Shqipëria në flakë, situatë e rëndë në Qarkun e Shkodrës

Vatrat e zjarrit vazhdojnë të shkrumbojnë hektarë të tërë me pyje dhe shkurre. Qarku më i goditur nga zjarret është ai i Shkodrës. Vijojnë të digjen qindra ha pyje, ullishte e kodra të gjelbërta. Ndërsa në Lezhë situata vijon të jetë edhe më e rëndë, pasi zjarret po u afrohen edhe zonave të banuara. Në malin e Manatisë, Lezhë vijon prej tre ditësh zjarri në pyllin me pisha. Si pasojë e zjarrit janë djegur 10 ha me pisha e shkurre.
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 10 vatra zjarri në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Vlorë. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile thotë se vijon të mbajë nën monitorim të gjithë situatën e shkaktuar nga zjarret, por vatrat e zjarrit shtohen çdo ditë e më tepër. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë edhe pse era e fortë dhe terreni malor ka vështirësuar ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe pamundësuar ndërhyrjen e helikopterëve në disa raste. Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar rreth 60 zjarrfikës me 15 automjete, 40 forca të ushtrisë si dhe helikopterë.
Zjarri në fshatin Bleran, Shkodër vijon edhe ditën e djeshme. Zjarrfikëset dhe forcat e ushtrisë janë duke punuar për të shuar plotësisht zjarrin. Për shkak të kushteve atmosferike ndërhyrja me anë të helikopterit dje ishte e pamundur. Sipas raportimeve të zjarrfikësve, zjarri ka djegur rreth 15 ha me shkurre, ferra dhe pisha.
Në fshatin Vilëz, Shkodër, forcat zjarrfikëse dhe ato të ushtrisë po punojnë ende për të shuar zjarrin. Flakët kanë rrezikuar disa banesa të fshatit. Terreni dhe era e fortë e kanë vështirësuar së tepërmi punën e zjarrfikësve. Sipas raportimeve të forcave zjarrfikëse, zjarri dogji rreth 8 ha me shkurre dhe ferra. Në ndihmë të zjarrfikësve është nisur edhe një helikopter për të ndërhyrë nga ajri.
Në fshatin Gruemirë, Malësi e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, hamullore dhe bimë medicinale. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre, hamullore dhe Sherebel.
Vatra e zjarrit në fshatin Torovicë, Lezhë u riaktivizua ditën e djeshme. Për shkak të terrenit të thyer malor zjarrfikëset kanë punuar me mjete rrethanore, për shuarjen e zjarrit. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe rreth 2 dynym me shkurre dhe ferra si dhe një banesë.
Në fshatin Çorrush, Mallakastër ka rënë zjarr në një zonë me shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 2 ha.
Në Bashkinë Finiq, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me ullinj. Forcat zjarrfikëse të mbështetura edhe forca vullnetare kanë ndërhyrë me mjete rrethanore për të shuar zjarrin për shkak të terrenit malor. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 130 ullinj dhe një sipërfaqe e vogël me shkurre dhe ferra.
Në fshatin Hasqok, Peqin ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve zjarri është shuar. Si pasojë u dogjën rreth 1 ha me shkurre dhe ferra.
Në fshatin Kryezi, Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Për shkak të terrenit të thyer malor, zjarrfikëset kanë punuar me mjete rrethanore. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe shkozë.
Në Lagjen 13, Durrës ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 5 dynymë me shkurre e ferra.