Motorët e vdekjes që marrin jetë turistësh

Në bregdetin tonë ka vrasës që shëtisin të pashqetësuar nga askush. Mjaft të rinj bëjnë manovra të rrezikshme në det fare pranë kokave të pushuesve. Një devijim i mjetit të ujit, “Ski Jet” do të sillte pa frikë viktimën e radhës. Në çdo vend të botës, motorët e ujit lëvizin 2 km larg bregut dhe kur afrohen duhet të ecin me 4 milje të orë.
Bregdeti ynë është lënë në duart e disa individëve të papërgjegjshëm që kanë një motor uji dhe bëjnë çfarë të duan me të! Pse heshtin institucionet përballë kësaj situate alarmante? Rama u justifikua për tre viktimat në Zvernec se është “plazh i egër”, por Ksamili dhe Dhërmiu nuk janë plazhe të egra. Ato janë plazhet më të bukura dhe më të frekuentuara ku nuk ka as Polici Kufitare që ruan detin dhe as vëzhgues në kulla që ruajnë bregdetin.
Një turiste e huaj mbeti e vdekur, sepse një mjet uji e goditi teksa lahej në plazhet e Ksamilit. Ashtu si turistja ruse, mijëra pushues të tjerë rrezikojnë çdo ditë nga motorët e ujit që bëjnë xhiro me shpejtësi marramendëse mbi kokat e pushuesve pa u shqetësuar nga askush. Qeveria dështoi edhe këtë vit të disiplinojë këto mjete të rrezikshme që janë shqetësim dhe rrezik për jetën e mijëra pushuesve që frekuentojnë plazhet shqiptare.
Edhe pse në të gjithë plazhin e jugut nga Velipoja në Sarandë nuk ka asnjë vend të lirë në hotel dhe nuk gjen asnjë vend të lirë në shezlone, pasi janë plot e përplot me turistë, policia shqiptare është inekzistente. Edhe pse për përdorimin e motorëve të ujit janë të përcaktuar rregulla se ku duhet dhe si duhet të lëvizin në det, në të gjitha këto plazhe me dhjetëra mijëra pushues nuk gjen qoftë edhe një polic të vetëm që të monitorojë ashtu siç duhet zbatimin e këtyre rregullave thelbësore për të garantuar jetën.
Në çdo vend të botës zonat ku duhet të lëvizin motorët e ujit, por në Shqipëri jo vetëm mungojnë shenjat, por këto mjete nisen që nga bregu i detit me shpejtësi. Ekziston dhe një vendim i Këshillit të Ministrave që përcakton rregulla, por ky vendim nuk zbatohet nga organet shtetërore dhe policia, ç’ka përbën një provë që policia ka dështuar në betejën për të siguruar jetën nga këto mjete.
Pushuesit shqiptarë i shohin këto motorë të ujit çdo ditë t’u rrezikojnë jetën, por ndihen të pafuqishëm e të pambrojtur, sepse policia që e ka për detyrë t’i mbrojë nuk ekziston. Ashtu si pushuesja ruse nga këta persona të papërgjegjshëm që përdorin motorët e ujit në pjesën ku lahen pushuesit rrezikojnë jetën edhe të tjerë turistë vendas apo të huaj, sepse inekzistenca e shtetit dhe e forcave të policisë i bën plazhet shqiptare si të jenë xhungël ku mbizotëron logjika e më të fortit dhe jo rregulli.
Pushuesit që kanë zgjedhur Ksamilin janë terrorizur nga ajo që kanë parë e dëgjuar kur adoleshentja ruse, vetëm 15-vjeçare hyri të lahej në det, por doli e vdekur e masakruar. Ndonëse policia deklaron se ngjarja e djeshme ka ndodhur në një distancë të largët nga deti, mjaft pushues, të terrorizuar nga ngjarja, u shprehën dje se situata në Ksamil është e frikshme.
Sipas tyre, motorët e ujit qarkullojnë me shpejtësi skëterrë në një distancë më të afërt se 200 metra larg bregut, duke rrezikuar seriozisht jetën e qindra plazhistëve. Pavarësisht kësaj situate, ata thonë se askush nuk ndërhyn. Ndërkaq, mësohet se nëna e 15-vjeçares ndodhet ende në gjendje shoku pas ngjarjes së rëndë që i mori jetën tragjikisht së bijës.

R.POLISI