Dekonspirohet operacioni i policisë, trafikantët braktisin 146 kg drogë

205

Dekonspirohet aksioni për kapjen e një trafikanti droge, i cili është kthyer mbrapsht, duke u këmbyer në rrugë me forcat e Policisë, që ishin nisur për ta arrestuar. Siç mësohet, mëngjesin e djeshëm uniformat blu kanë ndërhyrë në terren për të sekuestruar lëndën narkotike në zonën ku ishte raportuar më parë. Sasia e mallit narkotik prej 146 kg ka qenë e destinuar për t’u trafikuar, mirëpo ndërhyrja në kohë e policisë, bëri që plani të dështonte.
Dyshohet se organizatorët do ta trafikonin lëndën drejt Greqisë. Operacioni antidrogë ka kulmuar vetëm me sekuestrimin e sasisë narkotike, ndërkohë që poseduesi i saj është larguar nga vendngjarja përpara mbërritjes së policëve. Të 27 thasët e mbushur me kanabis kanë qenë braktisur në vendin e quajtur Mëllëz, në një hapësirë pranë fshatit Golem të Gjirokastrës. Kanabisi, sipas specialistëve të drogës, ka qenë në trajtën e gjetheve dhe kërcejve. Pas peshimit të saj, droga është sekuestruar, ndërkohë që janë shpallur në kërkim të autorit.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, bëhet fjalë për një person, i cili nuk është nga Golemi, por nga një fshat i Gjirokastrës, i cili kishte ardhur për të ngarkuar sasinë narkotike me xhipin e tij. Mirëpo, ardhja e policisë, bëri që ai ta braktiste atë dhe të largohej, duke u shkëmbyer madje edhe me mjetet e policisë që vinin në drejtim të Golemit.
Personi në fjalë është larguar pas një telefonate se në drejtim të zonës po mbërrinin forcat policore. Operacioni u dekonspirua, duke shpëtuar poseduesin nga arrestimi, ndërkohë që policia u mjaftua me sekuestron e kanabisit. Dyshohet se lënda narkotike është kultivuar në zonat përreth vendit, ku edhe u bllokua dje dhe se sasia do të kishte destinacion Greqinë. Për efekt hetimi, Policia nuk e bëri të ditur emrin e personit të dyshuar. Ndërkaq, janë marrë në pyetje disa banorë të zonës përreth, nëse ata kishin parë persona apo mjete të tjera të dyshimta në ditët e fundit.