PSG nis ofensivën

Paris Saint Germain në sulm për Neymar. Klubi i Al Khelaifit doli hapur në pretendimet e tij gjatë deklaratës së trajnerit Unai Emery. Në një intervistë Emery konfirmoi interesin për Neymar: “Nëse duam të matemi me Bayernin, Barcelonën apo Realin e Madridit dhe të fitojmë Champions League duhet me patjetër të kemi në grupin tonë një prej 5 lojtarëve më të mirë të botës. Objektivat janë: Neymar, Mbappe dhe Sanchez. Do të tentojmë të blejmë një prej tyre gjatë kësaj merkatoje”.
Më pas diskutimi duket se u ndal pikërisht tek sulmuesi brazilian: “Neymar është përmirësuar edhe më shumë, ndaj padiskutim që klasifikohet në ‘Top 5’ më të mirët e botës. Kështu që natyrshëm si skuadra ashtu dhe tifozët do të ishin të lumtur të kishin në mesin e tyre një yll si ai”.
Emery thekson se për skuadrën që drejton është thelbësore që të ketë shërbimet e një futbollisti, loja e të cilit të konvertohet në çelësin e sulmit të tyre. Gjithsesi, kontrata aktuale e Neymar, të cilën e rinovoi vitin e shkuar duke firmosur qëndrimin deri në vitin 2021, e ka të shkruar të zezë mbi të bardhë klauzolën e 220 milionë eurove. Shifër kjo që deri 12 muaj më parë dukej gati e paarritshme për cilindo klub që interesohej për të, por tashmë jo më! Dëshira e Neymar për t’u larguar dhe predispozita e Al Khelaifit për të paguar këtë shumë mund të bëjnë që marrëveshja të realizohet pa miratimin e Barcelonës. Jo më larg se ditën e enjte presidenti Bartomeu theksoi faktin se Neymar nuk është në shitje dhe për të shkurajuar çdo lloj propozimi apo lëvizjeje në këtë drejtim i bëri apel edhe fair playt financiar:
“Klauzola të tilla nëse një klub vendos t’i respektojë janë kryesisht të pamundura për t’u aktivizuar, vetëm nëse klube të tjera shfaqen shpërfillëse ndaj rregullave të fair play financiar ato mund të bëhen aktive”.
Thëne ndryshe Barcelona nuk është e gatshme të lejojë largimin e Neymar dhe në rast ngulmimi parisienët mund të kërkojnë ndërhyrjen e UEFA-s. Pra, klima mes dy klubeve nuk duket të jetë aspak miqësore. Sipas disa opinioneve, manovra e Al Khelaifit mund të jetë njëfarë hakmarrjeje për joshjen konstante që Barcelona po i bën Verrattit, megjithë kundërshtimin e klubit nga Parisi.
Në rast se do të bënim një analizë të shkurtër të situatës aktuale të Neymar tek Barcelona, nuk mund të mohohet fakti se ai tashmë ka filluar të ndjejë presionin e ikonës së përjetshme të blaugranave, Messit. Kjo mund ta bëjë Neymar që edhe pse vetëm 25-vjeçar dhe ka fituar çdo trofe me këtë ekip, të kërkojë të sfidojë dhe provojë veten si njeriun simbol të një klubi ambicioz, që për më tepër është i gatshëm të ofrojë çfarëdolloj shifre marramendëse për të. Në këtë skenar, me peshë do të jetë pikërisht vendimi i sulmuesit që sipas disa burimeve u ka komunikuar tashmë shokëve të skuadrës në kombëtaren braziliane dëshirën për t’u transferuar në kryeqytetin francez. Ndaj mbetet ende për t’u parë, por parisienët duket se janë pranë arritjes së asaj që do të përkthehej në operacionin më të bujshëm të kësaj merkatoje.