Sistemi aktual zgjedhor, stimulon blerjen e votës dhe manipulimet

Sistemi aktual zgjedhor, pra ai proporcional rajonal i ndarë në 12 qarqe tregoi se nuk është ai sistem zgjedhor që i duhet këtij vendi dhe që lë mjaft shteg për abuzime, blerje vote, por dhe zhvlerësim të rëndësisë së votës. Shumë zona mbeten pa përfaqësim, dhe deputetët janë nën varësinë e kryetarëve të partive, të cilët mund t’i lëvizin si gurë shahu nga një zonë në tjetrën. Partia Demokratike dhe kreu i saj Basha ka kërkuar me kohë korrektimin e sistemit. Që në tetor të vitit 2016 u hodh ideja e një sistemi tjetër, i cili do shtonte forcën e përfaqësimit të popullit në Parlament dhe do pakësonte, ata që quhen deputetë parazitë dhe abuzivë, të cilët pasi marrin mandatin nuk duken më në zonat e tyre. Kjo natyrisht kërkon ndryshime kushtetuese që kërkon një shumicë të cilësuar votash, ashtu siç u bë dhe në vitin 2008, kur Rama kërkoi sistemin zgjedhor aktual dhe që u pranua nga mazhoranca e asaj kohe.

Mazhoritari

Më datë 22 qershor,  vetëm tre ditë para zgjedhjeve kreu i PD-së Lulzim Basha, hodhi idenë e  mazhorit të pastër në zgjedhjet e ardhshme, pra me vetëm 100 deputetë dhe me votim elektronik. Madje reformimi i sistemit zgjedhor është dhe një pikë e marrëveshjes së 18 majit, që do të garantonte zgjedhje të lira, por që Rama e shkeli sapo ajo u firmos nga të dyja palët. Menjëherë pas saj, Rama do lëshonte sekserët dhe paratë e drogës, shtëpi më shtëpi në orët e vona të natës për të blerë vota, karta identiteti dhe të tjera si këto. Sipas OSBE-së në këto zgjedhje të paktën 5% e vullnetit të zgjedhjeve është manipuluar me anë të makinacioneve të ndryshme, që burimin e kanë tek paraja dhe blerja e votës. Ekspertët janë të mendimit, se mazhortari do reduktonte ndjeshëm këtë fenomen, por sërish janë të mendimit që duhet dhe një përfaqësim për pakicat,  të cilat në sistem të pastër me 100 deputetë do mbeteshin të papërfaqësuara, pasi boshti elektoral në këtë vend rrotullohet rreth të majtës dhe të djathtës, dhe partitë e tjera kanë fare pak shanse apo aspak përfaqësimi. Sipas tyre, bëhet fjalë kryesisht për partitë e minoritetit që në një sistem demokratik duhet t’u garantohet përfaqësimi në Kuvend.

Sistemi aktual

Po përse sistemi aktual stimulon në masë  kaq të madhe blerjen e votës. Një prej arsyeve kryesore është se kandidatëve e listave nuk punojnë on block. Ka ndodhur jo në pak raste, që ata që në bazë të përllogaritjeve e kanë të sigurt mandatin e deputetit, të punojnë pak ose aspak në fushatë elektorale. Nga ana tjetër, kjo sjell dekurajim të elektoratit, i cili e shikon veten të papërfaqësuar me listën që i kanë dërguar për të votuar. Ose tjetra, kandidati i tij i preferuar mund të jetë jashtë kufirit të fitores dhe kjo nuk e motivon për të votuar, sepse ai gjithsesi e di që ai nuk do të jetë fitues, ose ndodh që vota e tij të shkojë për dikë tjetër që nuk është i preferuari i tij. Në këto kushte, duke parë që sido që të bëjë, pra ta hedhë ose jo votën, ai sërish nuk fiton është më e lehtë të bjerë pre e sekserëve, të cilët në jo pak raste  manipulojnë me këtë fakt. Nga ana tjetër, pushteti e ka shumë më të lehtë të manipulojë, pasi në fund të listave mund të verë drejtorët e tij që premtojnë ndere ose qedere. Faktet kanë treguar se në këtë sistem vota mund të blihet dhe fajtori nuk mund të kapet. Ka ndodhur dhe në vitin 2013, ndodhi dhe tani në vitin 2017 dhe do të ndodhë në çdo palë zgjedhje në rast se nuk ndryshohet sistemi.

Roli i kandidatit në sistemin mazhoritar

Por cili është roli i kandidatit në sistemin mazhoritar. Në këtë sistem, kandidati është dhe garues dhe rojtar i votës së tij, por dhe përfaqësues i elektoratit. Le të marrim një shembull. Në vitin 2001, Partia Demokratike megjithëse vinte nga viti 1997, fitoi pushtetin në shumicën e zonave, pavarësisht se u manipulua më pas nga pushteti. Në garën e drejtpërdrejtë ajo arriti të siguronte 16 deputetë direkt ndërsa 37 zona ku pjesa dërrmuese ishin fitues kandidatët e PD-së shkuan në balotazh, ku rezultuan deformime dhe manipulime nga më të përbindshmet. Kandidatët vetë, i regjistruan dhe dokumentuan të gjitha rastet dhe i dërguan ankimimet e tyre në KQZ dhe Gjykatë Kushtetuese (roli i këtyre dy institucioneve ishte tmerrësisht negative, më shumë se 24 mandate u tjetërsuan atje). Në këto kushte komuniteti ndërkombëtar i vuri disa kushte aso kohe mazhorancës së majtë, e cila u detyrua të bënte lëshime në disa institucione kyçe të vendit.  Në rastin e proporcionalit rajonal kemi dy skaje kufijsh. Të parët janë ata që janë në krye të listës që janë të sigurt për mandatin e tyre, dhe të dytët janë ata që janë jashtë vijës së fitores. Të vetmit që punojnë fort janë ata që janë mes humbjes dhe fitores, por që gjithmonë mbeten në minorancë. Kjo bën që zona dhe krahina të tëra të mbeten të pambuluara.

