Sfida nis nga sot, 60 mijë demokratë flasin me votë

Në procesin e votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike morën pjesë gjithë 57.5% të anëtarësisë, ose 59.766 anëtarë, nga 103.952 që ishin në listë.
Plot 104 mijë anëtarë të PD-së u thirrën dje të marrin pjesë në votim për të shprehur verdiktin e tyre se kush duhet ta drejtojë Partinë Demokratike në 4 vitet në vijim, midis dy kandidatëve Lulzim Basha dhe Eduard Selami. Nga sa u raportua nga Komisioni i operacioneve elektorale, por dhe në rrethe që ndoqën këtë proces, votimi shkoi normalisht. Procesi i numërimit ka nisur mbarë afër mesnatës dhe pritet që në orët e para të mëngjesit demokratët të zyrtarizojnë emrin e Kryetarit që do tiu udhëheqë në një mandat të ri politik përgjatë katër viteve të ardhshme.
Nga sot nis një sfidë për Kryetarin e PD që ka marrë dje mandatin e afro 60 mijë demokratëve. Një pjesëmarrje e lartë, e cila ka kaluar edhe pjesëmarrjen e anëtarësisë të katër viteve më parë me afro 10%. Në të njëjtën kohë, kjo pjesëmarrje dhe ky angazhim është një përgjegjësi për Kryetarin e PD dhe të gjitha strukturat përgjatë ditëve, javëve dhe muajve të ardhshëm.
Vendit i duhet opozita dhe opozitës i duhet lideri që të udhëheqë popullin opozitar në betejat politike, të cilat nuk do të jenë të lehta. Ndoshta nuk duhet pritur as shtatori për të bërë bilancet. Larg burokracive opozita duhet të nisë punë që nga 26 korriku, dita kur kryebashkiaku i Tiranës në bashkëpunim me kreun e qeverisë kanë rënë dakort që të rrisin çmimin e ujit të pijshëm për qytetarët e Tiranës me 35% pa bërë asnjë konsultim dhe pa dhënë asnjë arsye se përse duhet rritur ky çmim në mënyrë kaq drastike.
Me 26 korrik duhet të ndahet mirë edhe se kush do të jetë opozita e vërtetë dhe kush do të jetë opozita e dyzuar me pushtetin. Kush do të jetë në anën e qytetarëve dhe kush në anën e përfitimeve. Kush zgjedh pushimet në politikë dhe kush zgjedh dylyftimet politike. 26 korriku do të konsiderohet si testi i parë i opozitës.
Një opozitë më afër qytetarëve do ta ketë më të lehtë të rifitojë besimin e humbur. Kjo është rruga nga duhet të kalojë ringritja e PD. Larg podiumeve dhe më afër shesheve. Larg konferencave dhe më afër protestave. Mos e kërkoni ringritjen dhe bashkimin e demokratëve tek bisedat e gjata në odat e pafund të politikës që më tepër se të afrojnë tek suksesi real të fusin në labirinthe pazaresh pa skrupuj.
Dëshpërimi nuk është i vogël. Shqipëria ka humbur betejën me zgjedhjet e lira më 25 qershor. Tani i duhet të fitojë betejën e opozitarizmit.

Gjana: Procesi korrekt, ndërhyrje për foton e Bashës

Jemin Gjana, kreu i Komisionit Qendror Elektoral për zgjedhjet në PD, ka reaguar pas deklaratës së Eduard Selamit, i cili tha se gjatë procesit janë shfaqur parregullsi. Sipas Gjanës, procesi deri tani i drejtë dhe korrekt.
Lidhur me deklaratën e Selamit, se ka pasur raste të mungesës në listë, të anëtarëve të PD-së që kanë shprehur më herët votën për të, Gjana tha: S‘ka pasur asnjë ankimim.
“Është një zyrë që merret me kryqëzimin e të dhënat, të atyre që nuk kanë emrin në listë, por kanë një kartë anëtarësie. E kemi bërë këtë kryqëzim për të gjithë republikën, për 73 komisionet e votimit. Janë 4 operatorë që punojnë pa ndërprerje që gjithkush të votojë, por gjithkush të mos ta përdorë një teser partie për të votuar në dy vende. Nëse dikush është paraqitur nuk ka patur emrin në listë, por ska pasur edhe asnjë dokument ndër vite, mund të ketë edhe raste të tilla”, shtoi ai.
Ndërsa akuzën tjetër se në qendra votimi ka qenë e varur fotografia e zotit Basha, Gjana e pohoi: Jam vënë në dijeni në orët e mëngjesit. Ka patur një problem që ka të bëjë me fotografitë për faktin se një pjesë e degëve të PD i kanë patur vend votimet në zyrat e partisë dhe për fat të keq nuk është normale. Ne i kemi dhënë porosi që t’i heqin fotografitë, ato kanë qenë zyra partie dhe i kanë pasur fotografitë aty. Nuk është bërë në mënyrë të qëllimshme, sepse nuk janë marrë fotografitë dhe të vihen atje, por ne kemi ndërtuar vendet e votimit dhe nuk është bërë në mënyrë të qëllimshme.
Pjesëmarrja në zgjedhje është gati e njëjtë me zgjedhjet e 2013-ës, tha më tej Gjana.

