PS organizatë kriminale, deputeti i Ramës në gjyq: Ja si funksionon

Deputeti i PS për Durrësin, Jurgis Çyrbja ka dëshmuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda për regjistrimin në Hipotekë të një pjese të Hotel “Vollgës” në emër të Emiljano Shullazit. Jurgis Çyrbja ka qenë drejtor i Hipotekës së Durrësit gjatë kohës kur Shullazi ka marrë Hotel “Vollgën”. Gjatë dëshmisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ai ka folur për herë të parë lidhur me një bisedë me Emiljano Shullazin për këtë çështje. Çyrbja ka pranuar para trupit gjykues se është takuar edhe me vetë Shullazin në një lokal afër shtëpisë së tij në Shijak.
Deputeti Çyrbja ka dëshmuar në seancën e djshme ndaj Shullazit dhe grupit të tij që akuzohen për gjobëvënie, duke folur për lidhjet e tij edhe me biznesmenin Ylvi Beqja. Çyrbja ka deklaruar se është takuar më parë me Ylvi Beqajn, për të regjistruar pronën e tij.
Sipas Çyrbjas, biznesmeni Beqja i kishte kërkuar të takonte Shullazin dhe regjistrimin e hotel “Vollgës”. “Ylvi Beqaj më ka kërkuar regjistrimin e hotel ‘Vollgës’. Beqja më tha do të prezantoj me bashkëpronarin. Kur erdhi e pashë që ishte Shullazi. Jam takuar në një lokal në Shijak afër shtëpisë sime”, ka thënë deputeti i PS, duke rrëfyer edhe bisedën me Emiljano Shullazin.
Ai tha se, Shullazi i ka kërkuar regjistrimin e pronës në atë kohë kur Çyrbja drejtonte zyrën e Hipotekës në Durrës, i ka thënë se do të vepronte sipas ligjit dhe më pas i ka regjistruar pronën dhe ka pasur kufizim të saj. Ai ka deklaruar se është takuar me Shullazin dhe ka pasur debate të forta me të, por nuk është kërcënuar prej tij. “Shullazit i kam thënë se, do të zbatoj ligjin. Ai më pyeti nëse do ta regjistroja pronën. Bëra regjistrimin dhe kufizimin e pronës. Kam pasur konflikte, po nuk jam kërcënuar nga këta persona”, tha Çyrbja.
Pas ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, Jurgis Çyrbja, deputeti aktual i Partisë Socialiste është politikani tjetër që rezulton i përfshirë në çështjen e Emiljano Shullazit.
Në seancën e djeshme ka dëshmuar edhe noterja Aida Spahiu. Ajo ka deklaruar se në zyrën e saj kanë shkuar biznesmeni Beqja dhe Shullazi. Sipas saj, Beqja i ka dhuruar Shullazit një sipërfaqe toke. “Ka ardhur në zyrën time Ylvi Beqja dhe Shullazi. Beqja i ka dhuruar Shullazit një sipërfaqe toke në shenjë mirënjohje. Të dy nënshkruan dy kontrata dhurimi. Beqja në kontratën e dytë i dhuroi tokën pa kushte”, ka deklaruar noterja Spahiu.
Ndërsa avokati Neshat Fana, u paraqit në seancë por nuk pranoi të dëshmojë për shkak të sekretit profesional. Shullazi akuzohet si kreu i një grupi kriminal për gjobëvënie e mbi të rëndojnë 7 akuza.

Deputeti Çyrbja rrëfen miqësinë me Shullazin dhe kërcënimet nga djali i Arta Dades

