Sfidat e Samitit të Triestes dhe Ballkani

Sot në Trieste të Italisë do të mblidhet samiti i Ballkanit Perëndimor, ku do të diskutohen mundësitë konkrete për rritjen dhe nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit rajonal, për të avancuar më tej në rrugën drejt integrimit të Bashkimit Evropian. Në këtë samit do të marrin pjesë, Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politika të Sigurisë/Nënkryetare e Komisionit, Johannes Hahn Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit dhe Violeta Bulc, Komisionere për Transport do të marrin pjesë së bashku me shefat e Qeverisë, Ministrat e Ekonomisë dhe Ministrat e Transportit të Ballkanit Perëndimor dhe homologët e tyre nga gjashtë shtete anëtare të BE-së (Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia dhe Sllovenia). Diskutimet do të fokusohen në tri fusha kyçe të bashkëpunimit rajonal: 1) Lidhshmëria, 2) Integrimi rajonal ekonomik/zhvillimi i sektorit privat dhe 3) Kontaktet mes njerëzve. Në fushën e lidhshmërisë, fokusi do të jetë në implementimin e Agjendës së lidhshmërisë, e cila synon krijimin e kushteve për rritje ekonomike dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, në veçanti përmes përgatitjes dhe financimit të projekteve konkrete të investimeve në infrastrukturë rajonale në sektorët e transportit dhe energjisë. Gjatë Samitit, Komisioni Evropian do të prezantojë fonde të reja të konsiderueshme si pjesë e “pakos vjetore të lidhshmërisë”. Për më tepër, partnerët e Ballkanit Perëndimor pritet të nënshkruajnë Traktatin e Komunitetit të Transportit, i cili do të ndihmojë në integrimin e rrjeteve të transportit në rajon dhe me BE-në dhe do të udhëheqë masat reformuese në sektorin e transportit. Në lidhje me integrimin ekonomik rajonal, partnerët e Ballkanit Perëndimor pritet të bien dakord mbi një plan veprimi për të zhvilluar një Zonë Ekonomike Rajonale me qëllim të rritjes së tërheqjes të rajonit për të rritur investimet dhe për të gjeneruar vende pune, veçanërisht nëpërmjet rritjes së zgjuar, bizneseve të reja dhe rritjes së kapacitetit. Për herë të parë në kuadër të procesit të Berlinit, pjesë e planit të veprimit është edhe një dimension digjital: kjo do të kontribuojë në integrimin e rajonit në tregun digjital panevropian.