Pabarazia e garës, Selami: Deformime si këto, prodhojnë rezultat jo të drejtë

Një vonesë prej më shumë se 1 ore ka pasur dje takimi i kandidatit për kryetar të Partisë Demokratike, Eduard Selami në Njësinë 5 të drejtuar nga Çim Babasi, i cili pavarësisht përgjegjësisë partiake për të qendruar neutral të paktën publikisht nuk ngurroi ta quante Bashën kryetar. “Vonesa ime lidhet me faktin që përcolla kryetarin”, tha Babasi.
Filmimet e realizuara nga selia e PD nuk mundësojnë pamjet e plota të debatit dhe kandidati për kreun e PD, Eduard Selami mbetet i bindur në vullnetin e tij për forcimin e partisë siç dhe paralajmëron se Basha kërkon vetëm të mbajë karrigen e kryetarit pas humbjeve dërrmuese. “Kjo garë është e pabarabartë dhe s’mund të prodhojë një rezultat të drejtë”, tha Selami.
Pavarësisht vështirësive, u shpreh Selami, procesin e kanë në dorë demokratët që më 22 korrik do të votojnë dhe garantojnë votën e tyre, në emër të demokratizimit të PD dhe ringritjes së saj. Së bashku do të jemi një parti e madhe shprese, pohoi Selami që këmbëngul në bërjen e një analize të thellë.
“Hajde të bëjmë një analizë serioze. Ça i trembesh?! Më dil këtu përballë, leri kamerat, ku i ke kamerat, pse ke frikë?! Hajde të diskutojmë, unë mbaj përgjegjësi për gjërat e mia ti për të tuat. Ça është kjo, me pritat e kohës së vjetër”, tha Selami.
PD me mua kryetar, vazhdoi Eduard Selami, nuk do të jetë më  pronë private pa konkurrencë vlerash dhe me konkurrencë servilizmi. “Edhe këta fanatikët e statutit që shikoni tani, asnjë nuk hodhi firmën. U larguan sikur të kishte murtajë. Anëtari i Këshillit Kombëtar që nuk hedh firmën, kur shkelet Statuti dhe ka frikë. E kuptoni ku jemi katandisur? Këto janë fakte dhe realitet”, tha Selami.  Selami përsëriti optimizmin për rikthimin e PD në pushtet me fitoren e tij si kryetar.
“Bashkë vijmë në pushtet, bashkë fitojmë shumë shpejt, duke ngritur problemet, duke qëndruar pranë qytetarëve. Kjo është formula! Ditët më të mira tonat i kemi përpara. Së bashku do të bëjmë jo vetëm që PD të vijë në pushtet, me vlerat tona, me kartën morale, me mbështetjen mbarë popullore, por edhe Shqipërinë do ta kthejmë në histori suksesi”, tha Selami.

Selami fushatë me demokratët e Kamzës dhe Kavajës

Në epilog të fushatës elektorale për t’u zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike, Eduard Selami u tha demokratëve të Kamzës dhe Kavajës se modeli që ai ofron është model i vlerave dhe besimit, mungesa e të cilave çuan në rrudhjen e kësaj partie në zgjedhjet e fundit. “Kjo nuk është një humbje e radhës. Kjo është një humbje besimi dhe humbja e besimit në radhë të parë është humbja e besimit tek njëri-tjetri. Kemi kohë që nuk funksionojmë më si forcë politike bashkëkohore. Kur kemi mbyllur rrugën e vlerave, do të dalin këta të veseve dhe do të bëhet konkurrenca se kush shan më shumë, që t’i hyjë në qejf kryetarit, që të zgjidhet lart. E shikoni se si deformohet? Pra, ne nuk po konkurrojmë më me vlera dhe do të fillojmë të rrudhemi siç po rrudhemi. Kemi qenë parti e parë, s’jemi më. Ishim rrotë më rrotë, kemi dalë me dy shifra. Jemi në mes, po na afrohet ai prapa”. Në fund të fushatës, ajo që e motivoi Selamin ishte dëshira e tre të rinjve që takoi rastësisht dhe që i thanë se të ardhmen e tyre e shohin në vendin mëmë. Selami tha se kthimi i shpresës së shqiptarëve tek vendi i tyre, është sfida kryesore e Partisë Demkoratike. “Një nga pjesët më të bukura të kësaj fushate për mua është që këtu rastësisht janë 3 të rinj. Është Elvisi, është Mario dhe Erioni. Më afrohet Elvisi dhe më thotë: Zoti Selami edhe unë jam një demokrat, urime për garën. Sot kanë marrë diplomën. Elvisi është demokrat dhe është nga ata njerëz që është i angazhuar. Dy miqtë e tij janë akoma nga ata që shikojnë dhe vëzhgojnë se si veprojmë ne. Ma bënë zemrën mal kur i pyeta: A e shikoni ju të ardhmen tuaj në Shqipëri? Elvisi tha: Po. Zotëria tjetër tha: Unë jam i pavendosur dhe zotëria tjetër tha që dhe unë hyj tek ata që: Po, e shikoj. Më dhanë shpresë sepse një nga dështimet më të mëdha tonat si forcë politike është fakti që partia më e madhe në Shqipëri është partia ‘Për t’u larguar nga Shqipëria’, me 56% dhe 50% e këtyre janë të rinj. Kjo është përgjegjësia dhe ky duhet të jetë standardi ynë. Me këtë duhet të matemi ne dhe unë kam bindjen që historia jonë dhe krenaria jonë si demokratë është që ta kthejmë edhe një herë Partinë Demokratike në parti të shpresës së shqiptarëve dhe demokratëve”. Selami u shpreh se demokratët duhet të jenë krenarë pasi kanë bërë për vendin e tyre atë që pakkush e ka bërë duke rrëzuar komunizmin dhe duke e futur vendin në rrugën e demokracisë.