Flakët “djegin” qeverinë

Situata ka dalë jashtë kontrollit. Zjarret masive kanë pushtuar vendin nga Veriu në Jug e kanë shndërruar Shqipërinë si një “zonë të vërtetë lufte”. Përballë kësaj situate të vështirë, e cila ka shkrumbuar mijëra sipërfaqe pyjesh e kullotash e që po rrezikon seriozisht banesat dhe jetët njerëzore shteti është tërësisht inekzistent.
Në çdo vend të botës, një situatë e tillë alarmante do të kishte mobilizuar gjithë shtetin në mënyrë urgjente, e po me aq urgjencë do të ishte shpallur gjendja e emergjencës civile e Shtabi i Emergjencave Civile do të ishte aktivizuar menjëherë. Në Shqipëri, prej një muaji flakët e zjarrit kanë zhdukur mijëra hektarë pyjesh, duke shkatërruar parqe kombëtare e duke vënë përpara kullota, vreshta e ullishte.
Aktualisht, rezulton se nga 61 bashki në vend, shërbim zjarrfikës ofrojnë vetëm 38 prej tyre, ndërsa në 23 bashki shërbimi zjarrfikës nuk është funksional. Shqipëria prej një muaji është përfshirë nga flakët. Vetëm në 24 orët e fundit nuk është shënuar asnjë shuarje e vatrave të zjarrit, të cilat vijojnë të mbeten ende tani një kërcënim për të gjitha qarqet e vendit. Situata më e vështirë duket se është në Parkun Kombëtar të Llogarasë në fshatin Dukat.
Për shkak të terrenit, ndërhyrja e forcave dhe automjeteve zjarrfikëse ka qenë e pamundur. Në kushtet kur qeveria shqiptare është inekzistente dhe e paaftë në përballimin e situatës, duke mos garantuar dot i është drejtuar për ndihmë vendeve të Bashkimit Europian.

Banorët thirrje për ndihmë, askush nuk përgjigjet
Të gjitha qarqet janë nën pushtetin e flakëve. Pyjet e Tiranës, Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Durrësit, Beratit, Korçës, Gjirokastrës, Elbasanit thuajse janë asgjësuar. Dje, një tjetër vatër zjarri ka rënë në fshatin Kallarat në Vlorë. Pavarësisht përmasave të mëdha, ende askush nuk ka shkuar në vendngjarje për të shuar zjarrin. Banorët janë të tmerruar, pasi zjarri është shumë pranë banesave. Ndërkohë që banorët bëjnë thirrje për ndihmë të menjëhershme, pasi zjarri mund të shkrumbojë banesat.
Forcat e pakta të angazhuara nga shteti për shuarjen e zjarrit që kishte përfshirë Kodër Krastën në Elbasan dukeshin si qesharake. Të pamundura në shuarjen e flakëve ato sbënë gjë tjetër veçse i hapën rrugën flakëve të përpinin gjithçka që u dilte para. “Në  fshatin Krastë të Bashkisë Elbasan, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha, i favorizuar dhe nga era e fortë. Zjarri ka qenë aktiv gjatë gjithë natës dhe po punohet për shuarjen e tij”, informon përmes një njoftimi për shtyp Zyra e Emergjencave Civile, por ende zjarret vijojnë të mbizotërojnë këtë zonë dhe forcat e angazhuara nuk kanë bërë asnjë përparim drejt fikjes së flakëve.
Për të dalë nga situata dhe për të shpërqendruar vëmendjen e banorëve të shqetësuar, deputeti socialist Taulant Balla ka ngritur pretendime të paqena se zjarri ka qenë i qëllimshëm, ndërsa për të justifikuar mos ndalimin e flakëve, ai ka thënë se duhen më shumë forca të ushtrisë dhe zjarrfikëseve. Flakët e zjarrit kanë përfshirë një hapësirë të gjerë në Pogaj të Hasit. Mjetet zjarrfikëse nuk mund të hyjnë në zonë për shkak të terrenit të thyer. Vatra e zjarrit ka nisur në pjesën e përtej kufirit në Kosovë, duke u përhapur në fshatin Pogaj.
Ndërkohë, zjarri ka përfshirë edhe kodrat e fshatit Metoh në Mallakastër. Flakët e zjarrit kanë përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Prefekti i Qarkut Vasil Bregu tha se zjarrfikëset e kanë të vështirë të ndërhyjnë për shkak të terrenit malor. Megjithatë, forcat e zjarrfikëses si dhe banorët e fshatra po angazhohen për shuarjen e zjarrit me mjete rrethanore dhe se zjarri po shkon drejt shuarjes. Fshati Metoh ndodhet në kufi me fshatrat e Beratit.

