Si u plagos aktori me 7 plumba në Tiranë

28-vjeçari që mbeti i plagosur mbrëmjen e të enjtes, pasi u qëllua me armë në afërsi të gjimnazit “Partizani” është një aktor, por ai nuk ka dashur të japë identitetin e saktë, duke i dhënë Policisë dy emra të rremë. Kur është pyetur për emrin në momentin e parë që ka mbërritur në urgjencën e Spitalit të Traumës, i plagosuri ka dhënë një emër të rremë, duke thënë se quhej Nishe Prendi. Burime nga Policia thanë se i plagosuri ka paraqitur më pas një karte identiteti me emrin Edison Delia, e cila rezultoi se ishte false.
Emri i aktorit, Mishel Manoku, rezulton të jetë i njohur për policinë. “Panorama” raporton se Manoku ka vetëm dy muaj që ka dalë nga burgu. Bëhet e ditur se ai ka vuajtur një dënim për plagosje dhe kundërshtim të forcave të policisë. Manoku ka luajtur në filmin “Saimir” të Xhevdet Ferrit pikërisht në rolin e Saimirit.
Në film, i ati i tij, Edmondi, (Xhevdet Ferri), transporton emigrantët që sapo zbarkojnë në brigjet italiane. Saimiri e ndihmon herë pas here, por gjithmonë e më shumë kërkon lirinë e vet larg të jatit.
Përpiqet të krijoj raporte me bashkëmoshatarët e vet italiane, por pa sukses. Një natë në kamionin e të atit njeh një vajzë të re, të cilën trafikantet e kishin për prostitucion.
Saimiri përpiqet ta lirojë me forcat e tij, nuk ja del dot dhe në fund hakmerret ashpër kundër të gjithëve. Ky është filmi i parë i regjisorit Francesco Munzi, “Saimir” është ndoshta filmi i parë italian që arrin me një farë suksesi të pasqyrojë një pjesë të realitetit shqiptar larg shablloneve të zakonshme.
Policia e Tiranës bëri të ditur se, arrestoi Miklar Tolën, si autorin e plagosjes së aktorit Mishel Manokut, pranë gjimnazit “Partizani”, në rrugën “4 Dëshmorët”, rreth orës 21:10 të së enjtes. 31- vjeçari Tola u arrestua nga efektivët e Komisariatit Nr.4, në Kombinat, disa orë pas krimit. Të premten paradite, policia arrestoi edhe bashkëpunëtorin e tij Ervin P. Tola qëlloi tetë herë ndaj Manokut, ndërsa miku i tij e ndihmoi të largohej. Disa dëshmitarë thanë se, ai iu afrua dhe e qëlloi nga fare afër. I plagosuri, i njohur edhe me emrin Mishel Prela, mori dy plagë në trup dhe në këmbë. Ai kishte vetëm dy muaj që ishte liruar nga burgu, ku ishte dënuar me 4 vjet, pas një plagosjeje të kryer në vitin 2014. Hetuesit dyshojnë se, plagosja ka lidhje pikërisht me këtë histori.