Përsëri drogë në Vlorë, sekuestrohen 24 thasë

Në vijim të operacionit masiv antidrogë, Policia ka sekuestruar një tjetër sasi prej 300 kilogramë kanabis sativa.  Operacioni, i cili ka nisur gjatë javës në Llakatund është zhvilluar nga Policia e Vlorës e mbështetur edhe nga FNSH. Ditën e djeshme, seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit, kanë zhvilluar dhe finalizuar një tjetër operacion policor në fshatin Grabian, Vlorë.
“Si rezultat i operacionit në një pjesë toke (ullishte) u gjetën të fshehur dhe u sekuestruan 24 thasë të mbushur me lëndë narkotike të dyshuar kanabis sativa, me peshë totale 300 kilogramë. Nga hetimet e para të kryera nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, ka rezultuar që sasia e lëndës narkotike dyshohet se i përkiste shtetasit Agron Danaj, 52 vjeç, banues në fshatin Grabian, Vlorë, i cili është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal”, sqaron Policia. Policia e Vlorës po vijon kontrollin në të gjithë territorin me qëllim evidentimin dhe goditjen e shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike.