Takimi i dytë Trump-Putin pjellë e fantazisë

President Donald Trump meets with Russian President Vladimir Putin at the G20 Summit, Friday, July 7, 2017, in Hamburg. (AP Photo/Evan Vucci)

Kështu i ka konsideruar Presidenti amerikan Trump lajmet e rreme të mediave që për çdo ditë sajojnë trillime në lidhje me aktivitetin e tij.
Sipas tyre, Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin, kanë zhvilluar një takim të dytë mes tyre që nuk ishte bërë publik më parë, gjatë takimit të Grupit të Njëzetëshes në Gjermani.
Të martën në mbrëmje zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë konfirmuan se biseda mes dy udhëheqësve u zhvillua gjatë një darke zyrtare të G20.
Po ata nuk dhanë asnjë detaj se çfarë është biseduar në takimin që zgjati rreth një orë.
Në një reagim të tij në Twitter presidenti Trump hodhi poshtë njoftimet në shtyp për një “darkë sekrete” me presidentin Putin.
Takimi i parë mes dy udhëheqësve zgjati më shumë se dy orë. Presidenti amerikan tha se zoti Putin mohoi përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar.
Por agjencitë amerikane të zbulimit kanë bërë të ditur se nuk ka dyshim rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhje.
Një prokuror i posaçëm po përpiqet të përcaktojë nëse zyrtarë të fushatës së zotit Trump bashkëpunuan me Moskën me qëllimin për të ndërhyrë në proces.
Zyrtarë të lartë amerikanë dhe rusë zhvilluan të hënën bisedime në Uashington që u cilësuan si “të vështira”. Sipas një deklarate të djeshme të Departamentit të Shtetit, puna duhet të vazhdojë.
Nënsekretari amerikan i Shtetit, Thomas Shannon dhe zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov zhvilluan dje bisedime mbi shqetësimet e përbashkëta të të dy vendeve.
Zyrtarët amerikanë i cilësuan bisedimet si “të vështira, të drejtpërdrejta që pasqyronin angazhimin e të dyja palëve drejt një zgjidhjeje”.
Në takim u diskutua rreth çështjes së dy objekteve ruse në Shtetet e Bashkuara. Ish-presidenti Obama urdhëroi mbylljen e tyre në dhjetor, pasi agjencitë amerikane të zbulimit arritën në përfundimin se Moska ishte përpjekur të ndërhynte në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar.
Të dyja palët ranë dakord të takohen sërish, por ende nuk është caktuar ndonjë datë.