Të parët në botë për përdorimin e kokainës

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar pas publikimit të Raportit Vjetor të Drogave 2017, ku Shqipëria është në vendin e parë në botë për përdorim të kokainës. Në një postim në Facebook, Berisha ka bashkangjitur një foto, ku Edi Rama duket me sy të perënduar para mikrofonit. “Rekordi botëror më i fundit i Norieges: Shqipëria zë vendin e parë në botë për përdorim kokainë! Kështu njofton zyra e OKB për drogën. Aferim more Edvin, e bëre Shqipërinë fanar droge në botë!”, shkruan Berisha.
Të dhënat u publikuan në Raportin Vjetor të Drogave 2017, ku Shqipëria rezulton si vendi që ka prevalencën vjetore më të lartë të përdorimit të kokainës në botë.
Shqipëria, përveçse një prej vendeve kryesore të prodhimit të kanabisit e trafikimit të kokainës, ka dhe përdorimin më të lartë të kokainës në botë mes grupmoshave 15-64 vjeç. Këto janë përfundimet e një sërë raportesh për drogën të Zyrës për Drogën dhe Krimet të Kombeve të Bashkuara (UNODC).
Sipas të dhënave të vitit 2014 të dhënat e fundit për Shqipërinë lidhur me përdorimin e drogës -përdorimi i kokainës është i përhapur në 2,5 për qind të popullsisë. Në vend të dytë renditen Shtetet e Bashkuara me një përhapje prej 2,3 për qind.
Shqipëria ka një përhapje të përdorimit të hashashit në 5,6 për qind të popullsisë, më e larta në rajon. Shqipëria ka përhapje të ulët të përdorimit të amfetaminës (0,1 për qind) dhe ekstazisë (0,2 për qind).
Shqipëria është një ndër dy vendet kryesore të trafikimit të kanabisit në Evropë, së bashku me Holandën. Në vitin 2014, Shqipëria prodhoi 540 tonë kanabis dhe rreth 550 mijë bimë kanabisi u çrrënjosën.
Grupet kriminale shqiptare janë shumë të përfshirë në trafikimin e të gjithë drogave: heroinë, kokainë, kanabis. Kanabisi në formë rrëshira dhe heroina afgane kalojnë nëpërmjet Shqipërisë për t’u shpërndarë më pas nëpër Evropë.

Lulzim Basha: Droga dhe krimi, alternativa qeverisëse e Ramës

Një tjetër rekord famëkeq për vendin tonë: Shqipëria është e para në botë për përqindjen në përdorimin e kokainës për banor. Zyra e Kombeve të Bashkuara për drogën dhe krimin sapo botoi një raport që pohon me fakte atë që ne kemi denoncuar pa pushim këto vite, se Shqipëria është një ndër vendet kryesore në botë të prodhimit dhe trafikimit të drogës. Dhe se droga ka hyrë tashmë në familjet e shqiptarëve të cilët po kthehen në përdorues droge. Me gjakftohtësi kriminale Edi Rama ju dha shqiptarëve alternativën e drogës dhe jo të punës dhe investimeve. Pasojat e këtij veprimi antikombëtar tani kanë filluar të ndihen kudo. Edi Rama di të qeverisë vetëm përmes grabitjes dhe drogës. Droga dhe krimi po shkatërrojnë të ardhmen tonë, prandaj duhet të bëhemi të gjithë bashkë kundër tyre.