Shoqatat turistike: Turizmi është përkeqësuar në katër vite

Shoqata shqiptare e Turoperatorëve & Agjencive Turistike (ATOA) ka reaguar ashpër ndaj çështjes së sigurisë së plazheve, pas ngjarjes së djeshme, ku u mbytën 4 pushues në Vlorë. Kjo ngjarje, thotë shoqata është e dhembshme si për familjaret, të cilëve u përcjellim ngushëllimet tona, ashtu edhe për turizmin tonë. Është e dhembshme sepse u bënë gati 2-3 vjet që rojet bregdetare mungojnë në plazhet tona, detyra e të cilëve është pikërisht menaxhimi dhe ruajtja e pushuesve që notojnë në ujërat tona detare apo liqenore. Jo se po të vihen rojet, do të shmangen 100% aksidente të tilla fatale, por jemi të sigurt që do të minimizohen.
Dhe ky kaos ligjor e menaxherial vjen prej heqjes së kompetencave të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (AKB) dhe kalimi i tyre drejt bashkive e komunave të vendeve bregujore. Ndërkohë që pikërisht prej keqmenaxhimit dhe abuzimit që këto bashki e komuna u bënë plazheve tona në 8 vitet e qeverisë së mëparshme, u vendos nga qeveria aktuale krijimi për herë të parë e AKB, një agjencie qendrore që do të menaxhonte situatën kaotike të plazheve. Që më në fund të kishim edhe ne në plazhet tona rojet bregdetare dhe kullat e vrojtimit, ndarje të zonave ku lejohej noti dhe ku lundrimi i mjeteve lundruese, pastrime të përditshëm të ujit e rërës, dushe, banjo, dhoma zhveshje, sinjalistika, ndarja dhe respektimi i plazheve private nga ato publike etj., etj.
Pra, gjithë këto masa, u bënë gati 3 vjet që nuk i kemi, sepse iniciativës dhe idesë së mirë të krijimit të AKB nuk iu shkua deri në fund, me justifikimin e çuditshëm që pas 1 viti pune me shumë sinjale pozitive, u zbulua që aktiviteti i AKB na shkelka “decentralizimin e shenjtë”, prandaj duhet të kthehemi në origjinë, ose edhe më keq, në një situatë as mish as peshk, ku s’merret vesh kush është përgjegjës për çfarë. Dhe për fat të keq kur ndodhin tragjedi të tilla kujtohen të gjithë të lëvizin ndonjë gur sa për emergjencë dhe për të kaluar radhën, ashtu siç rifutet ushtria për të pastruar plazhet. Rrugë të shkurtra që të nxjerrin gjithmonë më gjatë, pikërisht sepse tentohet të shmangen zgjidhjet e duhura profesionale në bashkëpunim me ekspertët e fushës dhe sektorin privat, të cilat vërtet kërkojnë pak më shumë kohë, durim dhe vullnet politik, por janë zgjidhja e vetme dhe afatgjatë.
ATOA ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë hedhjen e bazave ligjore të shëndetshme, që fillojnë me një ligj të plotë e me standarde europiane të turizmit, të cilat vendosin themelet e punës së çdo institucioni publik apo privat që operon në turizëm, përfundon deklarata për shtyp.