Rritja më e madhe e borxhit në histori 89.5%

Edhe pse kryeministri Rama nuk e ka pranuar hapur, Shqipëria ka një borxh të lartë publik. Ndonëse në trajektore ulëse borxhi publik i Shqipërisë renditet nga më të lartët edhe në vendet e BE-së. Sipas një tabele krahasuese që publikoi Eurostat në lidhje me treguesit e borxhit, 16 vende të BE renditen me borxh publik më të ulët se Shqipëria. Ministria e Financave javën e kaluar raportoi se borxhi publik në raport me PBB arriti në 66.8% në fund të 6-mujorit 2017, por në fund të vitit stoku i detyrimeve në raport me PBB rrezikon të jetë më i lartë pasi parashikimi me PBB do të mbetet i njëjtë teksa borxhi në vlera neto do të rritet. Eurostat raportoi se në fund të tremujorit të parë të vitit 2017, borxhi i qeverisë ndaj PBB-së në zonën e euros (19 vende) qëndroi në 89.5%, krahasuar me 89.2% në fund të tremujorit të katërt të vitit 2016. Ndërsa në 28 vendet anëtare të BE, raporti i borxhit është rritur nga 83.6% në 84.1%. Siç shihet nga të dhënat borxh më të ulët se Shqipëria kanë vende të tilla si Estonia me 9.9% të PBB-së, Luksemburgu me 21.9% të PBB-së, Bullgaria me 29% të PBB-së, Danimarka me 39.4% të PBB-së, Rumania me 37.1% të PBB-së, Lituania me 39% të PBB-së, Lituania 39.3%, Republika Çeke 39.9%, Suedia me 41%, Sllovakia 53.5%, Polonia 54.0%, Malta me 59.0% etj. Vendet me detyrimet më të larta në mesin e BE vijojnë të jenë Greqia me 176% të PBB-së, Italia me 132%, Portugalia me 130%, Belgjika me 107%, Qipro me 107%, Spanja me 100% të PBB-së, Franca me 98% të PBB, Britania e Madhe 88%, Kroacia me 86.4% të PBB-së etj. Gjithashtu Shqipëria bashkë me Serbinë janë në mesin e vendeve me borxhin më të lartë në vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë të aderojnë në BE, shkruan “Monitor”.

Mashtrimi Rama

Borxhi ishte parashikuar të arrinte në 71.7% më 2014 dhe në 69.3% të PBB-së më 2016, por në vend të kësaj, raporti i borxhit ndaj PBB-së u rrit në vitin 2015 në 73.7% dhe nuk parashikohet të jetë nën 70%. Në një vlerësim të fundit të programit me Shqipërinë, Banka Botërore e vlerësoi të kënaqshme reformën në energji, duke konstatuar një ngadalësim të saj në prag të zgjedhjeve, por gjithashtu ka vënë në dukje se qeveria shqiptare nuk e arriti objektivin që i kishte vënë vetes për uljen e borxhit. Qeveria e Shqipërisë përmirësoi bilancin parësor në buxhet, duke lëvizur nga një deficit prej 2.6% të PBB-së në vitin 2014 në një tepricë 0.7% të PBB-së në vitin 2016. Megjithatë, banka vë në dukje se rënia e pritshme e borxhit të përgjithshëm është vonuar nga disa vjet. Borxhi ishte parashikuar të arrinte në 71.7% më 2014 dhe në 69.3% të PBB-së më 2016, por në vend të kësaj, raporti i borxhit ndaj PBB-së u rrit në vitin 2015 në 73.7% dhe nuk parashikohet të jetë nën 70% edhe këtë vit. Banka thotë se arsyet e mosrënies së borxhit lidhen me disa faktorë, duke përfshirë zhvlerësimin e këmbimit kundrejt dollarit, inflacionin më të lartë se sa pritej dhe rritjen e ekonomisë më pak se pritshmëritë dhe performancën e ulët të të ardhurave sidomos më 2015. “Zbatimi i reformave të sektorit të energjisë ishte gjithashtu më i ngadalshëm se sa pritej, sidomos përcaktimi i tarifave në raport me kostot në disa segmente të caktuara të tregut”, thuhet në raportin e BB për reformën në energji. Gjithashtu, banka konstatoi vonesa në kalimin e legjislacionit dytësor dhe në rritjen e efikasitetit të investimeve. Investimet dhe procesi i reformës filluan të humbin vrullin në prag të zgjedhjeve, por nuk vërehet rrëshqitje dhe arritjet kanë qenë të qëndrueshme, thuhet në vlerësim. Banka vëren se deficiti buxhetor ka rënë ndjeshëm, nga 5.5% e PBB-së në vitin 2014 në 1.7% më 2016.

78 milionë euro në tre muaj

Borxhi i qeverisë u shtua edhe me 78 milionë euro në tremujorin e parë të vitit, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë. Në fund të muajit mars të vitit 2017, Borxhi i Jashtëm Bruto (BJB) i Shqipërisë arriti rreth 7.96 miliardë euro. Gjatë tremujorit të parë të vitit, stoku i BJB u rrit me rreth 96 milionë euro, ndërsa zgjerimi vjetor shënon 238 milionë euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, sektori i qeverisë së përgjithshme mban peshën kryesore në stokun e BJB-së. Në harkun kohor të një viti, borxhi i jashtëm i këtij sektori është zgjeruar me 6% dhe në fund të muajit mars 2017, shënon 3.48 mld euro nga 3.29 mld euro që ishte në fund të 2016-ës. Detyrimet e qeverisë së përgjithshme prezantohen kryesisht si hua afatgjata, obligacione dhe dëftesa. Teprica e huave afatgjata në terma vjetorë është zgjeruar me rreth 207 milionë euro, ndërsa ajo e obligacioneve ra me 14 milionë euro – në vijim të blerjes së obligacionit të emetuar nga sektorë rezidentë. Huatë e qeverisë së përgjithshme përfaqësohen nga huatë e tërhequra pas viteve ‘90 dhe ato të riskeduluara, të cilat vazhdojnë të jenë të negociueshme midis palëve. Në fund të periudhës, huatë e riskeduluara përfaqësojnë rreth 1% të stokut të huave afatgjata të këtij sektori. Shërbimi i borxhit (pagesat e principalit dhe të interesit) për të gjithë sektorët e ekonomisë, gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, shënoi vlerën 74.3 milionë euro dhe ka ardhur në rënie krahasimisht me periudhën paraardhëse. Nga këto, rreth 37.4 milionë euro u paguan nga qeveria e përgjithshme, 13 milionë euro nga sektorët e tjerë, 21.9 milionë euro nga sistemi bankar dhe 2 milionë euro nga autoriteti monetar. Shërbimi i borxhit gjatë periudhës në masën 76% ka qenë për shlyerje të kryegjësë (principalit) dhe në 24% për shlyerjen e interesave.