OBSH: 52% e meshkujve shqiptarë pinë duhan, femrat vetëm 7.3%

Organizata Botërore e Shëndetësisë sapo ka publikuar raportin e epidemisë globale të cigares të vitit 2017. Me të dhënat që i referohen 2015-s, Shqipëria ka një prevalencë në total të përdorimit të duhanit tek të rriturit prej 23%, një nivel mesatar ose më i ulët se i shteteve të tjera të Europës apo rajonit. Në rajon, duhanpirësi më i madh është Mali i Zi, me 38%, më pas vjen Serbia me 33%, të ndjekura nga Bosnja dhe Kroacia, me 32% secila. Edhe grekët janë konsumatorë të mëdhenj të duhanit me 35%. Për Maqedoninë dhe Kosovën nuk ka të dhëna.
Në hartat e raporit të OBSH-së, Shqipëria renditet ndër vendet që ka pasur arritjet më të larta më 2016-n për zbatimin e legjislacionit kundër duhanit dhe zbatimin e penaliteteve për reklamimin e duhanit. Sipas të dhënave të detajuara të standardizuara për Shqipërinë rezulton se 51.7% e meshkujve shqiptarë pinë cigare dhe duhan dhe femrat vetëm 7.3%. Vetëm për cigaren, këto shifra janë përkatësisht 46.3% dhe 4.8%. Tek të rinjtë, përqindja e atyre që pinë cigare është shumë më e ulët te meshkujt, me 14.5% dhe më e lartë tek femrat, me 6.7%. Këto të dhëna i përkasin vitit 2016. Çmimi më i ulët i paketës së cigareve në Shqipëri është 170 lekë (çmimi i pakicës për një paketë me 20 cigare) dhe ai i cigareve premium është 300 lekë.
Taksat përbëjnë 55-66% të çmimit të paketës së cigares. Cigarja më e shitur në vitin 2016 kishte një çmim mesatar prej 230 lekë (Karelia). Interesant është që kjo paketë që shqiptarët e blejnë 230 lekë, nëse do të matej sipas metodës së barazisë së fuqisë blerëse kushton 5.23 dollarë, pra trefish. OBSH publikon dhe treguesin e përballueshmërisë, që matet si % e GDP për frymë që duhet për të blerë 100 paketa të markës më të shitur të cigareve (sa më e lartë aq më pak e përballueshme është) dhe për Shqipërinë ky tregues është 4.41%.
Për Bosnjën, ky tregues është më i lartë, në 5.91%, teksa çmimi i paketës më të shitur në dollarë ndërkombëtare (sipas fuqisë blerëse) është 6.6 dollarë dhe akciza arrin deri në 84% të çmimit. Relativisht më të lira janë cigaret në Mal të Zi, ku treguesi i përballueshmërisë është 2.84% e të ardhurave për frymë.