Mbyten 2 turistë të huaj në det, 8 viktima në një javë

Dy turistë të huaj që kishin ardhur për të pushuar në vendin tonë u mbytën ditën e djeshme në det. Fillimisht u mbyt një 16-vjeçare në Ksamil të Sarandës. Disa orë pas mbytjes së 16-vjeçares ruse në Ksamil, një tjetër turist i huaj humbi jetën në det, në një plazh në zonën e Kavajës. Burime nga policia janë shprehur se ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:45 në bregun e plazhit të Golemit. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca. Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se ka ndërruar jetë sllovaku Beres S., 66 vjeç. Sipas deklarimeve të bashkëshortes, 66 vjeçari është futur në det për të notuar, por nuk ka mundur të dalë nga uji.
Ndërsa turistja ruse, banuese në Shen Petersburg, u gjet e pajetë në ujërat e Ksamilit ku po pushonte, rreth mesditës. Pas transportimit të trupit të pajetë të 16-vjeçares me iniciale K.R në Morgun e Spitalit të Sarandës, në trupin e saj janë konstatuar dëmtime dhe prerje, në bërryl dhe në shpatullën e majtë.
Dyshohet se adoleshentja ruse është goditur nga ndonjë mjet në ujë. Personi që e gjeti atë në det u shoqërua për t’u pyetur. Po ashtu mësohet se janë shoqëruar edhe drejtuesit e disa skafeve dhe mjeteve të tjera lundruese në zonë.
Një prej dëshmitarëve deklaroi se 16-vjeçarja ruse nuk ra nga shkëmbi, por u godit nga një motor uji që ishte brenda zonës së ndaluar për këto mjete. Sipas të pranishmit, pasi ka çarë vajzën dhe ka parë që në ujë kanë nisur shenjat e gjakut, drejtuesi i motorit të ujit është larguar me shpejtësi, ndërsa një person me një varkë të thjeshtë ka nxjerrë në breg trupin e viktimës. Dëshmitari rrëfen se 16-vjeçarja kishte 20 minuta që nga momenti që e pa ruajtësi i varkave dhe policia është vonuar gati gjysëm ore për të ardhur në vendin e ngjarjes.
“Në tragjedinë që ndodhi në tre ishujt e Ksamilit, vajza është goditur me jetsky brenda kufirit të ishullit dhe personi me motorin e ujit është larguar sapo ka parë njollat e gjakut. Policia po e fsheh faktin që ka qenë një jetsky në ujë. Një person që rri tek varkat që marrim çdo ditë e nxori viktimën nga uji. Ajo ishte e goditur dhe kishte mbi 20 minuta nga momenti që e kishte parë ky. Ai mori në moment policinë dhe ata vonuan gati gjysmë ore, ndërkohë që jetsky u fut brenda kufirit që nuk lejohet dhe që është vetëm për pushuesit që notojnë. Ai që e ka vrarë është zhdukur dhe policia asgjë s’po bën për ta kapur. Theksoj, që nga deti vajzën e ka nxjerrë ky që transportonte njerëz për në ishull me një barkë të vogël. Ajo kishte çarje në trup dhe goditje në kokë”, tregon pushuesi për “JOQ”, i cili ishte i pranishëm në vendngjarje.
Ai shton më tej se situata në Ksamil është me të vërtetë e frikshme, duke qenë se as 200 metra larg bregut të detit lundrojnë me shpejtësi motorë uji, të cilët rrezikojnë seriozisht jetën e të gjithëve dhe askush nuk bën as një gjë për të ndalur këtë rrëmujë të madhe.
8 pushues të mbytur në një javë
Ky sezon veror ka parë një rezultat tragjik, sa i përket pushuesve që kanë gjetur vdekjen nga mbytja në ujërat e bregdetit shqiptar. Në një javë janë mbytur 8 pushues në det. Vetëm një ditë më parë, një 35-vjeçar gjeti vdekjen, pasi u mbyt në plazhin e Velipojës. Policia njoftoi se është mbytur në det F.H. 35 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë. Nga deklarimet paraprake, është bërë me dije se F.H. ka hyrë në ujë për të shpëtuar bashkëshorten, por ka gjetur vdekjen.
Ngjarja më e rëndë është ajo e së shtunës në Vlorë, ku 4 të rinj u mbytën, mes tyre edhe një djalë 24-vjeçar nga Tetova e Maqedonisë. Njëra prej viktimave, është mbytur në det dhe dy të tjerët kanë shkuar për ta ndihmuar e për pasojë kanë humbur jetën edhe vetë. Pak orë më vonë, policia ka identifikuar tri viktimat. Ata janë Manuela Maraj, 27 vjeçe, banuese në Babicë të Madhe, Vlorë. Xhoana Cani, 25 vjeçe, banuese në Tiranë dhe Beniamin Ferati, 24 vjeç, banues në Tetovë, Maqedoni.
Të premten e kaluar u mbyt një 62-vjeçar nga Kosova në plazhin e Durrësit. Ngjarja ndodhi rreth mesditës në sektorin ‘Apolonia’. Shtetasi Rr.R., banues në Kosovë, kishte ardhur për pushime në Durrës, por është mbytur në rrethana ende të panjohura.
Që prej fillimit të sezonit veror, më shumë se 20 persona kanë humbur jetën në det. Në disa raste kanë qenë pushuesit që kanë ndihmuar të gjendurit në vështirësi, për shkak se kullat e vrojtimit mungojnë në çdo plazh të Shqipërisë. Mungesa e rojeve të plazhit dhe ndihmës së parë është kthyer vdekjeprurëse për shumë pushues. Vazhdimisht është ngritur shqetësimi nga qytetarët se mungojnë rojet e plazhit që do ta bënin bregdetin më të sigurtë dhe më me pak incidente.

R.POLISI