e kaluar, kur nuk ra asnjë zjarr, pasi vendi ishte i mbushur me qindra parcela me kanabisi me lejen dhe mbrojtjen e forcave të policisë. Këtë vit trafikantët të mbështetur edhe nga policia po djegin pyjet për të hapur toka për mbjelljen e kanabisit. Përditë zjarret përpijnë pyjet edhe në zonat turistike, ndërsa policia nuk ndërhyn.
Ish-kryeministri Berisha ka reaguar për djegien e qëllimshme të pyjeve në Tepelenë për të hapur toka për mbjelljen e jkanabisit. Berisha ak postuar një video ku dallohet një sipërfaqe toke që po digjet. Me pamjet e bëra natën, të cilat i ka publikuar në Facebook, Berisha thotë se ndodhet në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Tepelenë.
Berisha gjithashtu, nuk lë pa ironizuar Ramën dhe qeverinë e re të tij, të cilën e bëri zyrtare ditën e djeshme në Asamblenë e Partisë Socialiste. “Zjarr në Tepelenë përballë Ujit të Ftohtë tani që kemi Timonierin me Xhafën që nuk iu cënon hashashin!”, shkruan Berisha në Facebook.
Një ditë më par ëish-Kryeministri Berisha publikoi mesazhin e një qytetari nga Delvina I cili e informonte për djegien e ullishtave. “Qytetari dixhital denoncon: Ullishtat e Delvinës në flakë, asnjë s’po merr asnjë masë!”, shkruante Berisha nëFacebook.
Për këtë masakër pyjore nga zjarret e qëllimshme për të hapur toka për mbjelljen e kanabisit ka reaguar edhe kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi. “Ia vunë flakën Tepelenës. Hapen tokat e reja për drogën se siguruan mbrojtje për trafiqet”, shkruan Malltezi në një postim në Facebook.
Zjarret vijojnë të shkrumbojnë pa ndërprerje pyje e kullota në Jug të vendit. Një zjarr masiv ka rënë në fshatin Vrisera në Gjirokastër pasditen e të dielës. Nga flakët u rrezikua edhe godina e Bashkisë së Dropullit si dhe shkolla e fshatit. Forcat e zjarrfikëses së Gjirokastrës janë në luftë me flakët. Drejtori i PMNZSH Gjirokastër, Kujtim Bizhga tha se zjarrvëniet janë të qëllimshme.
“Situata paraqitet mjaft e vështirë, kjo është një zjarrvënie e qëllimshme”, u shpreh ai.
Po ashtu njoftohet se edhe në Delvinë një zjarr i madh ka rënë, duke djegur një bllok me gështenja dhe disa ullinj të vjetër në moshë. Zjarrfikëset e kanë të pamundur që të futen për të shuar zjarrin, pasi terreni është malor dhe i thyer. Banorët e zonës po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

356 zjarre në Fier gjatë verës

Në qarkun e Fierit, gjatë stinës së verës janë regjistruar 356 raste zjarresh. Për pasojë janë djegur me dhjetra hektarë me pyje dhe pemë frutorë. Në lidhje me këtë situatë, prefekti i qarkut Vasil Bregu zhvilloi një takim me përfaqësues të bashkisë dhe policisë.
Për përballimin e emergjencave, Bregu kërkoi një bashkëpunim më intensiv mes institucioneve. Në qendër të takimit ka qenë dhe aksioni kundër ndërtimeve pa leje, për të cilin prefekti tha se nuk synon terrorizmin e qytetarëve por orientimin e tyre drejt rrugës ligjore.
Po ashtu prefekti apeloi për rehabilitimin e rezervuareve dhe kanaleve kulluese për t’i paraprirë reshjeve të shiut gjatë stinës së dimrit, të cilat vitet e kaluara kanë shkaktuar përmbytje.