Fier, vendgrumbullimi i mbetjeve tre ditë në zjarr, nuk ka asnjë reagim
Zjarri që përfshiu fushën e grumbullimit të mbetjeve urbane në Fier pak ditë më parë ka humbur intensitetin, por tymi që vazhdon të ngrihet në zonë ka detyruar banorët të lënë shtëpitë e tyre dhe të largojnë fëmijët. Zjarrfikësit, përveç ujit, po përdorin dheun për të mbuluar zjarrin. Shumë familje kanë larguar fëmijët nga banesa, ndërsa të tjerë janë larguar duke mbyllur shtëpinë apo biznese deri sa të mos ketë tym në ambjent. Banorët ankohen se këto plehra duhet të largohen. “Plehrat po bëjnë tre ditë që janë ndezur dhe nuk i fik njeri. Shikoni si është gjendja”. Bashkia Fier ka mbi një vit që e ka mbyllur fushën e depozitimit të plehrave urbane, duke shpallur emergjencën për ngritjen e një landfildi tjetër. Por planet e Bashkisë për fushë mbeturinash nuk janë konkretizuar edhe për shkak se banorët kanë kundërshtuar që landfildi të ngrihet pranë fshatrave të tyre.

Fondi i Emergjencave 1.2 milionë, euro por shpenzimet kryeministrore 30 milionë euro
Qeveria e Ramës ka lënë në mëshirë të fatit vendin nga rënia e zjarreve. Ky fakt vërtetohet po të shikosh fondet e qeverisë për Emergjencat Civile. Ndërsa në vitet 2013-2014 fondi i Emergjencave Civile ishte më shumë se 6 milionë euro, ose 775 milionë lekë, por për vitin 2017 ky fond u la nga Rama vetëm 164 milionë lekë. Ulja e tij filloi në vitin 2015, kur nën dirigjimin e Ramës, Fondi i Emergjencave u ul në 144 milionë lekë, ose rreth 1 milion euro, ndërkohë që Rama i shtoi këtij fondi dhe 20 milionë lekë të tjera gjatë përmbytjeve që ndodhën në janar-shkurt të këtij viti, duke e çuar në total në 164 milionë lekë.
Kjo është shuma që është parashikuar nga qeveria për Emergjencat Civile, ndërsa Shqipëria është përfshirë nga zjarret. Një shumë qesharake, sa gjysma e parave që Rama harxhoi për ekspozita në New York, Berlin apo Kinën e Largët, si pjesë e pasionit të hershëm të rinisë së tij, por që po e promovon sot, duke përfituar nga benefitet që i jep pushteti dhe administrimi i parave publike.
Por në rast se është treguar dorështrënguar për fondet e emergjencës për njerëzit në nevojë, Rama nuk shfaqet i tillë, përsa i përket shpenzimeve vetiake në Kryeministri. Në rast se për tre milionë banorë, ai ka akorduar vetëm 1.2 milionë euro për emergjencat e vitit 2017, për Kryeministrinë ka akorduar 30 milionë euro. Shpenzimet janë bërë për fusha tenisi në Kryeministri, kondicionerë (plot 530 mijë euro), 6.7 milionë euro për karrige dhe tavolina, se helbete këto që janë s’ia mbushin syrin liderit global, makina, rikonstruksion të vilës së Mehmet Shehut, që ai përdor për gjumin e drekës, dhe të tjera si këto. Pra, Rama shpenzon 30-fishin e fondit që jep për Emergjencat Civile, pasi më emergjente konsideron ngritjen e fushës së tenisit apo vendosjen e kondicionerëve të rinj nëpër ambjentet, ku rri ai dhe detashmenti i tij, ndërkohë që Shqipëria ndodhet në flakë.
Kryeministri harxhon rreth 45 mijë euro për çdo person në Kryeministri, ndërkohë që me ato para mund të shuheshin flakët e zjarreve, duke marrë mjete të specializuara nga jashtë shtetit.