Plas tek Bajerni

Bayern Munich's new Italian head coach Carlo Ancelotti (C) leads the first training of the German first division Bundesliga football club FC Bayern Munich, in Munich, southern Germany on July 11, 2016. / AFP PHOTO / GUENTER SCHIFFMANN

Vetëm dy ditë më parë, ish-drejtuesi sportiv i Bajern Mynihj, Matias Zamer, ka kritikuar blerjen më të re të bavarezëve, Hames Rodrigez, duke vlerësuar më shumë Tomas Mylerin, si lojtar teksa është shprehur: “Hames nuk mund të krahasohet me Tomas Mylerin. Ai nuk mund të luajë në krah, pasi atij i mungon ritmi i duhur dhe qetësia”. Por menjëherë pas tij, ka ardhur edhe reagimi i trajnerit italian, Karlo Ançeloti, i cili, pas ndeshjes testuese ndaj Arsenalit, doli hapur duke iu kundërpërgjigjur Matias Zamer: “Nuk mundesh të më tregosh mua sa i përket kësaj skuadre ose lojtarëve të tillë”. Një reagim i ngjashëm nuk është kursyer edhe nga presidenti i kampionëve gjermanë, Uli Hënes, i cili ka folur gjatë një mbledhjeje në Shanghai, duke iu përgjigjur kritikave të bëra nga ish-drejtuesi sportiv, Matias Zamer dy ditë më parë.
Gjatë një interviste për gjermanen “SportBild”, presidenti bavarez tha se: “Do t’i drejtohesha Matias Zamerit, duke i sugjeruar të mos flasë shumë për kampionët gjermanë. Si presidenti i kësaj skuadre mendoj se ai do të shfaqë gjithmonë inatet e tij në një mënyrë të tërthortë sa i përket rrogës së pamjaftueshme në detyrën e tij të re. Kjo vjen, pasi atij nuk i vjen mirë që nuk është më drejtuesi sportiv i një skuadre kaq të madhe sikurse është Bajerni. Ai ende nuk e ka gjetur një mënyrë për t’u arratisur shpirtërisht dhe mendërisht nga kjo skuadër. Kjo është arsyeja që ai ka folur në atë mënyrë sa i përket skuadrës dhe blerjeve të reja. Shpresoj që ta marrë parasysh këtë këshillë nga ana ime dhe të mos flasë shumë për skuadrën tonë, aq më shumë tani që nuk është më pjesë e saj”.
Megjithatë, për presidentin bavarez është ende e paqartë çështja e trajtuar nga Zamer sa i përket mesfushorit gjerman, Tomas Myler. Lidhur me aftësitë e tij, Hënes tha se: “Mendoj se Tomas Myler dhe Frank Riberi janë në një gjendje tepër të mirë fizike dhe kanë vërtetuar se kanë një performancë të papërsëritshme. Jam shumë i sigurt se, nëse Tomas do të luante ndaj Gladbahut në turne ose edhe kundër Arsenalit për disa kohë, ai do ta meritonte pa dyshim vendin e tij në fushën e blertë”.
Për Uli Hënesin, aftësitë mjaft të mira të Mylerit janë diçka të cilën ai nuk mundet ta mohojë kurrë: “Tomas Myler është një lojtar me një performancë të paarritshme dhe me një simpati të tejskajshme për kampionët gjermanë. Megjithatë, në fund, atij do t’i duhet të kalojë testin për të zënë vendin e tij në fushën e blertë dhe e di se do t’ia dalë mbanë. Jam i qartë që situata gjatë viteve të fundit nuk ka qenë fort e favorshme për të.
Por mund të them pa frikë se, në gjendjen që ai është tani, Myler është më se gati të pranojë çdo sfidë që mund t’i dalë përpara dhe, nëse ai vazhdon me të njëjtin ritëm, nuk ka diskutim që ai do të luajë një rol kyç për kampionët gjermanë. E gjithë skuadra e pëlqen dhe ka një afrimitet të jashtëzakonshëm, ndaj mendoj se nuk do të jetë e vështirë, sidomos për një lojtar si Myleri”.