Shoqata e Agjencive Turistike: Dako po diskriminon turistët kosovarë

Kryetari i Bashkise se Durresit, Vangjush Dako, duke folur, gjate prezantimit te "Kampionatit Europian te Peshengritjes per te Rinj", i cili do te zhvillohet nga 14-21 shtator, ne qytetin e Durresit.

Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve & Agjencive Turistike (ATOA) ka reaguar ashpër lidhur me një vendim të Bashkisë së Durrësit mbi diferencimin e autobusëve nga Kosova në plazhin e Durrësit, kryesisht tek rruga “Pavarësia”. Në opinionin e Shoqatës, ky është një nga reagimet e para, që për fat të keq do të shtohen, mbi lejimin e ndërtimit të një turizmi masiv të pa planifikuar. Kur vendoset të ndërtohet në një zonë turistike, në fillim përcaktohen kapacitetet maksimale akomoduese të asaj zone, llogariten numrat maksimal që ajo zonë do të mbajë, pastaj ndërtohen arteriet kryesore të qarkullimit të mjeteve dhe çdo infrastrukture tjetër turistike shoqëruese. Ky quhet planifikim në turizëm. Ndërkohë që kur punët i lejon të bëhen mbrapsht, pra në fillim të bëhen pallate e hotele, pastaj në dimër kur të duken pak njerëz, mendon të kthesh një rrugë në shëtitore, duke harruar se do vijë kulmi i verës, ndodh pikërisht kjo çudi, që tregut që përbën 90% të pushuesve u thua të kalojnë nëpër rrugica poshtë e lart, sepse bulevardin e kemi ruajtur për 10% të kombësive të huaja…
Tregu i Kosovës përbën akoma gjysmën e pushuesve në Shqipëri, me mbi 2 milionë pushues. Madje, duke i shtuar edhe shqiptarët e Maqedonisë, të Greqisë dhe Italisë janë gati mbi 3 milionë nga 4.5 milionë vizitorë që hyjnë në Shqipëri. Nëse për tregun e Europës Qendrore dhe Lindore po flitet shumë kohët e fundit, duhet të dimë që ai treg është vetëm 60-70 mijë në total pra vetëm 1.5-2% e totalit të pushuesve! Pra që këtu e kuptojmë se sa i varur është akoma turizmi dhe ekonomia jonë nga tregu shqipfolës, kryesisht i Kosovës. Prandaj vendime të tilla si kjo e Bashkisë së Durrësit ku pa asnjë takt bëhen diferencime duke emërtuar tregun  e Kosovës, duhet të mendohen 10 herë, madje duhet të gjykohen shumë mirë më parë me qeverinë qendrore, përpara se të dilet në media me deklarata strategjikisht shumë të gabuara, që e dëmtojnë shumë raportin tonë me tregun e Kosovës.
Nëse “golemizinin” e turizmit tashmë nuk po mendojmë si ta zgjidhim, të paktën kur të bëhen plane bulevardesh e palmash, duhet të bëhen duke pasur parasysh se si do akomodohet sa më mirë qarkullimi i 2 milionë shtetasve nga Kosova në korrik dhe gusht, duke e zgjeruar edhe më shumë rrugën kryesore dhe duke menduar vendqëndrimi për autobusët, dhe jo duke e kthyer në pedonale arterien kryesore.
Dhe mbasi të planifikohet sa më mirë ky qarkullim, të merren përgjegjësitë ligjore që u takojnë bashkive për menaxhimin e plazheve, dhe jo të kalohet lumi, duke thënë që u kemi kërkuar operatorëve turistikë të pajisen me roje detare, ndërkohë që sezoni është në gjysmën e vet dhe akoma nuk ka një roje në gjithë bregdetin tonë, përfundon deklarata e ATOA.