Minatorët angazhohen të shuajnë flakët në Martanesh

Flakët që vazhdojnë të jenë aktive prej disa ditësh në zonën e Martaneshit po rrezikohen dhe banesat. Zjarri rrezikon minierat prandaj shumë minatorë janë angazhuar vullnetarisht bashkë me shërbimin zjarrfikës për të shuar flakët. Gjithashtu dhe zjarri i rënë prej 3 ditësh në fshatin Skuraj të Kurbinit vijon ende. Pavarësisht ndërhyrjes nga ajri si dhe me mjete rrethanore ende nuk arritur që të shuhen plotësisht flaket. Sipërfaqja e malit të djegur është e konsiderueshme duke sjelle dëme në masivin pyjor të kësaj zone.
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë masivin pyjor të fshatit Bërzanë në Njësinë Administrative të Zejmenit në Lezhë. Vatra e zjarrit është pikasur nga banore të zonës në orët e pasdites, ndërsa është përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme duke rrezikuar dhe banesat. Në zonë kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse dhe punonjësit e shërbimit pyjor duke mbajtur nën kontroll situatën që zjarri mos ti afrohet zonës së banuar.
Gjatë pasdites së djeshme ka patur dhe ndërhyrje me helikopter nga ajri por pa mundur që të shuhen flaket. Sipas të dhënave zjarri vijon të djegë pyjet ndërsa vëmendja është përqendruar në mbrojtjen e zonës së banuar nga flaket. Deri më tani është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me pyll lisi dhe shkurre.

Zjarret vazhdojnë të djegin pyjet në të gjithë vendin

Zjarret vazhdojnë të djegin vendin, pavarësisht rënies së temperaturave. Pyjet vijojnë të shkrumbohen nga zjarret e qëllimshme të ndihmuar nga era. 6 vatra kanë qenë aktive gjatë ditës së djeshme, ndër to njëra në kodrat e Ardenicës. Flakët kanë rrezikuar sërish mansatirin e vjetër dhe antentat e televizioneve, ndaj është dashur ndërhyrja nga ajri edhe me helikopter. Pas disa orëve, zjarri u shua, por ka shkaktuar dëme të mëdha. Ndërkohë, zjarret vazhdojnë në Lezhë, në pyjet e Skurajt.
QARKU LEZHË
Zjarri i rënë disa ditë më parë në sipërfaqen pyjore me shkurre dhe pisha në fshatin Skuraj, Kurbin vijon të jetë aktiv. Shërbimi zjarrfikës ka punuar për të shuar flakët, por për shkak të erës së fortë dhe terrenit malor nuk kanë arritur ta izolojnë. Ditën e sotme helikopteri dhe disa forca ushtarake po punojnë të shuajnë zjarrin.
QARKU SHKODËR
Vijon operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në fshatin Karmë të Pukës. Terreni malor e ka vështirësuar punën e zjarrfikësve. Në orët e para të mëngjesit janë rindezur disa vatra të vogla zjarri.
QARKU DIBËR
Zjarri i rënë dy ditë më parë në fshatin Muhurr Dibër është shuar. Shërbimi zjarrfikës e kishte të pamundur të shuante zjarrin për shkak të terrenit të thyer malor. Pas ndërhyrjes me anë të helikopterit është bërë i mundur izolimi dhe shuarja e tij.
QARKU FIER
Në fshatin Kolonjë Lushnjë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, pisha dhe ullinj. Në ndihmë të zjarrfikësve të Lushnjës kanë shkuar edhe ata nga Fieri. Nga flakët rrezikohej Manastiri i Ardenicës si dhe antenat e transmetimit të montuara në fshatin Kolonjë. Pas një pune të gjatë të zjarrfikësve dhe të mbështetur nga një helikopter zjarri është shuar.
QARKU GJIROKASTËR
Në fshatin Selckë Dropull ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Banorë të zonës dhe forca ushtarake kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë punuar për shuarjen e zjarrit. Zjarri ka rrezikuar dhe banesat e fshatit. Për këtë është ndërhyrë me anë të helikopterit, i cili ka shuar zjarrin.
QARKU ELBASAN
Janë riaktivizuar vatrat e zjarrit të rëna në Poroçan, Gramsh. Për shkak të terrenit malor zjarrfikëset nuk kanë mundur të shuajnë zjarrin. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 15 ha me pyll ahu dhe pishe.

Flakët e zjarrit rrezikojnë Manastirin e Ardenicës

Në fshatin Kolonjë Lushnje nga flakët rrezikohej Manastiri i Ardenicës si dhe antenat e transmetimit të montuara në fshatin Kolonjë. Pas një pune të gjatë të zjarrfikësve dhe të mbështetur nga një zjarri është shuar.
Në Gjirokastër në fshatin Selckë Dropull ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha ku janë rrezikuar dhe banesat e fshatit. Për këtë është ndërhyrë me anë të helikopterit i cili ka shuar zjarrin.
Në fshatin Porocan të Elbasanit si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe prej 15 hektarës me pyll ahu dhe pishe. Po ashtu dhe në në fshatin Muhurr të Dibrës zjarri është shuar me anë të helikopterit.

R.POLISI