Zjarret po i afrohen Tiranës, digjet pylli me pisha në Ibë

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat e fshatit Ibë në Tiranë, ditën e djeshme. Flakët e zjarrit kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe me pisha, pemë dhe shkurre dhe për shkak të erës rrezikojnë të përhapen edhe pranë zonave të banuara. Bëhet e ditur se përhapja e zjarrit rrezikon disa banesa. Sipas burimeve, zjarri pranë fshatit Ibë, në periferi të Tiranës po i afrohet Teatrit “Kame”. Mësohet se flakët mund të përhapen për shkak të erës, duke rrezikuar edhe shtëpitë e fshatit Ibë. Në vendngjarje, ka shkuar edhe ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj.
Një ditë më parë, një zjarr shkrumboi disa ha në masivin e malit të Dajtit, afër antenave celulare. Pylli i ndezur përbëhet nga drurë halorë, kryesisht pisha dhe bredha. Për shuarjen e flakëve u angazhuan edhe banorët e zonës, pasi forcat e zjarrfikëses dhe të Pyjores nuk mund të ndërhynin për shkak të terrenit të thyer.
Zjarret e ditëve të fundit, jo vetëm që po shkrumbojnë mijëra hektarë me pyje e kullota, por janë duke shkaktuar edhe dëme në rrjetin elektrik. Kështu, për shkak të rënies së zjarrit në nënstacionin e Rubikut, OSHEE njofton se ka qenë e detyruar të stakojë energjinë deri në shuarjen e flakëve. Po ashtu, OSHEE sqaron se ky vendim është marrë për të mos rrezikuar jetën e personelit të operatorëve që po punojnë për të vënë situatën nën kontroll. Ndërsa, mësohet se aktualisht janë pa energji zonat e Rubikut, Kaçinarit dhe Rrëshenit.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 12 vatra zjarri në Shkodër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Berat, Lezhë dhe Fier.
Në fshatin Hajdaran, Bashkia Elbasan, ka rënë zjarr në banesën e një shtetaseje. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë, duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj pjesërisht dhoma e gjumit, por nuk pati njerëz të lënduar. Në fshatin Kusarth, Bashkia Elbasan, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me hamullorë dhe ullishte. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë duke shuar zjarrin. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha hamullorë dhe u dëmtuan rreth 13 rrënjë ullinj.
Në fshatin Shumrizë, Bashkia Gramsh, ka rënë zjarr në magazinën e një shtetasi. Zjarrfikësit kanë arritur të shuajnë zjarrin. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.
Në fshatin Koplik i Sipërm, Bashkia Malësi e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, hamullore dhe bimë medicinale. U dogj një sipërfaqe rreth 1 ha shkurre, hamullore dhe 1 dynym bimë medicinale sherebel, në pronësi të një shtetasi.
Në fshatin Zgërdhesh, të Bashkisë Krujë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 4 ha me shkurre.
Në fshatin Frakull e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë me mjete dhe personel. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 2 dynym me shkurre dhe 20 rrënjë ullinj.
Në fshatin Moravë, Bashkia Berat, ka rënë zjarr në banesën e një shtetasi. Ndërhyrja e zjarrfikësve bëri të mundur shuarjen e flakëve. Nga zjarri u dogjën disa pajisje dhe orendi të shtëpisë.
Në fshatin Podgorie, Bashkia Maliq, ka rënë zjarr në 2 banesa të pa banuara. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë, duke shuar zjarrin. Si pasojë e flakëve, njëra nga banesat u dogj plotësisht, kurse tjetra pjesërisht.
Në fshatin Shullaz, Bashkia Kurbin, ra zjarr në një ndërtesë të pabanuar në pronësi të një shtetasi. Specialistët zjarrfikës kanë ndërhyrë dhe kanë shuar zjarrin.