Veriu vijon të jetë zona më e varfër në Shqipëri

Veriu vijon të mbetet rajoni me Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë më të ulët në të gjithë Shqipërinë. Ndonëse me një rritje të lehtë në vitin 2015 falë kontributit të ekonomive të Lezhës, Shkodrës dhe Durrësit, PBB për frymë qëndron pak mbi 403 mijë lekë në vit, 92 mijë lekë më pak se mesatarja e të gjithë vendit.
Nëse nga aritmetika për llogaritjen e shumës do të përjashtonim Durrësin, atëherë shifrat për këtë rajon do të ishin edhe më të ulëta, nën 360 mijë lekë për frymë.
Edhe qarku më i varfër në Shqipëri, Kukësi, gjendet pikërisht në këtë rajon, me një mesatare prej 318 mijë lekësh në vit, në rënie nga viti i mëparshëm. PBB për frymë e këtij qarku është 35,7% nën mesataren e vendit. Për t’i dhënë një dimension të tretë shifrave të këtij qarku, mjafton t’i krahasojmë me mesataren e Shqipërisë (-177 mijë lekë) dhe mesataren e Tiranës (-360 mijë). Për nga PBB për frymë ndjekin si më të varfrat qarqet e Elbasanit, Lezhës, Dibrës dhe Shkodrës, ndërsa më të pasurat vijojnë të mbeten Tirana, Fieri, Gjirokastra dhe Durrësi. Më pas, me PBB-në për frymë më të ulët, renditet Qarku Elbasan me rreth 351 mijë lekë duke shënuar një rënie me 0,5% ndaj vitit 2014. PBB për frymë e këtij qarku është 29,2%, nën mesataren e vendit.
Qarku i Tiranës ka shënuar një rritje prej 5.5% krahasuar me vitin 2014 dhe PBB për frymë është 37% mbi mesataren e vendit. Ndonëse Qarku i Fierit ka patur rënien më të madhe për vitin 2015, PBB për frymë mbetet ende 11% mbi mesataren e vendit. Sa i takon ndryshimit nga viti në vit, të dhënat e INSTAT tregojnë se ekonomia po balancohet me ritme të ulëta midis Veriut dhe Jugut, ndërsa qendra e vendit ose më mirë të themi Tirana është motori i vërtetë që nxit rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Krahasuar me Standardin e Fuqisë Blerëse të Bashkimit Europian, edhe rajoni më i pasur në Shqipëri nuk shkon përtej 1/3 së mesatares së vendeve të unionit. BB për frymë në këtë standard për të gjithë vendin sa 29.6% e BE-së. Ata që banojnë në Tiranë kanë mesatarisht të ardhurat më të larta për frymë në Shqipëri, sipas raportit të fundit të INSTAT për Prodhimin e Brendshëm Bruro, sipas rajoneve statistikore. Tirana kishte të ardhura për frymë prej 679 mijë lekë në vitin 2015 dhe pati një rritje me 5,5%, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë e këtij qarku është 37,0% mbi mesataren e vendit. Më pas renditen Qarku Fier me 550 mijë lekë, duke shënuar një rënie prej 9,6%, ndaj vitit 2014. PBB për frymë e këtij qarku është 11,0% mbi mesataren e vendit. Pas Fierit renditen Gjirokastra, Durrësi, Vlora, Berati, Korça.
Për gjithë Shqipërinë, në vitin 2015 niveli i PBB-së për frymë është rreth 496 mijë lekë. Krahasuar me vitin 2014 PBB për frymë u rrit me 2,63%.  Në rajonin statistikor qendër, PBB për frymë është 679 mijë lekë dhe pati një rritje me 4,8%, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë e këtij rajoni rezultoi 20,1% mbi mesataren e vendit. Në rajonin statistikor veri, PBB për frymë është 404 mijë lekë, duke shënuar një rritje me 5,9%, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë e këtij rajoni është 18,5% nën mesataren e vendit. Në rajonin statistikor jug, PBB për frymë është 457 mijë lekë, duke shënuar një rënie me 3,3%, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë e këtij rajoni është 7,8% nën mesataren e vendit.