PD, forca që po prodhon, debat, garë e demokraci

Armand MAHO

Gara dhe debati që është hapur në Partinë Demokratike,  përveç të tjerave tregon se kjo forcë politike është më demokratikja në vend, që arrin të zhvillojë një garë pavarësisht kontestimeve apo problemeve që hasen. Natyrisht humbja është e papranueshme, dhe që prej datës 26 qershor, debati i brendshëm në PD ka eklipsuar çdo problem tjetër. Portale, media vizive dhe ato të shkruara spo merren me gjë tjetër, duke lënë në dorë të dytë problemet jetike të vendit, që në këto vigjilje pas zgjedhore duket se janë shtuar më shumë. Le të marrim dy kandidatët në garë. I pari është Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, që rezultoi humbëse në zgjedhjet e  25 qershorit. Ai ka hequr dorë nga të gjitha funksionet e kryetarit, duke përdorur termin ngrirje deri më 22 korrik. Në anën tjetër i vetmi kandidat që u regjistrua në garë do ishte Eduard Selami dhe ky një ish-kryetar i Partisë Demokratike, një prej ish- themeluesve të saj i emigruar për shumë kohë në Shtetet e Bashkuara dhe i rikthyer në vitin 2013 për të qenë deputet i legjislaturës që sapo shkoi. Basha në diskursin e tij politik, ka marrë kryesisht fajin mbi vete, dhe ka pranuar gabimet e bëra, por pa mohuar dhe faktin se, rezultati nuk do ishte ky i sotmi në rast se do kishim të bënim vërtet me një garë të ndershme zgjedhore. Lulzim Basha e kish deklaruar që gjatë fushatës, se zgjedhja do të bëhej sipas parimit një antar një votë, ashtu siç u bë 4 vite më parë, por ashtu siç u bë dhe zgjedhja për kryetarin e Forumit Rinor, apo dhe strukturat e tjera të partisë.

Gara

Nga ana tjetër kemi Eduard Selamin, i cili në diskursin e tij politik, nuk po lë asgjë mangut në akuzat e tij ndaj kryetarit. Në më shumë se një herë të dy kandidatët janë përplasur me njëri-tjetrin, dhe akuzat e Selamit kanë qenë të forta. Përplasja e Shkodrës apo dhe ajo e Korçës e tregoi më së miri këtë. Në një prononcim për “RD” Selami, u duk i kënaqur me garën “Problemi im i vetëm është se përballja duhet bërë live para medieve, gjë e cila nuk është pranuar nga kandidati tjetër, pasi kanë hall se shkakton përçarje. Unë mendoj se vetëm e forcon partinë kjo. Unë vetë skam qenë i kushtëzuar në diskursin tim  dhe kam thënë gjithçka kam menduar në lidhje me organizimin e partisë dhe gabimet që u bënë në këto zgjedhje dhe më parë. Kam thënë mendim hapur, se Basha nuk është ai që mund ta sjellë PD në pushtet.  Gara është hapur, dhe vota është e fshehtë në këtë përballje. Dje isha në Shkodër, dhe shumë njerëz më kapnin për krahu dhe thonin se ky është dhe mendimi i tyre. Kushdo duhet ta pranojë se PD është e vetmja parti në vend që ka vërtet garë, dhe askush mos ketë dyshime për këtë. Dhe ata që flasin poshtë e përpjetë, duhet të hynin në garë. Kjo punë do këllqe, kjo është partia nuk do llafe pazari. Futu në përballje dhe thuaj çke për të thënë, ky është mendimi im. Personalisht i përkas brezit të themeluesve të kësaj partie, atij të viteve ‘90-të kur fjalën e thonim dhe gjatë kohës kur na fërshëllenin plumbat veshëve dhe jo më sot. Ja ku ua them me bindje, Partia Demokratike është e vetmja që zhvillon një garë të hapur për të gjithë, dhe askush nuk ka qenë i përjashtuar nga ky proces”, përfundoi Selami.

