300 investitorë të huaj ikën nga Shqipëria në 2016

Për herë të parë vitin e kaluar, numri i bizneseve të huaja në Shqipëri, jo vetëm që nuk u rrit, por shënoi rënie. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Instituti i Statistikave, në regjistrin statistikor të ndërmarrjeve. Sipas INSTAT në vitin 2016-ën u mbyllën ose ikën mbi 300 biznese të huaja nga Shqipëria. Më konkretisht nga 5939 biznese të huaja që ishin aktive në vitin 2015, një vit më vonë shifra ra në vetëm 5637 biznese. Të dhënat e detajuara, tregojnë se bizneset e mbyllura janë kryesisht greke ose italiane, dy vende të cilat kanë numrin më të madh të ndërmarrjeve në Shqipëri. Sipas INSTAT, numri i bizneseve greke është ulur me rreth 23 për qind dhe nga 675 që ishin në 2015, ra në 523. Po kështu, janë larguar edhe 74 biznese italiane si dhe 19 biznese nga Kosova. Mbyllja e bizneseve të huaja vjen pas një sërë anketash negative mbi klimën e biznesit në Shqipëri. Dhomat e investitorëve të huaj, si ajo gjermane, por edhe italiane kanë bërë publike një sërë anketash, sipas të cilave klima e biznesit në vend rezulton të jetë përkeqësuar veçanërisht në dy vitet e fundit. Në fund të vitit 2015, numri i ndërmarrjeve të huaja ishte më i lartë se në 2014-ën. Por viti i kaluar ka shënuar një pikë kthese, duke bërë që numri i bizneseve të huaja jo vetëm të mos rritet, por të shënojë rënie. Të dhënat e INSTAT tregojnë se, ndërmarrjet e huaja janë përqendruar kryesisht në sektorin e Call Centerave, fasonit dhe sistemin financiar. Megjithatë pjesa më e madhe e tyre, janë kryesisht biznese të vogla me nga 1 deri në 4 punonjës. Kjo tregon cilësinë e ulët të investimeve të huaja që mbërrijnë në Shqipëri.

Largimi në tre muajt e parë të 2017
Banka e Shqiprisë evidenton se tremujori i parë këtij viti ka pasur një rritje në trendin e investimeve të huaja edhe pse kjo rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë duket se është mjaft e vogël, ndërsa është shumë herë më e ulët sesa tre mujori i fundit i vitit 2016. Sipas bankës, kjo vlerë ka arritur në 168 milionë euro dhe sektori që ka pasur rritjen më të madhe ka qenë sektori i energjetikës dhe ndërtimi i HEC-ve me 41% pasur nga hidrokarburet me 37%, dhe ndërmjetësimi financiar me 6%. Shifrat tregojnë se në 2 vitet e fundit, fluksi hyrës është ndikuar nga nisja e punimeve të gazsjellësit TAP, ndërtimi i HEC-ve mbi lumin Devoll edhe pse ky rritëm nuk mund të vijojë me këtë trend, pasi projektet janë afatshkurtër dhe kërkohet një zgjidhje pas përfundimit të tyre për një diversifikimi në afatin e mesëm. Ndërsa sektori i hidrokarbureve është i varur nga bursat ndërkombëtare. Sipas raportit Botëror për investimet WIR 2017, Shqipëria po tërheq  investitorë tradicionalë dhe të rinj. Interes ka pasur nga investitorët kinezë, ku 12 kompani kanë shprehur interes për ndërtimin e rrugëve dhe në kërkimin e burimeve natyrore ku veçohet Geo Jade Petroleum bleu të drejtat për kontrollin e dy fushave naftëmbajtëse shqiptare me vlerë 422 milionë dollarë, si dhe kanë fituar koncesionin e Aeroportit “Nënë Tereza”.