Sot firmos me PSG

Plot 15 minuta të kaluara në dhomat e zhveshjes së Real Madridit pas fitores 3-2 të Barcelonës në Miami, duket se kanë mjaftuar për të ushqyer spekulimet frenetike që po shoqërojnë këtë merkato verore lidhur me të ardhmen e yllit brazilian, Neymar. Sulmuesi 25-vjeçar tashmë duket të jetë shumë pranë kalimit te klubi i sheikut Al Khelaifi, që për të do të paguajë plot 220 milionë euro dhe veprimi i Neymar duke marrë fanellat e Sergio Ramos dhe Casemiro apo bisedat e gjata me Julio Baptistan në ambientet e stadiumit “Hard Rock” mbrëmjen e së shtunës, përkthehet nga të gjitha mediat si një lamtumirë. E nëse këto do të ishin imazhet e fundit të Neymar si një lojtar i Barcelonës atëherë për Realin ky do të ishte një lajm i mirë.
Për ta konfirmuar këtë mendon dhe e përditshmja e Katarit, “Al Watan” që tregon se ditën e martë sulmuesi do të kryejë ekzaminimet mjekësore në Katar për ekipin e Paris Saint Germain. Neymar nuk i është bashkuar grupit katalanas për kthimin në Spanjë, por ka udhëtuar për në Kinë ku po angazhohet në një spot publicitar, e prej andej do të udhëtojë për në Katar ku pritet të mbërrijë të martën, për t’u takuar me Presidentin e klubit nga Parisi, sheikun Nasser Al Khelaifi. Ky padiskutim që do të jetë transferimi më i bujshëm i kësaj merkatoje.
Nëse sheiku nga Katari, Al Khelaifi mendon se 222 milionë eurot e klauzolës do të mjaftojnë për ta shkëputur Neymar nga Barcelona, ndoshta gabohet. Sipas mediave katalanase, klubi blaugrana i ka kërkuar PSG një nga yjet e skuadrës për të ndezur dritën jeshile dhe këtu nuk bëhet fjalë për lojtarë të dorës së dytë. Dy asistet e Neymar në El Clasicon amerikane mund të jenë prekjet e fundit të topit me Barcelonën që synon të afrojë një prej yjeve të PSG. Di Maria, Draxler, Rabiot ose Verratti, gjithçka do të varet nga fjala e fundit që do ta thotë trajneri Valverde, por edhe nga dëshira e presidentit Josep Maria Bartomeu. Mes katër emrave të propozuar nga Barcelona, pista më e vështirë duket ajo që të çon te mesfushori italian duke qenë se PSG e konsideron të pashitshëm.
Nuk dihet ende nëse njëri prej lojtarëve të kërkuar do të përfshihet në çmimin e shitjes së Neymar, por e sigurt është që presidenti katalanas po bën gjithçka për të mos lejuar transferimin e brazilianit në Paris, pasi në këtë mënyrë imazhi i Barcelonës do të binte ndjeshëm. Në krahun tjetër, PSG po përdor një taktikë të njohur. Al Khelaifi shpreson që miku i tij, Dani Alves të arrijë ta bindë Neymar të pranojë ofertën stratosferike. Në Paris, sulmuesi brazilian do të përfitonte rreth 30 milionë euro në sezon dhe mbi të gjitha do të ishte lideri i padiskutueshëm i ekipit, ndryshe nga aventura e tij në Barcelonë që vazhdon të jetë e mbuluar nga hija e Lionel Messit.
Ndërkohë, Barcelona ka kthyer sytë nga Mesut Ozil. Siç bëjnë të ditur mediat spanjolle, alternativa e parë ndaj Philippe Coutinho-s për Barcelonën është Mesut Ozil. Futbollisti i Arsenal-it mund të lërë Topçinjtë këtë verë, me katalanasit që janë gati të paguajnë deri në 60 milionë euro për kartonin e gjermanit që në të kaluarën ka luajtur me rivalët e Realit të Madrid-it.