Në momentin kur deputeti i PS për Durrësin, Jurgis Çyrbja pranoi dje para trupit gjykues se është takuar me Shullazin në një lokal afër shtëpisë së tij në Shijak, prokurorja e çështjes e pyeti nëse ishte kërcënuar ndonjëherë për regjistrimin e pronës. Çyrbja pranoi se ishte kërcënuar nga djali i deputetes së PS, Arta Dade, Alban Dabulla.
Më pas prokurorja e çështjes, Elisabeta Imeraj lexoi një pjesë të deklarimeve të deputetit socialist Jurgis Çyrbja gjatë hetimeve paraprake, kur ai ishte drejtori i Hipotekës në Durrës. Në dhjetor, sipas prokurores, ish-kreu i Hipotekës ka thënë se kishte marrë një mesazh kërcënues nga shtetasi Alban Dabulla. Përmbajtja e tekstit kishte tone kërcënuese, pasi ishte shkruar se, Çyrbja nuk kishte bërë mirë që kishte regjistruar pronën në emër të Shullazit. “Kontrollo në Gooogle për mua se kush jam. Shpatullat e tua nuk mund ta mbajnë kokën tëndë”, shkruhej në mesazhin që Dabulla i kishte dërguar Çyrbjas.
Deputeti socialist ka rrëfyer dje para trupit gjykues se si funksiononte organizata kriminale me të cilën ai bënte pazare pronash. Në kohën që ishte drejtor Hipoteke, Çyrbja takohej me Shullazin afër shtëpisë së tij dhe bënte pazare për regjistrimin e hotel “Vollgës” në Hipetekë, ndërsa në të njëjtën kohë kërcënohej nga djali i deputetes së PS që të mos e regjistronte “Vollgën” në emër të Shullazit. Pavarësisht kërcënimeve të Dabullës, Çyrbja e regjistroi pronën e Shullazit, sipas pazareve që kishte bërë me të në lokalin afër shtëpisë së tij në Shijak.
Ajo që ndodhi dje në seancën gjyqësore të Shullazit ku deputeti i Ramës rrëfeu skemën e bashkëpunimit me bandat, tregon se si njerëzit e PS ulen në tavolinë me kriminelët dhe bisedojnë nën tytën e armës. Ky fakt tregon se, në qeverinë e PS ligjin e bëjnë bandat dhe gjithçka në zyrat shtetërore zgjidhet me pazare.
Në procesin gjyqsor ndaj Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij dje dëshmuan 4 persona, të cilët kanë patur dijeni dhe kanë kryer veprime konkrete në regjistrimin e 30% të ish- hotel “Vollgës” në pronësi të Shullazit. I pari që ka dëshmuar ka qenë ish-numri dy i hipotekave, Besnik Hysenbelliu, i cili sqaroi se procedura e regjistrimit të pronësisë për ish-hotelin është bërë konform ligjeve.
Të fundit që kanë dëshmuar ishin dy noteret Drita Pepa dhe Aida Spahiu. Sipas tyre të gjitha dokumentat e firmosura nga Ylvi Beqja janë bërë në vullnet të lirë dhe nuk kanë vënë re asnjë presion.

Basha: Deputeti i PS, shërbëtori i Shullazit

Kandidati për kryetar i PD, Lulzim Basha reagoi dje pas dëshmisë së deputetit socialist të Durrësit, Jurgen Çyrbja në seancën ndaj Emiljano Shullazit për hotel “Vollgën”. Në një postim në rrjetin social Facebook, Basha shkruan se, Çyrbja mbrojti Shullazin në Gjykatë dhe kjo nxori në pah fytyrën e vërtetë të shtetit të Edi Ramës.
“Deputeti socialist i Durrësit, Jurgen Çyrbja dëshmoi sot në Gjykatë në favor të bandës së Emiljano Shullazit edhe pse Prokuroria e kishte thirrur për të dëshmuar kundër saj. Dëshmia e tij nxorri në shesh fytyrën e vërtetë të shtetit të Edi Ramës si shtet privat në dorën e të fortëve dhe kriminelëve.
Prania e Çyrbes në Kuvend tregon se, lufta për largimin e krimit nga politika nuk ka mbaruar. Me ligjin e dekriminalizimit ne ndaluam futjen e vetë kriminelëve në Kuvend, por tani na duhet të largojmë nga politika edhe shërbëtorët e krimit”, shkruan Basha.
Deputeti i PS për Durrësin, Jurgis Çyrbja ka dëshmuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda për regjistrimin në Hipotekë të Hotel “Vollgës” në emër të Emiljano Shullazit. Jurgis Çyrbja ka qenë drejtor i Hipotekës së Durrësit gjatë kohës, kur Shullazi ka marrë Hotel “Vollgën”. Gjatë dëshmisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ai ka folur për herë të parë lidhur me një bisedë me Emiljano Shullazin për këtë çështje. Çyrbja ka pranuar para trupit gjykues se është takuar me Shullzin në një lokal afër shtëpisë së tij në Shijak.

