Zjarr masiv në malin e Dajtit, shkrumbohet pylli me pisha

Një zjarr masiv që ka rënë në vendin e quajtur mali i Derjes. Vatra e zjarrit gjendet në masivin e malit të Dajtit, afër antenave celulare, ndërsa pylli i ndezur përbëhet nga drurë halorë, kryesisht pisha dhe bredha. Për shuarjen e flakëve po punohet duke hedhur ujë me helikopter, ndërsa forcat e zjarrfikëses dhe të Pyjores nuk mund të ndërhyjnë për shkak të terrenit të thyer.
Ende nuk ka një total të sipërfaqes së prekur nga flakët. Helikopteri ka avantazhin që mund të furnizohet fare pranë në një rezervuar me ujë. Situata po ndiqet nga afër nga autoritetet lokale dhe strukturat e Emergjencave Civile.
Tetë vatra zjarri në vend janë ende aktive, por gjithsesi, 5 më pak se tre ditë më parë. Emergjenca Civile njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 8 vatra zjarri në Shkodër, Vlorë, Berat, Tiranë, Gjirokastër dhe Fier.
Vatrat e zjarrit në fshatin Lumzi dhe Lumbardhë në Fushë-Arrëz janë shuar. Shërbimi zjarrfikës, forca të pyjores, vullnetarë të mbështetur nga ajri dhe me helikopterë, pas disa orë punë kanë arritur të shuajnë flakët. Si pasojë është djegur një sipërfaqe prej rreth 5 ha me bredh, pishë dhe lis.
Në fshatin Beden, Kavajë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ullishte dhe pemë frutore. Pas 3 orësh punë, forcat zjarrfikëse ka arritur të shuajnë zjarrin plotësisht. Si pasojë është djegur një sipërfaqe rreth 22 ha me shkurre dhe ferra, 200 rrënjë ullinj dhe 40 pisha të reja.
Në fshatin Kuqar, Patos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra dhe ullinj. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë, duke mos lejuar përhapjen e flakëve. Nga zjarri është djegur një sipërfaqe rreth 5 ha me shkurre dhe ferra, si dhe 200 rrënjë ullinj e 50 rrënjë dardha.
– Në Qafën e Lalarit, Patos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Si pasojë është djegur një sipërfaqe rreth 2 ha me shkurre dhe ferra.
– Në fshatin Hamil, Fier, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. Si pasojë u dogj një sipërfaqe 1.5 ha me shkurre dhe ferra dhe 100 rrënjë ullinj të rinj.
Në fshatin Dukat, Vlorë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Si pasojë u dogj një sipërfaqe prej 1 dynym me shkurre e ferra.
Në fshatin Memias, Berat, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Nga zjarri u dogj një sipërfaqe me shkurre dhe ferra rreth 1.2 ha.
Në Vrisera, Gjirokastër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe 2 dynym me shkurre dhe ferra.