Trafikantët e 30 tonelatave të drogës lirohen nga Xhafa

Të gjithë të arrestuarit për 30 tonelatat e drogës së kapur në Llakatund të Vlorës janë liruar me bekimin e Gon Xhafës, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas një informacioni të marrë nga një qytetar nga Vlora. Qytetari shkruan në mesazhin e dërguar Berishës se janë paguar 2 milionë euro për lirimin e të arrestuarve për 30 tonelatat e drogës.
“Në narko-shtetin e Noriegës droga nuk është krim, por meritë! Lirohen nga Xhafa trafikantët e 30 tonëve drogë të Llakatundit! Ata dhanë 1 milion euro?! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Nuk jam absolutisht me ju, por po ju shkruaj diçka që ndodhi dje në Vlorë. Të gjithë ata që u arrestuan në Llakatund dolën dje nga burgu me bekimin e Gon Xhafës dhe Ardian Çipës. Publikoje, kanë paguar 2 milionë euro”, shkruan qytetari nga Vlora.
Para tre ditësh, ish-Kryeministri Berisha publikoi mesazhin e një qytetari nga Vlora, i cili e informonte se ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa po i kalon pushimet e verës në plazhin privat të një trafikanti të drogës në Vlorë. “Xhafa i drogës pushon në plazhin privat të Ervin Tushaj, drekon dhe shëtit me skafin e këtij trafikanti?”, shkruante Berisha, në një postim në Facebook, duke publikuar mesazhin e qytetarit nga Vlora.
“Sasia prej 30 tonelata të drogës së sekuestruar në Llakatund ishte e klanit të Gon Xhafës. Njëri nga vëllezërit e këtij trafiku, Ervin Tushaj është pronari i plazhit “Vajana” në Vlorë. Aty ish-ministri Fatmir Xhafa pushonte dhe drekonte i shoqëruar nga vëllezërit Tushaj dhe vëllai i tij, Goni Xhafa dhe të gjithë sëbashku bënin xhiro me skafin e Ervin Tushajt në Vlorë dhe Karaburun”, shkruante qytetari.
30 tonelatat e drogës të sekuestruar në Llakatund të Vlorës u zbuluan nga SHISH dhe jo nga Policia. Burime nga organi i akuzës bënë të ditur se, kanë qenë punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror që kanë zbuluar tonelatat e drogës dhe më pas ka qenë ndërhyrja e Prokurorisë dhe Policisë për kapjen e sasisë rekord të kanabisit. Burimet e Prokurorisë bëjnë të ditur se, kjo sasi e madhe droge ishte e një klani të fuqishëm që ka lidhje me zyrtarë të lartë dhe ishte bërë gati për t’u trafikuar drejt Italisë.
Policia e Vlorës kishte dijeni për këto tonelata droge që do të trafikoheshin drejt Italisë, por nuk ndërhynte, pasi në këtë trafik ishin të përfshirë edhe zyrtarë të lartë të policisë. Ndërhyrja në kohë e Prokurorisë dhe Policisë bëri të mundur bllokimin e tonelatave të kanabisit, por jo baronët e drogës. Sipas të njëjtave burime, 15 tonelatat e drogës ishin gati për t’u vendosur nëpër skafe dhe për t’u dërguar në Itali, ku do të arrinte një vlerë prej të paktën 15 milionë eurosh, me një fitim afro 10 milionë euro për trafikantët shqiptarë.
Gjithçka ishte gati. Grupi kishte në përbërje të tij edhe një oficer policie, por rrjeti është disa herë më i madh”, thonë burime të Prokurorisë. “Peshqit e mëdhenj” sërish kanë shpëtuar. Hetimet e Prokurorisë vazhdojnë, bashkë me kontrollet në këtë zonë, që zbuluan sasi dhe mënyra të tjera të fshehjes së kanabisit, me fuçi plastike të groposura nën tokë.
Droga ishte e paketuar me iniciale. Prandaj inicialet janë të ndryshme për të ndarë edhe pronarët e lëndës narkotike. “Matrikullimi” i drogës, sipas prokurorëve që po hetojnë ngjarjen, është tregues se trafikantët kishin gjetur edhe tregun.
Policia bëri të ditur se janë sekuestruar 15 ton drogë, por në fakt sasisa e drogës së sekuestruar ka qenë 30 tonë. 15 ton janë fshehur nga policia dhe nuk dihet se ku ndodhen. Ishte drogë e kultivuar nga trafikantët në zonën e Llakatundit vitin që shkoi kur Saimir Tahiri, në atë kohë ministër i Brendshëm, deklaronte se ishte asgjësuar mbi 98 për qind e sipërfaqeve të mbjella me drogë.

R.POLISI