Shullazi akuzohet për gjobëvënie ndaj tre biznesmenëve

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se, Shullazi me bashkëpunëtorët e tij ka gjobitur tre biznesmenët Ylvi Beqja, Jani Zaka dhe Adriatik Këçuku si dhe ka kërcënuar për t’u tërhequr nga gara kandidatin për rektor Mynyr Koni si dhe ka kanosur rektorin Dhori Kule. Përveç Emiljano Shullazit nën gjykim do të jenë edhe shoku i tij Gilmando Dani, nipi i tij Endrit Zela si dhe Blerim Shullazi e Endrit Qyqja.
Dhurimi i ish-hotel “Vollgës” në Durrës dhe përvetësimi i kësaj ndërtese nga Emiljano Shullazi, është bërë nën kërcënimin e armës dhe dhunës. Kjo është edhe një nga dyshimet kryesore, mbi të cilat Prokuroria për Krime të Rënda ka mbështetur akuzën e ngritur ndaj Emiljano Shullazit, për të cilin lëshoi edhe urdhër arrestin.
Krahas këtij hetimi për përvetësimin e ish-hotel “Vollgës”, Prokuroria ka administruar edhe një deklarim të shtetasit Jani Zika, pronar i një parkingu 1200 m2 në rrugën e “Kavajës”. Këtë parking, Prokuroria thotë se i dyshuari Blerim Shullazi në emër të Emiljanos ka kërkuar që t’ia kaloi në emër të tij. Por djali i Jani Zikës është larguar nga Shqipëria, duke i shtyrë grupin kriminal t’i vendosë eksploziv në hyrjen e parkingut. Përveç këtij rasti, Prokuroria pretendon se ka edhe dy raste të tjera të gjobëvënies, të kryer nga grupi që drejtohej nga Emiljano Shullazi. Atë ndaj një tregtari të kafes në Durrës dhe një ndërtuesi në zonën e Farkës.
Në një nga seancat gjyqësore të zhvilluar në mesin e muajit qershor, biznesmeni Ylvi Beqja ka deklaruar para trupit gjykues se i kishin ofruar 7 milionë euro që të tërhiqte padinë ndaj Emiljano Shullazit. “Elvis Martini më ka ardhur në shtëpi, duke më kërkuar të heq dorë nga dëshmia kundër Shullazit, kundrejt 7 milionë eurove. Martini shprehu gatishmërinë të paguajë 1 milion euro në moment dhe pjesën tjetër disa ditë më pas. Unë e refuzova këtë ofertë, por Martini më kërcënoi me vrasjen e pjesëtarëve të familjes”, deklaroi dëshmitari Ylvi Beqja në seancën gjyqësore. Në seancën gjyqësore, ka pasur debate të ashpra ndërmjet Shullazit dhe Beqjes.
Biznesmeni Ylvi Beqja i tregoi Gjykatës, një moment kur Elvis Martini, i kishte shkuar në shtëpi duke kërkuar të heqë dorë nga dëshmia kundër Shullazit, kundrejt 7 milionë eurove. Sipas Beqjas, Martini kishte shprehur gatishmërinë të paguajë 1 milion euro në moment dhe pjesën tjetër disa ditë më pas. Këtë ofertë, Beqja tha se e kishte refuzuar, duke bërë që Martini ta kërcënojë me armë atë me vrasjen e pjesëtarëve të familjes. Por jo vetëm kaq, Beqja akuzoi edhe avokatët e të pandehurve, që sipas tij, me ndihmën e njerëzve të Shullazit kanë mbledhur disa biznesmenë të ndryshëm, të cilët i kanë kërcënuar për ta akuzuar Beqjan për mashtrim.