Merkato e “çmendur” në Europë

Merkato e çmendur në Europë. Pothuajse të gjithë klubet e mëdha prej kohësh kanë nisur punën e tyre, në transferimin e futbollistëve me peshë, në mënyrë që sezoni i ri futbollistik të jetë i suksesshëm për ta. Ka pasur largime të bujshme, por edhe transferime të shtrenjta. Asgjë nuk ka mbaruar, ky është vetëm fillimi, por le të shohim se si është situata deri më tani tek të mëdhenjtë e Europës.
– Reali i Madridit, vetëm pak ditë më parë zyrtarizoi blejren e Dani Ceballos për 16.5 milionë euro. Më herët ka siguruar dhe shërbimet e Theo Hernandez nga Atletico Madrid. Lëvizjet më të mëdha tek kampionët e Spanjës kanë qenë përsa i përket largimeve. James Rodriguez, Alvaro Morata, Pepe dhe Coentrao. Tashmë “Los Blancos” ka një objektiv të madh: Kylian Mbappe.
– Pas largimit të Luis Enrique, Barcelona ia besoi drejtimin e stolit Ernesto Valverde. Deri më tani dy janë transferimet e realizuara nga ana e katalanasve, Semedo nga Benfica për 30 milionë euro dhe Deulofeu nga Everton për 12 milionë euro. Pritet që në ditët në vazhdim blaugranat të realizojnë të tjera goditje.
– Nga Spanja në Angli. Pas një periudhe deri diku të komplikuar, merkato e Chelsea-t është përmirësuar. Rinovimi i Antonio Contes dhe transferimet e Rudiger, Bakayoko dhe Morata. Ndërkohë nga radhët e kampionëve të Anglisë pritet të ketë dhe një numër të madh largimesh.
– Qëndrojmë në Premier League. Lindelof dhe Romelu Lukaku janë futbollistët më të rinj të Man. United. Janë larguar dy emra të rëndësishëm. Zlatan Ibrahimoviç dhe Wayne Rooney. Objektivat e radhës për Jose Mourinhon janë Kostas Manolas, Naningolan dhe Ivan Perisiç. Ndoshta portugezi mund të realizojë dhe një goditje të trefishtë.
– Shpenzimet e mëdha nuk janë problem për skuadrën tjetër të Manchesterit. 140 milionë euro të shpenzuara nga ana e tyre për transferimet e Benardardo Silvas, Ederson, Douglas Luiz, Kyle Walker.
– Pas nuk mbetet dhe Bayerni i Mynihut. I fundit që iu bashkua ekipit është James Rodriguez, më herët Corentin Tolisso, i kushtoi bavarezve 42 milionë euro. Ndërkohë ka pasur dhe largime, siç janë ato të Xabi Alonso dhe i një emri të madh siç është Philip Lahm, i cili mbylli karrierën e tij.
Merkato ende nuk është mbyllur, ky është vetëm fillimi i asaj që premton një fund me shpenzime stratosferike nga të mëdhenjt e Europës.