Qeveria presion Kushtetueses me Ganën e ILDKP

Pak orë para se Gjykata Kushtetuese të shprehet për padinë e Unionit të Gjyqtarëve kundër disa pjesëve të ligjit për vetingun, mazhoranca, nëpërmjet institucioneve të kontrolluara prej saj, ka rritur në maksimum presionin ndaj trupës gjyqësore për të rrëzuar pretendimet e paditësve.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive po përgatit kallëzim penal kundër një prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në një tentativë ekstreme për të orientuar vendimmarrjen drejt vullnetit të mazhorancës. Burime të konfirmuara bëjnë me dije se ky kallëzim i pritshëm është përgatitur nga ILDKP para 4 muajsh dhe është mbajtur pezull, me qëllim që të përdoret si një mjet presioni i kryeinspektorit Shkëlqim Ganaj ndaj gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Fakti që po përgatitet një kallëzim penal ndaj një anëtari të Gjykatës Kushtetuese u është përcjellë edhe kolegëve të tij, në forma të ndryshme, duke u përcjellë presionin se një fat i tillë mund t’i presë edhe të tjerët që mund të përkrahin padinë e Unionit të Gjyqtarëve.
Të dhënat që mund të shërbejnë si shkak për kallëzim penal lidhen me pasuri të krijuara nga gjyqtari në vitet 2000-2004.
Pasuria e gjyqtarit që është vënë në shënjestër të qeverisë është kontrolluar për rreth 15 vjet, ndërkohë që vetë Ganaj, i cili gjendet në krye të ILDKP-s prej 4 vitesh, e ka kontrolluar dy herë dhe rezultati ka qenë se pasuria e tij është krijuar nga burime të ligjshme, të konfirmuara nga institucionet zyrtare.
Por, në momentin kur Gjykata Kushtetuese, përfshirë edhe gjyqtarin, të cilit po i mbrojmë identitetin, do të shqyrtojnë padinë kundër ligjit të vetingut, Ganaj i ILDKP konstaton “shkelje” nga ana e tij.
Një sjellje e tillë, e një institucioni të pavarur dhe kryesor për ligjin e vetingut, por që prej kohësh është nën kontrollin politik të mazhorancës, është një shenjë e keqe për abuzimin me ligjin më të rëndësishëm të reformës në drejtësi.
ILDKP ka detyrën kryesore për të kontrolluar pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe rezultatet e kontrollit nga ky institucion do të shërbejnë për të përcaktuar vijimësinë ose largimin nga detyra të tyre.
Por, nëse fryma e ILDKP-së do të jetë abuzive dhe me orientim nga mazhoranca, si në rastin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, atëherë i gjithë procesi i reformës në drejtësi rrezikon të deformohet dhe pasojat negative do të jenë shumë të mëdha.