Të gjithë duan Mbappe, Monaco denoncon në FIFA

Pas sezonit të jashtëzakonshëm që zhvilloi edicionin e kaluar, emri i Kylian Mbappe ka përfunduar në krye të listave të merkatos të shumë skuadrave të mëdha europiane. Për sulmuesin 19-vjeçar të Monaco është hapur një ankand i vërtetë me Arsenalin e Wenger që është gati të ofrojë mbi 100 milionë euro dhe PSG që dëshiron me çdo kusht që të marrë në Paris talentin që është rritur në rrethinat e kryeqytetit francez, në Clairefintaine. Diçka që padyshim nuk është se i pëlqen shumë Monaco që ka vendosur të thotë mjaft. Pasi iu ka rezistuar sirenave të merkatos, klubi i Principatës iu kërkon ndihmë organeve të futbollit botëror duke iu drejtuar FIFA-s me një komunikatë zyrtare në të cilën shkruan:
“Monaco sinjalizon me hidhërim se disa skuadra të rëndësishme kanë kontaktuar Kylian Mbappe dhe stafin që e menaxhon atë pa autorizimin e klubit. Monaco kujton se këto veprime janë në kundërshtim me nenin 211 të rregullores administrative të Ligës franceze dhe nenit 18.3 të rregullores së transferimeve të FIFA-s. Me synimin për t’i dhënë fund kësaj situate të papranueshme, Monaco i kërkon Ligës franceze dhe FIFA-s që të ndëshkojë ata që veprojnë në kundërshtim me këto rregulla”.
Monaco synon që mbi të gjitha të mos lejojë kalimin e Mbappe te PSG, pasi do të përforconte një rival direkt, flitet se Manchester City është gati të ofrojë 140 milionë euro për talentin, por ndërkohë te Monaco për të frenuar entuziazmin e klubeve që kërkojnë sulmuesin ka vendosur për të një çmim prej 190 milionë eurosh, shumë që mund të konsiderohet e ekzagjeruar edhe për një nga klubet më të pasura të Europës siç është Reali i Madridit.