Zjarret, Demiraj: Piromanët do të ndiqen rreptësisht, dënime të ashpra

Duke u nisur nga situata e rënduar e zjarreve, dhe rasti më i fundit në Ibë, ministri i Brendshëm Dritan Demiraj ka kërkuar ndihmën e banorëve që të kontribuojnë në parandalimin e zjarreve. Në një postim në Facebook, Demiraj paralajmëron të gjithë ata që vënë qëllimisht zjarre do të ndiqen rreptësisht dhe dënimet do të jenë të ashpra.
“Temperaturat e larta që janë shënuar gjatë ditëve të fundit në vendin tonë, kanë shtuar dukshëm mundësinë e përhapjes së zjarreve nëpër pyje përfshirë edhe pyjet në Parqet Kombëtare. Ngjarja e pasdites në kodrat e Ibës në Tiranë ishte shumë e rrezikshme për banorët dhe shtëpitë e tyre. Situata është nën kontroll dhe po punohet për fikjen e plotë të vatrave të zjarrit.
Ministria e Brendshme, Emergjencat Civile, shërbimet zjarrfikëse, Forcat e Armatosura, Viva Copter, pushteti lokal, etj., po punojnë me intensitet.
Me këtë rast apelojmë të gjithë qytetarët të kenë kujdes maksimal në parandalimin dhe sinjalizimin e zjarreve që cenojnë sigurinë Kombëtare. Piromanët do të ndiqen rreptësisht dhe dënimet do të jenë të ashpra, sipas ligjit. I bëj thirrje dhe banorëve që të kontribojnë gjithashtu në lajmërimin, kontributin dhe vendosjen e zjarreve nën kontroll”, shkruan Demiraj.