200 mijë lekë për të mos votuar në Tiranë

Lulzim Basha dhe Eduard Selami ishin para demokratëve të Shkodrës, ku përveç analizës së tyre, morën dhe pyetje nga demokratët.
Dy kandidatët shpalosën para demokratëve të Shkodrës vizionin e tyre për ringritjen e Partisë Demokratike përmes fuqizimit të strukturave, mirëorganizimit dhe funksionimit të fortë në të gjitha qelizat e saj.
Basha theksoi deformimin e vullnetit të qytetarëve me 25 qershor nga paratë e bandave të drogës dhe makineria shtetërore, dhe u shpreh se PD është sot bartëse e vlerave dhe e moralit e nuk do të bëjë kurrë pakt me krimin. Basha tha se kjo betejë do të vijojë deri në fitore. “E vetmja forcë politike e cila refuzoi paktin me krimin, që u ofrua, na u ofrua këtu në Shkodër, siç na u ofrua në Vlorë dhe në Durrës e Peqin, por e kemi thënë që; nuk bëjmë e nuk do të bëjmë pakt me krimin për të ardhur në pushtet”, u shpreh Basha.
Eduard Selami vuri në dukje se, nëse duam edhe njëherë t’i kthehemi momenteve, ditëve më të mira, ne duhet të funksionojmë në mënyrë demokratike siç nuk kemi funksionuar, t’i kthehemi qendrës tonë, filozofisë tonë të djathtë, të hapim një dialog jo vetëm brenda bazës tonë por, edhe me shoqërinë civile.
Selami theksoi rëndësinë e një analize serioze  brenda Partisë Demokratike duke e cilësuar këtë si të vetmen mënyrë për rikthimin e PD në shpresën dhe alternativën e shqiptarëve.
“Ne duhet të bëjmë një analizë serioze. Po nuk pyete strukturat, po nuk pyete degën, po nuk pyete demokratët, po nuk pyete qytetarët, t’i mund të kërkosh votën, por nuk merr gjë mbrapa”, u shpreh ai gjatë takimit me demokratët shkodranë.
Kur kanë mbetur katër ditë nga zgjedhja e Kryetarit të Partisë Demokratike, dy kandidatët Lulzim Basha dhe Eduard Selami po vijojnë turin e fushatës së tyre në takime me degët e Partisë Demokratike me simpatizantë dhe anëtarë të PD.
Për herë të parë, kjo garë solli dhe një risi e cila ka të bëjë me përballjen e kandidatëve dhe konfrontimin e programeve të tyre ashtu si edhe vizionin për drejtimin e PD në katër vitet e ardhshme.
Dy kandidatët janë shfaqur përballë njëri-tjetri në shumë qytete të vendit, ku kanë shkëmbyer pikëpamje, por edhe replika mbi ringritjen e Partisë Demokratike dhe rikthimin e fuqishëm të saj në pushtet.
Gara reale e dy kandidatëve ka përfshirë në takime gjithë anëtarësinë e Partisë Demokratike në bazë nga Veriu në Jug të vendit.
Fushata është unike në llojin e saj, pasi ringritja e Partisë Demokratike po kalon përmes debatit dhe alternativave që pasqyrojnë dy kandidatët.
Organizmat e PD kanë marrë të gjitha masat për një proces të rregullt, të ndershëm dhe të barabartë sipas statutit të Partisë Demokratike.
Komisioni ka vendosur që kryesitë e degëve të PD në rrethe janë përgjegjëse për organizimin e votimit që do të zhvillohet më 22 korrik. Çdo degë ka një qendër votimi. Ambientet ku do të kryhet votimi do të miratohen nga ky komision, sipas propozimeve që do të vijnë nga degët. Në selinë qendrore do të ngrihet qendra e degës nr. 2, ku do të votojnë përveç anëtarëve të thjeshtë, edhe anëtarët e kryesisë, anëtarët e këshillit kombëtar, deputetët e vjetër e të rinj.

Selami: Platforma për të ringritur fuqishëm PD

Eduard Selami foli për rëndësinë e një analize serioze mbi rezultatin e PD në zgjedhjet e 25 qershorit. Ai vuri theksin tek krijimi i një debati të hapur për të kuptuar shkaqet që çuan në humbjen e PD krahas fenomenit masiv të blerjes së votës.
“Unë jam nga ata që e shoh problemin tek vetja, se kundërshtari këtë punë ka. Jo vetëm kaq, por edhe avantazhet që ka kundërshtari. Ne duhet të ulemi dhe të shohim se si duhet t’ia heqim nga dora.
Se në qoftëse ne mendojmë që shitblerja e votes, qe arsyeja kryesore e humbjes, mendoni ju se kjo në zgjedhjet e ardhshme do të bjerë?! Jo. Diskutimi dhe debati ynë duhet të bëhet se si ta shmangim këtë problem. Në këtë pikë, unë mendoj që ne duhet të bëjmë një analizë serioze. Po nuk pyete strukturat, po nuk pyete degën, po nuk pyete demokratët, po nuk pyete qytetarët, t’i mund të kërkosh votën, por nuk merr gjë mbrapa. Zhgënjimi im më i madh ka qenë me modelin Basha që kam mbështetur, që Partia Demokratike ka qenë më pak demokratike, edhe në momentin që e mori, me atë që e la zoti Basha”, u shpreh Selami.
Selami shprehu bindjen për ringritjen e Partisë Demokratike, edhe më fuqishëm nga sa ka qenë më parë, ndërsa ftoi të gjithë demokratët në nisjen e një debati të gjerë që do të ishte shpresëdhënës për gjithë shqiptarët.
“Nëse duam edhe njëherë t’i rikthehemi momenteve, ditëve më të mira, ne duhet të funksionojmë në mënyrë demokratike siç nuk kemi funksionuar. Ne krizë emrash dhe liderësh në Partinë Demokratike, sepse ne jemi mbyllur. Kemi pushuar së funksionuari si parti demokratike. Jemi bërë vetëm partia e kryetarit.
Jemi kthyer në atë kohën e vjetër të Partisë së Punës që po të ikë ky, duket sikur gjithçka merr fund. Jo. Me këtë platformë, unë mendoj se kemi për t’u ringritur më të fortë akoma. Nuk është e gjitha, por është më e rëndësishmja. Do t’i rikthehemi edhe vlerave tona. Do t’i kthehemi qendrës tonë, filozofisë tonë të djathtë. Do të hapim një dialog jo vetëm brenda bazës tonë por, edhe me Shoqërinë Civile. Edhe me rininë, e cila fatkeqësisht na ka braktisur. Hajde të hapim një debat të gjerë që t’u japim shpresë shqiptarëve”, tha Selami.

