Kallashnikovët drejt Anglisë, për terrorin apo krimin e organizuar?

151

Saimir Çullhai ka refuzuar të tregojë se në duart e kujt do të binin tre kallashnikovët që ai kishte nisur me DHL nga Tirana drejt Londrës. Armët u zbuluan nga stafi i sigurisë në seksionin e mallrave në Aeroportin e Rinasit pak çaste para se të përfundonin në avion dhe vetë ai u gjet nga gjurmët e gishtave që kishte lënë në pako.
Por 32-vjeçari nga Shijaku ka preferuar të mbajë pozicion mohues. Nuk pranon të jetë personi që i ka organizuar trafikun. Kamerat e sigurisë së pikës së DHL-së në Durrës, nga ku u nisën pakot të premten, e kanë fiksuar, por ai thotë se vetëm i ka nisur pakot për llogari të dikujt tjetër. Rrjedhimisht, nuk ka si të flasë për pritësit e armëve.
Një tjetër i implikuar është shpallur në kërkim. Antiterrori në Shqipëri është vënë në kërkim të N.F, nga qyteti i Durrësit. Policia britanike dyshon se tre kallashnikovët shqiptarë do të përfundonin në duart e celulave terroriste ose në bandat e krimit të organizuar.
Vetëm muajin e shkuar, policia gjeti 79 armë të destinuara për në Angli, të fshehura në pako me pajisje motorike për makinat. Në Tiranë, antiterrori ka shtuar masat nisur nga sulmet terroriste në Londër dhe Barcelonë.Autoritetet nuk e kanë bërë publike adresën e personit që do t’i priste armët në Londër, por kanë vënë në alarm partnerët britanikë.
Në Britani, autoritetet dyshojnë se kallashnikovët mund të jenë porositur nga anëtarë celulash terroriste që kanë kontakte me bandat shqiptare. Përdorimi i tyre në sulme terroriste është pista e parë ku po hetohet, nisur edhe nga fakti se Londra është në shenjestër të terroristëve të ISIS. Por nuk përjashtohet mundësia që armët të mbeteshin në duart e kriminelëve shqiptarë që veprojnë në Angli, ku zotërojnë trafikun e drogës.

Identifikohet autori i dytë

Identifikohet autori i dytë i dyshuar si i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të armëve. Ai është shtetasi Neritan Faria, 42 vjeç, banues në Shijak. Faria është fqinj me Sajmir Çullhajn. Policia e ka shpallur në kërkim 42 vjeçarin, i cili dyshohet si autori kryesor i tentativës për trafikun e armëve nëpërmjet pakove të postës nga Shqipëria në drejtim të Britanisë së Madhe.
Pjesët e armëve automatike kallashnikov ishin mbështjellë me rroba dhe destinacioni i tyre përfundimtar ishte Britania. Ndaj tij ka dëshmuar sot edhe i arrestuari Çullhaj, i cili ka deklaruar se ishte ai që i kishte dhënë porosi për të dërguar pakot në postë.

Hetimet

Hetimet kanë zbuluan se të enjten në mesditë, Saimir Çullhai dhe fqinji i tij, Neritan Faria nga Shijaku, kishin dorëzuar në filialin e një poste të shpejtë në Durrës, tri pako në të cilat gjendeshin pjesët e kallashnikovëve. Të dy ata janë fiksuar nga pamjet e kamerave të sigurisë së filialit të postës. Kutitë postare mbanin emrat e dy të moshuarve Pajtim Rexhepi e Vangjel Tola. Të dy këta të fundit, kanë mbetur të çuditur, ndërsa janë pyetur nga policia. Ata nuk njiheshin me të arrestuarin dhe mikun e tij të shpallur në kërkim. Pakot mbanin si adresë dërgimi Londrën dhe emrin e dy personave në Britaninë e Madhe. Për këtë shkak, më parë zyrës së Skotland Yard, i është nisur një informacion policor.
Mediat britanike shkruajnë se autoritetet në Londër, që janë në alarm nga terrorizmi, dyshojnë se kallashnikovët mund të përdoreshin për sulme terroriste, ose nga grupe shqiptare të krimit të organizuar që veprojnë në Angli.

