Provokime nacionaliste ndaj Hasit

Ashtu siç pritej, nuk kanë vonuar shumë provokimet e tifozëve të Olimpiakos ndaj Besnik Hasit. Që në ditët e para të emërimit të tij në stolin e kampionëve të Greqisë, shumë ultras të skuadrës i dolën kundër klubit, duke u nisur nga fakti se Hasi ishte shqiptar e për më tepër me origjinë nga Kosova.
Grupimet e tifozërisë së Olimpiakos kanë bërë prej kohësh të qartë se janë kundër pavarësisë së Kosovës dhe herë pas herë shpalosin në ndeshjet e skuadrës së tyre parullat “Kosova është Serbi”. Këtë qëndrim, ata ia kanë bërë të qartë edhe gjakovarit Hasi në ndeshjen e djeshme miqësore kundër Asteras Tripoli.
Në stadium, që në fillimin e ndeshjes, e deri në fundin e saj, është shpalosur një parullë e tillë, ndërsa askush nga klubi as ka marrë mundimin të kundërshtojë ultrasit e Olimpiakosit. Përkundrazi, në një pjesë të videos së publikuar nga vetë klubi në “You Tube”, shihet pjesë e parullës në fjalë gjatë gjithë ndeshjes.
Në fund të ndeshjes, edhe vetë Hasi është detyruar të bëjë intervistat e tij, duke pasur në sfond një parullë të tillë provokuese. Sigurisht që ky nuk ishte fillimi që priste Hasi në eksperiencën e tij në stolin e Olimpiakosit, ndërsa duhet të bëhet gati për provokime të tjera, sepse klubi i tij, në turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve, do të përballet me Partizanin e Beogradit.
Në konferencën për shtyp, Hasi u prezantua me krenari. “Jam nga Kosova e Shqipërisë”, tha Hasi. Por trajneri shqiptar gjeti një përgjigje kontroverse nga një gazetar në sallë, që ka ndezur jo pak opinionin në Greqi, por gjithashtu në Serbi. “Zotëri jeni gabim, Kosova është e Serbisë” i është përgjigjur gazetari. Grupimet e ultrasve të Olimpiakos kanë marrëveshje bashkëpunimi dhe ruajnë raporte miqësore me tifozët radikalë të Crvena Zvezdës dhe grupin famëkeq Delije, çka nuk do ta ndihmojë Besnik Hasin në punën e tij.