Përballje para demokratëve të Shkodrës

Sundimi i Shqipërisë nga krimi dhe droga u vërtetua me prova e fakte në vjedhjen e zgjedhjeve të 25 qershorit dhe shtrembërimin e vullnetit të qytetarëve. Lulzim Basha ndau dje me demokratët e Shkodrës rrezikun që vijon t’i kanoset vendit nga krimi dhe droga në pushtet, ndërsa bëri të ditur se qindra milionë euro u shpërndanë masivisht nga Partia Secialiste dhe njerëzit e Ramës me qëllim blerjen e votave, tjetërsimin e bindjeve të qytetarëve si dhe detyrimin e tyre për të mos dalë në votime. Duke u ndalur tek ky fenomen, që u shfaq si një masakër e vërtetë elektorale e 25 qershorit, Basha bëri të ditur se vetëm në Tiranë janë shpërndarë nga 200 mijë lekë për çdo person me qëllim detyrimin e tij për të mos dalë në votime. Ndaj dhe në këto zgjedhje u shënua numri më i ulët i pjesëmarrjes së votuesve, për shkak se ata ishin paguar masivisht nga njerëzit e Ramës për të mos dalë qëllimisht në votime.
“Në Tiranë, vetëm për të mos dalë në votime, plani ka qenë 5 deri 15 familje opozitare për qendër votimi, pagesa 200 mijë lekë për familjar, jo për votues. E kjo është shtrirë anembanë vendit në përmasa dhe forma të ndryshme, por me një synim; me para, me dhunë, me terror, për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve. Ndaj njësoj si në ’91, këto zgjedhje nuk reflektojnë vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë.
E vetmja forcë politike, e cila refuzoi paktin me krimin, që u ofrua, na u ofrua këtu në Shkodër, siç na u ofrua në Vlorë dhe në Durrës e Peqin, por e kemi thënë që; nuk bëjmë e nuk do të bëjmë pakt me krimin për të ardhur në pushtet. Sepse ne jemi vlerat dhe ata janë antivlerat dhe kjo është bardh e zi si asnjëherë në historinë njerëzore, kjo është bardh e zi, nuk ka gri këtu në mes, nuk ka gri. Dhe kjo është një betejë që duhet dhe do të vazhdojë deri në fitore”, tha Basha.
Basha solli në vëmendje qendresën e fortë të Partisë Demorkatike në katër vitet që shkuan, në përballjen me krimin dhe drogën në pushtet. Basha tha se të gjitha kauzat e ngritura nga Partia Demokratike u vërtetuan si kauza të drejta, ndërsa konfirmoi se ai do të vijojë betejën kundër krimit dhe drogës në pushtet deri në fitoren e kësaj beteje.
“Ka katër vite që jemi në betejë të përditshme me një pushtet të bërë njësh me krimin, me një pushtet të ardhur përmes krimit e që sundon bashkë me krimin. Nga dekriminalizimi, tek beteja kundër drogës që është një projekt i pastër politik i Edi Ramës, për të fshehur dështimin e tij ekonomik dhe për të përgatitur tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve, e deri tek beteja për zgjedhje të lira e të ndershme, kauzat tona janë provuar jo vetëm si kauza të drejta e të rëndësishme, por më jetiket sot për Shkodrën e për mbarë Shqipërinë.
25 qershori e provoi këtë katërcipërisht. Si në kohët e Sigurimit të Shtetit, shqiptarët u skeduan familje për familje. Kësaj radhe jo për t’i futur në burg për mendimin e tyre politik, po për t’i përndjekur për votën e tyre; diku listat për ndihmën ekonomike, diku listat për subvencionet, diku listat për legalizimin, diku pagesën apo shtrëngimin e gjobave të OSHEE-së apo të subvencioneve, diku paratë në dorë. Qindra milionë euro të drogës që derdhet lumë edhe sot. Ne e pamë këtë fare mirë, kudo ku ndodheshim në fushatë, ku me plan, me shtrirje kapilare; e para Partia Socialiste, derdhën miliona të shoqëruara nga bandat kriminale për të kapur vullnetin e votuesve.