Vendimi i fundit si President i Nishanit, dekorimi i 11 martirëve

Ahmet ZANI

Presidenti Nishani dekoron “Martirë të demokracisë” të 11 heronjtë antikomunistë (pas vdekjes) nga familja Lala (Qypi) dhe pishtari i demokracisë për ish-të burgosurin politik të komunizmit Mark Alija përbën një akt të reflektimit të shtetit shqiptar mbi të vërtetën historike deri tani të deformuar të historisë. Për familjet dhe banorët e Kurbinit ky është një moment krenarie legjitime, por efektet e këtij nderimi janë sigurisht më të mëdha. Këto dekorata të z. Nishani janë në fakt piketa për historiografinë zyrtare, e cila do të jetë e detyruar të shkruajë për ta dhe në mënyrë të drejtë e të vërtetë. Vrasja në luftë me armë në dorë kundër shtetit komunist të 11 pjesëtarëve të një familjeje më 1952 është një sakrificë mbinjerëzore, por edhe prova që në Shqipëri ka pasur një rezistencë të fortë antikomuniste, e cila deri tani nuk është vlerësuar drejt dhe në përmasat reale të saj. Shteti, politika, shoqëria shqiptare ka detyrim ndaj këtyre martirëve antikomunistë që i vunë gjoksin diktaturës dhe derdhën gjakun e tyre për lirinë e demokracinë kur të tjerët zgjodhën të përulen apo edhe më keq të bashkëpunojnë me krimin komunist. Kjo ngjarje këta luftëtarë martirë të lirisë meritojnë shumë më shumë se kaq. Një medalje qoftë edhe nga kreu i shtetit, të cilin gjej rastin ta përgëzoj është shumë pak me nderin që këta burra të Malit të Bardhë i bënë vetes duke u flijuar për lirinë, demokracinë dhe dinjitet njerëzor.
Në këtë ceremoni asistuan deputetë nga Qarku Lezhë, drejtues nga Partia Demokratike, si dhe të afërm nga familja Lala, të cilët në emër të atyre që u flijuan, morën dekoratat e akorduar nga Presidenti Nishani. Ndue Lala ka përshëndetur në emër të familjarëve të martirëve.

Reagimi i familjarëve

Jam shumë i kënaqur nga vendimi i Presidentit Bujar Nishani në dekorimin e dhjetë martirëve nga familja Lala (Qypi), kështu është shprehur Ndue Lala tashmë 67 vjeç, fëmija më i vogël i Pjetrit i rënë në betejën e famshme të Bushneshit. Ndueja ka ardhur posaçërisht nga Amerika e largët të asistojë në ceremoninë e dekorimit të martirëve nga kjo familje e nderuar në Kurbin.
Ndue Lala më pesë maj të këtij viti investoi nga ceremonia e organizuar në qytetin e Laçit në përkujtim të këtyre martirëve. Pas vizitave në varrezat e të rënëve në fshatin Mali i Bardhë, më pas do të sillnin në kujtesë heroizmin e këtyre burrave, të vendosur kundra regjimit famëkeq, nga përpjekjet e tyre dhe rezistencën ndaj veglave të ish-sigurimit të asokohe. Por Ndue Lala ka treguar më shumë se një mesazh të veprës së babait të tij Pjetër Lala dhe veprimtarëve, të cilët u flijuan për kauzën.
Teksa bisedon me Nduen ai të tregon historinë e babait dhe burrave nga fisi Lala, por dhe mesazhi i tij është i fortë. “Jo vetëm fisi ynë tashmë i zgjeruar, por çdo shqiptar duhet të ruajë harmoninë, të respektojmë vlerat, sikurse të sjellim në kujtesë patriotizmin e martirëve” burrave që u martirizuan vetëm për demokracinë e brishtë.
Më së fundmi presidenti tashmë i larguar në ditët e fundit nga mandati i tij tregoi vullnetin e madh duke dekoruar këta patriotë nga fisi Lala (Qypi) në ceremoninë e organizuar nën kujdesin e degës së PD Kurbin dhe familjes Lala. Ndue Lala i entuziazmuar, nga dekorimi i babait dhe familjarëve nga ky fis, tregon se ka gjetur qetësinë e 27 viteve të shkuara.