Si u votua në të gjitha degët e PD

Shkodër, votuan 4727 votues, nga 8777 anëtarë
Lezhë, votuan 3852 votues, nga 5820 anëtarë
Kukës, votuan 1707 votues, nga 5105 anëtarë
Dibër, votuan 3723 votues, nga 5570 anëtarë
Durrës, votuan 3125 votues, nga 7966 anëtarë
Tiranë, votuan 19937 votues, nga 30314 anëtarë
Elbasan, votuan 4470 votues, nga 6985 anëtarë
Korçë, votuan 5948 votues, nga 8140 anëtarë
Berat, votuan 1946 votues, nga 4877 anëtarë
Fier, votuan 5545 votues, nga 11718 anëtarë
Vlorë, votuan 2423 votues, nga 5093 anëtarë
Gjirokastër, votuan 2363 votues, nga 3587 anëtarë

Selami: U shkelën rregullat e lojës në disa qendra votimi

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Eduard Selami ka denoncuar parregullsi, që sipas tij, janë shfaqur në zgjedhjet e djeshme për kreun e PD-së.
Ai tha se kryetarë të degëve kanë bërë presione, duke u kërkuar anëtarëve të PD-së të votojmë kundërshtarin e tij, Bashën.
“Këto zgjedhje pavarësisht se janë një hap në drejtimin e duhur kanë qenë dhe kanë filluar të pabarabarta. Fatkeqësisht kjo pabarazi është reflektuar nga disa probleme që kanë dalë, që unë falënderoj edhe median që i ka publikuar. Probleme që kanë të bëjnë me si me ndërhyrjen e disa kryetarëve të degëve, jo të gjithë, por disa prej tyre kanë ndërhyrë, duke prishur atë neutralitetin, kanë bërë presione dhe i kanë kërkuar anëtarëve që të votojnë për Bashën. Kjo është një shkelje e rregullave të lojës. Po kështu në mjaft nga këto qendra votimi fotografia e zotit Basha është e varur në qendrën e votimit”.
“Këto kërkesa unë ja kam kaluar përfaqësuesit tim dhe në emrin tim i ka bërë në KQZ. KQZ ka shprehur mirëkuptimin për këto gjera, por këto nuk janë zgjidhur akoma. Edhe këtu në qendrën tonë vazhdon kryetari i degës 2 që është miku im, por miqësia mënjanë. Ose nuk i njeh rregullat e demokracisë ose nuk di se çfarë është.
Ai shtoi se ka pasur raste të mungesës në listë, të anëtarëve të PD-së që kanë shprehur më herët votën për të:
“Po kështu ka pasur raste të mungesës së emrit në listë, seksione të tëra që nuk kanë qenë të regjistruar dhe kanë shprehur votën për mua”.
I pyetur nga gazetarët lidhur me qendrat ku janë vërejtur parregullsi, përveç degës në lagjen numër dy në Tiranë, Selami futi edhe qytetin e Fierit.
Selami u shpreh gjithashtu: “Megjithëse ky proces është i paplotë, është një proces në vazhdim dhe nuk dua të paragjykoj. Është shpejt për të nxjerrë një rezultat. Ka momente të rëndësishme siç është mbyllja e procesit të votimit, transportimi i kutive të votimi në qendër. Unë e kam shprehur që në këto kushte ku jemi do të ishte më mirë që numërimi të bëhej në degët e rretheve dhe pastaj procesi i numërimit”.
Deklarata e Selamit u bë dy orë para përfundimit të orarit zyrtar të zgjedhjeve për kryetar të Partisë Demokratike.