Keidi Bare nderon Simeonen, i shënon Liverpool

Tashmë Keidi Bare mund të cilësohet si një bast i fituar për trajnerin Simeone. Talenti i Shpresave të Shqipërisë ka shënuar golin e parë me skuadrën e Atletico-s dhe këtë e ka bërë ndaj gjigantëve anglezë të Liverpool. Simeone e aktivizoi që nga minuta e parë 19-vjeçarin shqiptar dhe ai ia shpërbleu duke shënuar golin e parë në këtë takim. Bare qëndroi në fushën e lojës deri në minutën e 60, duke zhvilluar një paraqitje fantastike përballë Liverpool, në ndeshjen e vlefshme për “Audi Cup”. Në momentin e golit, jo vetëm Bare festoi si i “çmendur”, mëse legjitime për të, por të njëjtën gjë bëri edhe Simeone. Keidi Bare provoi për herë të parë jehonën e një stadium madhështor si “Allianz Arena” në momentin kur Diego Pablo Siemone vendosi t’i dhuronte një fanellë titullari në finalen e turneut “Audi Cup” mes Atleticos së Madridit dhe Liverpoolit. Mesfushori fierak nuk u tremb aspak përkundrazi, pavarësisht se bëhej fjalë për një turne miqësor shpalosi vlerat e tij absolute duke gjetur për herë të parë rrugën e rrjetës me ngjyrat e “rojiblanocve”. Një harkim i Vrsalijkos u devijua në portë nga Correa, por Ward arriti mrekullisht ta dërgonte në traversë, megjithatë në topin e kthyer u lëshua menjëherë kapiteni i kombëtares shqiptare të 21-vjeçarëve, i cili me kokë e përcolli në rrjetë. Një gol shumë i rëndësishëm në aspektin personal dhe një paraqitje e përsosur, e cila është marka më e mirë e prezantimit për 19-vjeçarin shqiptar. Bare u zëvendësua në minutën e 59-të duke i lënë vendin Antoine Griezmannit. Përsa i përket finales së “Audi Cup”, goli i realizuar nga mesfushori fierak i dha avantazhin Atleticos, por Liverpooli rivendosi ekulibrat 8 minuta nga fundi kur Origi fitoi një 11 metërsh si pasojë e një kontakti me Gabin. Firmino nga pika e bardhë e dërgoi topin në fund të rrjetës. Gjithçka u mbyll në barazim dhe ky takim iu drejtua penalltive. Gabimi i kapitenit Jordan Henderson, i cili u ndal nga Moya u shfrytëzua plotësisht nga lojtarët e Atleticos dhe në fund ishte Filipe Luis ai që realizoi duke i dhuruar trofeun “los colchonerove”.