Fraksionet

Partia Demokratike ka dhe fraksion dhe tashmë në të ekzistojnë dy apo tre grupe që thonë mendimin e tyre të pavarur. Për keq apo për mirë, kjo sërish mbetet një vlerë e demokracisë. Me një anë janë mbështetësit e Patozit, në një anë tjetër ato të Topallit, por ka dhe nga ata që nuk janë as me njërën as me tjetrën palë, por që mbështesin idenë se PD dhe lidershipi i saj punoi gabim. Të tre palët në diskursin e tyre politik kanë qenë të lirë të thonë mendimin e tyre dhe askush nuk i ka përjashtuar. Natyrisht kur një parti humbet, bëhet dhe analiza e cila nuk do vonojë pas zgjedhjeve. Në këtë moment rrymat janë përplasur, por ama të gjithë bashkë quhen demokratë, askush s’është i përjashtuar dhe gjithsecili ka vendin e tij në Partinë Demokratike, sepse kjo është demokracia, ky është debati brenda partisë dhe PD duan apo sduan disa që e shohin vëngër, mbetet vlera kryesore e këtij vendi. Ajo është ngritur mbi parimet e lirisë, të mendimit dhe fjalës së lirë, dhe askush smund ta tjetërsojë këtë.

Media e dirigjuar në shërbim të Ramës

Debati brenda Partisë Demokratike ka marrë të gjithë vëmendjen mediatike. Edhe ata që se kanë dashur ndonjëherë këtë forcë politike, apo e kanë kundërshtuar dhe kur ka pasur arritje si NATO apo liberalizimi i vizave, sot, janë vënë në rresht për të kritikuar, sharë e mallkuar lidershipin e saj. Janë kryesisht persona që të djathtën e kanë parë me optikën e së majtës. Madje, madje, të drejtën për të kritikuar lidershipin e PD-së i jep të drejtë vetes dhe gazeta e djemve të Arta Dades, e cila sulmoi on block Ben Blushin gjatë kërkesave të tij për të zhvilluar garë brenda PD-së. U qan hallin të mbeturve jashët garës për deputet, ndërkohë që vetë Dade u përjashtua nga këto lista. Tashmë duket se  gjithçka dhe e gjitha vërtet rreth Partisë Demokratike. Natyrisht në këtë mes është dhe komercializmi mediatik. Të dish të japësh mendim se çfarë ndodh në PD tërheq vëmendje dhe për faktin se ky formacion politik vazhdon të mbetet shpresa e vetme për këtë vend. Por ama kjo s’duhet të eklipsojë problemet e qeverisjes, dhe duket sikur ky debat jo pak herë është i dirigjuar. Erioni vazhdon të japë tendera, Rama vazhdon me populizmat e tij mediatike, duke i bërë përherë dëm shqiptarëve, mungesat e energjisë dhe thatësira ka përfshirë të gjithë vendin. Ky që sot ka vetëm timonin dhe tepsinë kush e di çfarë po përgatit kundër qytetarëve të tij me nisjen e shtatorit. Nafta po monopolizohet nga Besnik Sula, laboratorët shtetërore po trefishojnë çmimet e analizave për llogari të Vilma Nushit. Një re e zezë krize dhe korrupsioni edhe më të keqe se ajo që kaluam po ngrihet rrezikshëm mbi këtë vend. Por sërish problemi vazhdon të mbetet gara brenda PD-së, dhe e thënë nga kjo soj mediash, kjo është më shumë se qesharake!

