Nga listat e zeza tek dëshmitarët e rremë

Veprimit me “dëgjesa në popull”, do i paraprinte një liste me punonjës të administratës, e cila u publikua në Facebookun e Ramës. Këtë veprim ai do e justifikonte me “përmendjen e emrit” që i është bërë sipas Ramës në komente në faqen e tij  zyrtare. Pra çdo njeri normal ose i çmendur, me mllef të sisur ose jo që disponon një celular apo kompjuter mund të futet në faqen e Edi Ramës, dhe të bëjë çfarëdo lincimi.  Një dorë e kujdesshme kish përzgjedhur vetëm ata që i interesonin Ramës, sepse aty janë përmenduar jo pak herë dhe ministrat e tij apo drejtorët e tij besnik që bashkë me të kanë qenë në krye të korrupsionit katër vjetët që shkuan. Juristët e kundërshtuan fort këtë veprim, ku ishin përmendur dhe emra të nderuar të mjekësisë si fjala vjen zoti Mentor Petrela. “Vendosja e burimeve të informacionit nga rrjetet sociale si provë e fajësisë bie jo vetëm në kundërshtim me të drejtën themelore të të drejtave të njeriut dhe me Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut për zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor, që ka të bëjë me fajësinë dhe pafajësinë, por bie në kundërshtim edhe me terrenin human ku jeton njeriu. Që do të thotë se, njeriu në mënyrë proceduriale dhe literale duhet vendosur para faktit. A është thënia në rrjetet sociale fakt? Mund të jetë indicje, por jo fakt”, thotë avokati Sokol Hazizaj. Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, do ishte një ndër ata që reagoi ndaj publikimit të listave me emrat e zyrtarëve që kryeministri Rama ka bërë nisur nga denoncimet e qytetarëve. Këtë akt, Manjani e ka cilësuar si aktin e  parë të diktaturës. “Akti i parë i diktaturës. Komiteti Qendror i Rilindjes, me në krye shokun Edi Rama, shpalli sot dënimin për disa nëpunës të shtetit! Ndër ta edhe gjykatës e prokurorë! Reforma në Drejtësi kapitulloi, së bashku me vetingun! Askush nuk do ta besojë në pavarësinë e strukturës së vetingut, pas këtij linçimi publik të emrave që bëri mrekullia kushtetuese e Shqipërisë! Drejtësia popullore e popullit të Facebook tashmë është në veprim!”,shkruan Manjani. Pra, jemi përpara një situate kur po përgatitet formimi i një shteti autokratik nën shembullin e atyre liderëve që kryeministri ynë i ka fort për zemër. Një shtet që shpreson të ngrihet mbi spiunë të paguar apo dëshmitarë të rremë që synon të nxjerrë jashtë loje të gjithë sistemin e drejtësisë, dhe t’i japë atij pushtet të pakufizuar. Kur nxorri këtë listë, Rama do përsëriste shprehjen e tij të preferuar “skeni parë asgjë akoma”.