Gjykata “arrest me burg” për Çullhain

Gjykata e Tiranës dha dje masën e sigurisë “arrest me burg” për Saimir Çullhain, 32-vjeçarin nga Shijaku, i cili tentoi të dërgonte me postë në Londër tre pako me kallashnikovë. Çullhai tha para Gjykatës se, nuk e dinte se çfarë kishin brenda, pakot dhe se vetëm po ia postonte ato, një miku. “Nëpërmjet një mikut tim me emrin Tani, që më tha se do të çonte pako në Britani, shkova tek DHL-ja për t’i dorëzuar, por nuk e dija çfarë kishin brenda ato. Unë shkova me makinën e tij tek DHL-ja. Vetëm kur më arrestoi Policia, e mësova se çfarë kishin brenda pakot”, tha Çullhaj në gjyq.
Nga ana tjetër, burime nga Prokuroria thanë se, kanë prova të mjaftueshme që e përfshin këtë person në këtë veprimtari, ndërsa kanë nisur hetimet, në bashkëpunim edhe me autoritetet e huaja, për të zbuluar edhe personin që do të bënte pritjen e pakove në Mbretërinë e Bashkuar, emri i të cilit dyshohet të jetë i rremë. Sipas akuzës, Çullhai është fiksuar nga kamerat e sigurisë. Është parë targa e makinës që ka qenë Çullhai që ka dorëzuar pakot.
Saimir Çullhai u arrestua nga policia të shtunën, si dhe u shpall në kërkim një person tjetër, bashkëpunëtor në këtë tentativë për trafik ndërkombëtar të armëve luftarake në Rinas. Në njoftimin e policisë thuhej se u arrestua Saimir Çullhai, 32 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë për “Trafikim të narkotikëve”, si dhe u shpall në kërkim shtetasi N.F., 47 vjeç, banues në Durrës. Në kuadër të proçedimit penal të nisur për këtë ngjarje është bërë e mundur të dokumentohet veprimtaria kriminale e shtetasve të sipërpërmendur, të cilët në datë 23.08.2017 rreth orës 18:00 kanë bërë dërgimin e tre pakove me një prej agjensive të dërgesave postare, të cilat janë konstatuar gjatë skanimit në Aeroportin “Nënë Tereza”. Brenda pakove janë konstatuar tre armë zjarri automatik model 56, të çmontuara. Pakot kishin si destinacion Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas policisë, personit të arrestuar gjatë kontrollit fizik në momentin e arrestimit iu gjetën në trup 220 gramë lëndë narkotike kanabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të shpallur në kërkim u gjetën 4.5 kg lëndë narkotike kanabis sativa si dhe 32 bimë narkotike të kultivuara.

Armët drejt Anglisë, “Daily Mail”: Çullhai mori urdhër

Autoritetet shqiptare kanë zbuluar një komplot, ku tre pako me armë do të niseshin nga aeroporti i tyre dhe kishin për destinacion Britaninë e Madhe. Sipas Policisë, dyshimet ishin se armët do të përdoreshin për ndonjë sulm terrorist të mundshme, apo ishin pjesë e krimit të organizuar. Armët e llojit kallashnikov, ishin të fshehura në tri kuti postare. Stafi i sigurimit i gjeti armët në pjesën e ngarkesës së aeroportit të Tiranës para se ata të ishin ngarkuar, shkruan “Daily Mail”.
Ato ishin të mbështjellë në peshqirë dhe qese brenda kutive DHL që përmbante edhe rroba dhe letra. Policia anti-terror ka rritur vëzhgimin pas sulmeve terroriste në Londër dhe Barcelonë.
Zyrtarët nuk kanë zbuluar adresën e synuar të shpërndarjes, por thanë se kanë njoftuar homologët e tyre në Mbretërinë e Bashkuar.
I dyshuari për këtë rast nga autoritete shqiptare është Sajmir Çullhai, 32 vjeç, i cili u arrestua në Shqipëri pas konfiskimit të armëve. Thuhet se ai kishte marrë urdhra për të lëvizur armët tri ditë para se të dërgonte pakon të premten.
Ai ka refuzuar të japë më shumë detaje se nga vijnë armët, se për çfarë do të përdoreshin ose për marrësit e tyre të synuar. Detektivët gjithashtu po hetojnë një njeri i njohur me inicialet N.F. nga qyteti i Durrësit. Zëdhënësi i DHL-së nuk i është përgjigjur kërkesës lidhur me rastin në fjalë.