Të prapambetur edhe për teknologjinë e informacionit

Shqipëria është i vetmi vend në Europë me mesatare poshtë nivelit të mesatares botërore për sa i përket indeksit të zhvillimit të teknologjisë. Shqipëria renditet e fundit nga 40 shtetet europiane për sa i përket zhvillimit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit sipas Indeksit të Zhvillimit të TIK për 2016-n, publikuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (International Telecommunication Union -ITU). Në total, indeksi ka renditur 175 ekonomi, ku Shqipëria renditet e 91-a, 10 vende më larg se Bosnja, e renditur e parafundit në rajon. Krahasuar me 2015-n, vlera e indeksit të teknologjisë është përmirësuar nga 4.62 në 4.92 më 2016-n. Në krahasim me një vit më parë, progresi më i madh është bërë me qasjen në internet dhe me rritjen e numrit të shtëpive që kanë një kompjuter. Norma e penetrimit e transmetimit me anë të kabllove të të dhënave u rrit nga 6.5% më 2014 në 7.6% më 2015. Çmimi për lidhjet kabllore të internetit ranë nga 29.79 dollarë më 2008-n në 9.52 dollarë më 2015-n. Çmimet e paketave të kompanive celulare ranë nga 32.13 dollarë në 6.35 dollarë më 2015. Edhe çmimet e paketave të internetit ranë nga 2012 më 2015. Rritja e numrit të përdoruesve të telefonisë celulare nga 30.9% më 2014 në 40.6% më 2015-n, kryesisht u nxit nga prezantimi LTE dhe LTE-A.