Listat e anëtarësisë dhe pasojat e pariparueshme nga publikimi i tyre

Një problem që shtrohet, ose argumentohet nga ata që nuk hynë në garë është dhe problemi i listave të anëtarësisë. Por askush se mendon më gjatë se publikimi i atyre listave mund të sjellë problem për jo pak familje. Në to mund të gjendet kryefamiljari, bashkëshorti apo bashkëshortja, djali, vajza, dhëndrri  apo vjehrri i dikujt që punon në administratë. Kjo farë qeverie ka provuar se dhe për më pak se kaq  pushon njerëz nga puna, madje për një pëlqim në rrjetet sociale. Ata që kanë mbetur në administratë   për shkak të aftësisë së tyre nuk guxojnë tja pohojnë emrin në institucione PD-së. Nga ana tjetër në ato lista mund të jenë njerëz të biznesit që me atë punë mbajnë familjen e tyre, dhe publikimi i emrit sërish do i sillte goxha problem. Rama ka treguar se kur lëshon sejmenët e tij, rruga e vetme është falimentimi i biznesit. Atëherë si do publikohen këto lista? Ndoshta shumë prej tyre që mund ta kenë emrin aty mund të mos vijnë të votojnë dhe sërish ta pësojnë njësoj. Askush se mendon dëmin e pallogaritshëm që mund t’u vijë nga kjo kërkesë absurde. Në fakt ato lista, bën mirë që mos i ketë askush përveç shtabeve të kandidatëve dhe këto në një numër të kufizuar njerëzish këtu në qendër. Por sot kërkohet të publikohet database i anëtarësisë. Kjo do të thotë dhe diçka tjetër. Shumë prej tyre me hir apo me pahir do të detyrohen të pranojnë kushtet që do i vendosin shefat e tyre, dhe kjo mund të sjellë rrjedhje të anëtarësisë…. Zërat që hedhin ide të tilla vetëm, të mirën nuk ia duan kësaj partie. Mund të mendojnë më shumë për karrierën e tyre personale, por aspak për pasojat që mund t’i sjellin atyre familjeve. Në fakt mendojmë se jetojmë në një rend demokratik, por shenjat janë të një rendi despotik. Partia Demokratike po bën sa mundet që të japë shembullin e saj, por çdo gjë e ka një kufi, sidomos kur ke të bësh me rend apo sistem që ndërtohet nga Rama, Tahiri, Beqja e kështu me radhë.

Rama nuk lejoi garë për kryetarin

Por le të bëjmë një krahasim me Edi Ramën dhe garat që ai ka zhvilluar në PS. Në vitin 2005 do e merrte partinë me anë të makinacioneve, duke përdorur dhe influencën e Gramoz Ruçit. Përballë tij kishte Maqo Lakrorin, i cili nuk u ndje nëse ishte në garë apo jo. Nuk përmendi asnjë nga akuzat dhe gara u mbyll brenda dy ditëve në asamblenë e kësaj partie. Për tetë vjet nuk u zhvillua asnjë garë tjetër. Në  muajt mars-prill të vitit të kaluar ishte deputeti Ben Blushi që e ngriti këtë si problem, sepse po shkelej statuti i partisë dhe në PS  kishte më shumë se 10 vjet që nuk zhvilloheshin zgjedhje për kryetarin. Rama nuk zhvilloi zgjedhje as kur humbi zgjedhjet në vitin 2009. Në qershor të vitit 2016, Rama nuk do e lejonte garën brenda partisë, por nga garë për vendin e kryetarit do e kthente në referendum, me pyetjen “a duhet të largohet apo jo kryetari i Partisë kur fiton zgjedhjet” apo diçka e tillë. Një situatë absurde, tek e cila natyrisht ai doli fitues. Rama i ka pasur gjithmonë frikë përballjet, dhe e dinte fare mirë se Blushi në këtë rast nuk e rrezikonte aspak. Me ardhjen e Ramës në krye të saj PS u shndërrua në parti të centralizuar, dhe sot e kësaj ditë asnjë nga zërat ndryshe nuk bën pjesë në këtë formacion politik. Figurat e saj erdhën duke u mënjanuar zgjedhje pas zgjedhjeve, kundërshtarët jo në pak raste u përjashtuan nga partia, vetëm e vetëm se nuk mendonin si kryetari. Dhe ata pak zëra që mbetën u detyruan që ta hedhin vallen sipas avazit të tij, të duartrokisnin nën modelin kinez kur e kishin gabim, ose të mbronin të pambrojtshmen. Për shembull, Taulant Balla është një prej atyre që kanë kundërshtuar zgjedhjen e Ramës në krye të PS-së. Sot është bërë lëpirësi më i madh i tij. Ka më servilizëm se kaq?