1 milion litra naftë e refuzuar nga Kosova shitet në Shqipëri

Nafta e destinuar për t’u eksportuar në Kosovë, pas disa ditësh qëndrimi në kufi, është rikthyer në Porto Romano të Durrësit, për shkak të mungesës së cilësisë. Tre laboratorë në Kosovë e nxorën karburantin të papërdorshëm. Administrata Doganore shqiptare ka konfirmuar për “Vizion Plus” se, janë gjithsej 6 bote me naftë, të cilat pala kosovare pretendon se nuk përmbushin një nga elementet e cilësisë. Sipas këtij institucioni, ky është një konflikt mes shitësit dhe blerësit dhe deri sa të dy palët të zgjidhin pretendimet e tyre, dogana nuk mund të ndërhyjë.  Tashmë pritet të këtë edhe një analizë të dytë për sasinë që do të eksportohej, me qëllim për të marrë një vendim përfundimtar. Por kthimi i naftës nga Kosova dhe rezultatet e laboratorëve atje, ngrenë pikëpyetje mbi ndryshimin e cilësisë së naftës nga importi në eksport. Tregu shqiptar i hidrokarbureve në vend është shoqëruar gjithmonë me dyshime, të cilat shpesh herë janë mbështetur edhe me deklarata zyrtare të institucioneve, se nafta në vend ka probleme të theksuara me cilësinë. Ky fakt vjen si pasojë e përzierjes që i bëhet produktit që vjen nga importi, me naftën që prodhohet në vend apo me lloje të tjerë holluesish, duke rritur artificialisht sasinë. Konflikti i krijuar mes dy bizneseve, atij shqiptar dhe atij kosovar, nuk është gjë tjetër veçse një dëshmi që tregu i hidrokarbureve vijon të ketë probleme të theksuara sa i takon kontrollit, duke dëmtuar rëndë konsumatorët dhe mjetet.

Rezultatet lobaratorike të Kosovës

Më shumë se 1 milion litra naftë e cilësisë shumë të dobët gati prej një jave u bllokua në terminalin doganor në Morinë, pasi nga analizat e bëra në laboratorin e Doganës, si dhe në dy laboratorë privatë të akredituar në Kosovë, ka rezultuar se nafta në fjalë nuk i plotëson kriteret e parapara në vendin tonë. Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci, konfirmoi për gazetën “Zëri” se numri i mauneve me naftë jocilësore, të bllokuar në terminalin doganor në Morinë ishte rreth 40.
Por, pavarësisht se në tri analizat e bëra në vendin tonë, nafta në fjalë ka dalë të jetë jashtë parametrave, me insistimin e pronarëve të kompanive, të cilëve u është bllokuar nafta, Dogana i ka dërguar mostrat për superanalizë në Maqedoni, e ku ka dyshime të manipulimit të tyre.
Gazeta “Zëri” nga Dogana e Kosovës ka kërkuar më shumë informacione për naftën e bllokuar në kufij, por ata pos konfirmimit të bllokimit të një sasie të madhe të naftës nuk kanë dhënë detaje më të hollësishme.
Jo zyrtarisht mësohet se nafta e bllokuar gati prej një jave në terminalin doganor ka qenë e destinuar për “HIB Petroll”-in, “Lab Oil”-in dhe “Ex Fis”-in.

Nafta, jocilësore

Gazeta ka kërkuar informacione edhe nga laboratorët, të cilët kanë bërë analizat e naftës, por nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje. Por jozyrtarisht gazeta “Zëri” ka mësuar se nafta e bllokuar është e cilësisë shumë të dobët. “Është naftë e cilësisë tepër të ulët apo gati naftë industriale”, ka thënë një burim i gazetës “Zëri”.
Në anën tjetër Ibrahim Bucaliu, nga “HIB Petrol”-i, thotë se vazhdimisht kanë kërkuar që të ketë kontroll të cilësisë. “Ne vazhdimisht kemi kërkuar që të vendoset kontrolli në sektorin e naftës. Shpresojmë që kësaj radhe të funksionojë”, ka thënë Bucaliu për gazetën “Fjala”. Po ashtu, edhe Raif Gashi nga “Lab Oil”-i e ka quajtur procedurë deri-diku normale aksionin e Doganave, por ka thënë se dyshon në profesionalizmin e tyre, ka raportuar gazeta “Fjala”.

70% e naftës në Shqipëri nga kompania e ortakut të Ramës

Gjysma e prodhimit në fushat e Patos-Marinzës hidhet për tregun vendas, e cila shitet si naftë importi. Në një shkrim të revistës “Monitor” bëhet me dije se, për vitin 2017 50% e naftës së prodhuar nga Bankers Petrolium i është shitur kompanisë “Ionian Refining & Trading Co. – IRTC SH.A” (IRTC), pas së cilës qëndron biznesmeni klient i Edi Ramës, Besnik Sula i “Tajvanit”. Sasia për vitin 2016 e naftës së nxjerrë ka qenë rreth 1.2 milionë tonë naftë, ndërsa sivjet pritet që të ulet me 1 milion tonë. Më parë, thuajse e gjithë sasia që prodhohej shkonte për eksport, pasi ARMO, e cila ka ndryshuar emrin në IRTC, nuk kishte kapacitet dhe teknologji përpunimi për shkak të cilësisë së ulët të saj. Ndërkohë që IRTC vazhdon me teknologjinë e vjetër të ARMO, Bankers Petroleum po shet naftën e Patosit për përpunim tek kjo firmë. Më pas, kjo e fundit e hedh në tregun vendas, në formën e përpunuar të naftës apo benzinës, por që është shumë më e ulët në cilësi se nafta e importit. Nuk janë pak, por rreth 500 mijë tonë naftë ose sa 60 deri në 70 për qind e konsumit vjetor. Pra, në rast se keni problem me cilësinë e karburantit, duhet ta dini që nuk është faji i pikave, por makutëria e Kryeministrit dhe e klientëve të tij, ka sjellë këtë situatë monopol që po na kushton jo pak.