Koncesioni i dializës realizon 380 mijë euro fitime ende pa nisur mirë punën

BIRN

Koncesioni i shumëpërfolur i shërbimit të hemodializës, i cili u dha nga Ministria e Shëndetësisë te një kompani e panjohur në tetor të 2015, raportohet se ka realizuar një fitim neto marramendës që në vitin e parë të aktivitetit, ende pa investuar asnjë kacidhe nga kapitalet e veta.
Të dhënat e bilancit të kompanisë “Diavita” sh.p.k, të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregojnë se për vitin 2016-të, kompania e shumëdebatuar e koncesionit të dializës realizoi fitime neto në masën e 51 milionë lekëve, vetëm për një aktivitet të pjesshëm të zhvilluar në vitin e parë të koncesionit, ndërkohë që kompania mëmë e saj “Evita” sh.p.k, shiti pjesën më të madhe të aksioneve vitin e kaluar te një kompani guackë e regjistruar në Holandë për vlerën minimale të 160 mijë eurove.
“Diavita” është kompania e krijuar në bashkëpronësi të kompanisë American Hospital, në masën 15 për qind dhe kompanisë “Evita” sh.p.k në masën 85 për qind. Kjo është kompania që ka për detyrë të zbatojë kontratën e shumëdebatuar koncesionare të dhënë nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2015 për të dhënë shërbimin e dializës në pesë spitale rajonale, shërbim që më parë jepej nga spitalet publike. Hemodializa është një proces, të cilit i nënshtrohen personat që vuajnë nga mosfunksionimi i veshkave dhe konsiston në filtrimin e gjakut të pacientëve me pajisje jashtë trupit për të zëvendësuar veshkat që nuk funksionojnë.
Procedura e prokurimit të koncesionit me afat dhjetëvjeçar përcaktonte si kriter treguesin “kosto për njësi shërbimi”, por jo një vlerë të përgjithshme për kontratën. Por më vonë, Ministria e Financave, nën imponimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, u detyrua të deklarojë koston e pritshme të kontratave koncesionare të nënshkruara pjesërisht nga qeveria e kaluar dhe pjesërisht nga qeveria aktuale. Sipas këtij raporti, kontrata e koncesionit të dializës do të ketë një kosto vjetore prej 947 milionë lekësh në vit për dhjetë vjet me radhë.
Argumentimi kryesor i qeverisë aktuale për dhënien me koncesion të një pjese të konsiderueshme të sistemit të shëndetësisë ka qenë që këto kontrata koncesionare do të sillnin investime private, investime që shteti shqiptar tani për tani nuk ka mundësi t’i kryejë për shkak se borxhi publik është për momentin shumë i lartë. Por nga koncesionet e qeverisë aktuale për të cilat ka bilance të publikuara, siç është dhe bilanci i vitit 2016 i “Diavita” Sh.p.k, investime të tilla nuk duken asgjëkundi. E vetmja gjë që duket janë normat e jashtëzakonshme të fitimeve që do t’i kishte zili çdo biznes shqiptar – qoftë ky i ligjshëm apo informal.

35% normë fitimi mbi të ardhurat, 51 herë normë fitimi mbi kapitalin
Eficenca e punës në një kompani zakonisht matet me normën e fitimit neto si përqindje mbi të ardhurat, normën e kthimit në raport me kapitalin aksioner, si dhe normën e kthimit mbi asetet. Të tria këto tregues duken të pakuptimtë në bilancin e kompanisë koncesionare të shërbimit të dializës. Aksionerët e kompanisë paguan një kapital themeltar prej 1 milion lekësh në nëntor 2015, kur kompania u themelua. Por gjatë vitit 2016, kompania pati fitime neto në masën 51 milionë lekë ose 51 herë më shumë se sa vlera e kapitalit themeltar ose 5100 për qind.
Viti 2016 qe vetëm viti i parë i funksionimit të kompanisë. Të ardhurat e saj qenë në masën 148 milionë lekë. Fitimet neto të kompanisë janë të barabarta me 35 për qind të të ardhurave, një normë fitimi neto e lakmueshme për çfarëdolloj aktiviteti.
Treguesi tjetër, norma e kthimit mbi asetet rezulton gjithashtu shumë e lartë. Kompania ka në bilanc asete të përgjithshme me vlerë 294 milionë lekë. Fitimet neto të kompanisë janë të barasvlefshme me 17 për qind të aseteve. Sa për krahasim, sistemi bankar në tërësi ka një normë kthimi mbi asetet në rendin 1-2 për qind.

Pronarët e rinj fshihen pas kompanisë “guackë”
Rezultati i tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë në tetor 2015 për koncesionin e dializës, koncesioni i dytë i madh në shëndetësi nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama, qe një surprizë. Ministria deklaroi se fituese qe shpallur kompania “Evita”, një kompani e re, e themeluar në vitin 2013. “BIRN” kërkoi të dinte se kush qenë personat pas kësaj kompanie dhe zbuloi se “Evita” qe një kompani e vogël dhe pa eksperiencë në shërbime të tilla. Kompania fituese kishte asete me vlerë prej 30 milionë lekësh dhe papritur kishte fituar një kontratë dhjetëvjeçare, e cila do t’i sjellë të ardhura të sigurta në masën 9.5 miliardë lekë, (rreth 70 milionë euro).
Pas investigimit të “BIRN”, qeveria, përmes faqes së saj të përgënjeshtrimeve Transparenca.al, deklaroi se eksperienca i përkiste aksionerit minoritar në ofertën fituese të koncesionit, kompanisë American Hospital, e cila kishte 15% të aksioneve. Zbulimi i ofertave të tjera në tenderin e shumëpërfolur nxori në pah se oferta e “Evita” sh.p.k dhe e American Hospital në fakt nuk qe oferta më e lirë. “Evita” sh.p.k e pati fituar tenderin duke ofruar të kryejë shërbimin e dializës përkundrejt çmimit 11,203 lekë për seancë. Katër kompani të tjera konkurrente kishin hedhur oferta me çmime pak më të ulëta, por rezultuan që të katërta humbëse për shkak se “Evita” sh.p.k me American Hospital rezultuan se kishin më shumë eksperiencë. Të pasurit më shumë eksperiencë konsistonte në faktin që prej vitesh, spitalet publike në Shqipëri kanë kontraktuar spitale të ndryshme private për shërbimin e dializës dhe American Hospital rezulton si spitali me numrin më të madh të seancave të kryera.
Sikur të mos mjaftonte fakti që një kompani me kapital 30 milionë lekë fitoi një kontratë me vlerë 70 milionë euro, në nëntor 2016, 72.5 për qind e aksioneve të “Evita” iu shit përkundrejt një çmimi prej vetëm 160 mijë eurosh një kompanie guackë të quajtur ARIMO B.V. Kjo e fundit është e regjistruar në Holandë, një vend që konsiderohet si parajsë fiskale pasi lejon kompanitë të regjistrohen aty me një administrator fasadë dhe me pronësi të fshehur. Kompanisë, aksionet e së cilës iu shitën për 160 mijë euro, i përket, sipas bilancit të vitit 2016, 43 milionë lekë ose 318 mijë euro vetëm nga fitimet e vitit të parë të kompanisë së koncesionit.