Sistemi elektronik dhe identifikimi biometrik

Një pikë tjetër që duhet të ndryshohet në sistemin zgjedhor e kërkuar nga Partia Demokratike është sistemi elektronik dhe identifikimi biometrik i zgjedhësve. Kjo do sillte reduktimin e fenomenit të blerjes së kartave të identitetit. Sepse në jo pak raste ka ndodhur, që atje ku nuk kanë mundur të bindin elektoratin kundërshtar të votojnë, të majtët kanë mbledhur kartat e identitetit kundrejt shumave të caktuara dhe i kanë dorëzuar ato më pas. Identifikimi biometrik i zgjedhësit do ja hiqte këtë mundësi abuzuesve dhe do bënte të mundur votimin e çdo qytetari në mënyrë të lirë dhe të pavarur. Votimi elektronik, nga ana tjetër heq çdo mundësi të identifikimit të votës, dhe ul në minimum abuzimet dhe manipulimet me to, si dhe bën të mundur nxjerrjen në kohë të shkurtër të rezultatit. E ndërthurr me sistemin mazhoritar në këtë rast, votimi elektronik bën të mundur reduktimin në maksimum të blerjes së votave apo dekurajimit të elektoratit.

Opozita kërkoi votimin elektronik që një vit para zgjedhjeve

Nga ana e saj, opozita që në vitin 2016 ka kërkuar ndryshim të Kodit Zgjedhor dhe të mënyrës së votimit, duke u mbështetur dhe në rekomandimet e OSBE/ODHIR, por ato asnjëherë nuk u morën në konsideratë. Rama në opozitë kërkonte thuajse në çdo palë zgjedhje, ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe jo vetëm implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por dhe kërkesa nga më absurdet. Në vitin 2007, bllokoi zgjedhjet për disa muaj për shkak të një kërkese në lidhje me çertifikatat. Në vitin 2008, kërkoi ndryshim të sistemit zgjedhor, në vitin 2012 kërkoi sërish ndryshime të tjera e kështu me radhë. Kodi Zgjedhor vetëm kur ka qenë Rama në opozitë ka pësuar katër herë ndryshime, nga ku vetëm për vitet 2007-2009, u ndryshua dy herë. Por çfarë ndodhi sapo Rama mori pushtetin? Problemet zgjedhore u lanë pas dore dhe kërkesat e opozitës nuk u implementuan asnjëherë. Nuk u morën parasysh rekomandimet e OSBE/ODIHR, të lëna si detyrë në vitin 2013. Edi Rama në delir nga marrja e pushtetit, kishte harruar kërkesat e tij në opozitë. Në këto kushte u organizuan tre palë zgjedhje deri më tani me Ramën si arbitër. Ato të vitit 2015 dhe zgjedhjet në Dibër dhe Ersekë. Në të tria këto zgjedhje, manipulimet ishin të dukshme. Në zgjedhjet e 2015, u vu re blerje masive e votës dhe deformim i saj. Duke shfrytëzuar varfërinë e njerëzit, skuadrat mavi u lëshuan të blinin vota. Atje ku nuk kishin besim mbanin peng kartat e identitetit, pasi kryenin pagesën. Rastet e Korçës, Kamzës, Elbasanit, por dhe Tiranës me komunitetin rom dhe atë egjiptian flisnin për një masakër elektorale nga ana e mazhorancës. Më tej, zgjedhjet e Dibrës dhe ato të Ersekës konfirmuan dhe një herë se Rama, nuk di të arbitrojë një proces zgjedhor, por di vetëm t’i vjedhë ato.

OSBE/ODIHR kërkon ndryshimin e Kodit Zgjedhor

Rekomandohet që çdo zbatim i projekteve pilot SEV dhe SEN të përcaktuara me ligj, të fillojë kohë më parë sesa zgjedhjet e ardhshme, duke përfshirë përgatitje të domosdoshme të tilla si miratimi i akteve nënligjore të detajuara dhe testimi i sistemeve. Autoritetet dhe partitë politike mund të konsiderojnë marrjen e hapave më të vendosura për të siguruar që nuk ushtrohet presion mbi punonjësit e sektorit publik, aktivistët politikë, si dhe persona të tjerë për të marrë pjesë në veprimtarinë e fushatës ose për të votuar në një mënyrë të caktuar.
Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet në mënyrë që të eliminojë boshllëqet dhe paqartësitë e identifikuara në këtë raport dhe në raportet e mëparshme të OSBE/ODIHR-it. KQZ-ja duhet të trajtojë në mënyrë të menjëhershme përmes vendimesh dhe udhëzimesh çdo paqartësi dhe boshllëk që mund të haset në ligj.
Kuadri ligjor që rregullon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore duhet të rishikohet në tërësinë e tij për të eliminuar çdo boshllëk dhe paqartësi të identifikuar në këtë raport dhe në raportet e mëparshme të OSBE/ODIHR-it, duke përfshirë subjektet që kanë të drejtë ankimi, afatet për gjykimin e ankimeve dhe juridiksionin mbi ankimet e lidhura me listat e zgjedhësve dhe me fushatën. Në mënyrë që të sigurohet sekreti i votës dhe integriteti i procesit, çdo lidhje midis votës dhe një zgjedhësi specifik nuk duhet të jetë e mundur.