Pollo: Rrezikojmë rikthimin e vizave brenda 3 muajve

Deputeti i PD, Genc Pollo ka reaguar lidhur me alarmin e dhënë nga Franca për rritjen e numrit të emigrantëve shqiptarë. Në një postim në rrjetin social Facebook, Pollo shkruan se, e vërteta e vizitës së Bushatit në Francë është për faktin se francezët po mendojnë të rikthejnë vizat për shqiptarët për shkak të emigrantëve.
“Bushati sefte në Paris me qeveritarët e Presidentit Macron. Jo për investimet e tregtinë, as për integrimin në BE e as për ndonjë bashkëpunim tjetër dypalësh. Por për të ndaluar me plan masash kurbetin e shqiptarëve, që tashti po kap kulmin e po lë pas Afrikën e Lindjen e Mesme. Si me rilindistët 1 ashtu dhe me ata 2.0. Shqipëria që deshëm? Francezët thonë se do të vijnë pas tre muajsh në Tiranë për të kontrolluar zbatimin. Përmendet mundësia e rivendosjes së vizave Schengen. Shqipëria që deshëm?”, shkruan Pollo në reagimin e tij në Facebook.